Ekonomia

Sarandë/ Adresohen problematikat për sezonin e ri turistik, 30 stacione plazhi më shumë për pushuesit

Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma organizoi  të premten një tryezë me biznesin turistik për të adresuar problematikat në prag të sezonit.

Në këtë takim merrnin pjesë dhjetëra përfaqësues të biznesit të hotelerisë në Sarandë dhe Ksamil po edhe shërbime të tjera private si dhe ente shtetërore me impakt në ecurinë e zhvillimeve turistike si Policia e Shtetit, Drejtoria e Shëndetit Publik, Ujësjellës- Kanalizime, OSHEE, etj,.

“Jemi subjekte me goxha eksperiencë në menaxhimin e sezoneve turistike edhe në kohë të vështira siç ishte pandemia. Sa i përket Bashkisë, pavarësisht vitit të veshtirë dhe situateës, ne, e kemi nisur punën që në janar dhe ritmet e punës janë në gradën maksimale . Unë dua t’ju falenderoj të gjithëve për kontributet e dhëna”-u shpreh Gurma.

“Sa i përket investimeve- tha ai, -këto dy vite që unë jam në krye të këtij institucioni, ato kanë patur prioritet turizmin dhe infrastrukturën. Infrastruktura rrugore ka patur përmirësime dhe ne kemi investuar për këtë vit 60% të fondit në infrastrukturën rrugore kryesisht në Ksamil po edhe në Sarandë” .

Gurma infomoi operatorët turistik se nga 130 stacione plazhi që ka aktualisht të miratuar Saranda si bashki, presin qe ky numër të shtohet dhe me 30 stacione të tjera, pas miratimit nga Ministra e Mjedisit dhe Turizmit, të cilat do të menaxhohen nga biznesi turistik. Ai bëri të ditur se, hapësira e plazheve tradicionale në qytet nga Porti Detar deri pranë Hotel “Butrinti”,  do të vazhdojë të ofrohet falas nga bashkia për qytetarët, sipas traditës së hershme në Sarandë.

Ndër idetë që u sugjeruan nga subjektet turistike në Sarandë ishin shfrytezimi i hapësirave të bulevardit të ri për evente të ndryshme kulturore e turistike, nevoja e promocionit turistik të Sarandës  si destinacion në kanale televizive kombëtare e ndërkombëtare, etj.

“Këtë takim e kerkova me aktorët dhe faktoret lokalë me ndikim në zhvillimet turistike, pasi ne së bashku, jemi një skuadër e vetme, jemi partnerë dhe vetëm kështu mund të bëjmë më të mirën për ta zgjatur ofertën turistike dhe të përmirësojmë ofertën dhe paketë turistik në qytetin e Sarandes, në Ksmail dhe në territorin e Bashkisë”- tha Guma.

Duke kërkuar të marrë opinionet dhe kritikat për përmirësimin e punës në fushën e zhvillimeve turistike, kreu i Bashkise Adrian Gurma, theksoi se “jemi këtu për  t’i adresuar sa më mirë kritikat dhe kërkesat në zgjidhjen e problemeve në vijim, për atë çka duhet të bëjmë më mirë ne si institucion, po edhe si skuadër e përbashkët për sezonin turistik”.

Kryetari i shoqatës së biznesit turisitk në Sarandë Ben Çipa e vlerësoi nismën e Gurmës shumë pozitive, e cila vjen në kohën e duhur. Ai u shpreh edhe si subjekt qe ka aktivitet në sektorin  turistik, duke vlerësuar se disa gjëra në këtë fushë tashmë kanë marrë rrugën e zgjidhjes.

Përfaqësues të ndryshëm të bizneseve turistike ngritën probleme konkrete, të cilat u mbajtën shënim për t’u adresuar nga sektorë të ndryshëm të punës në këtë bashki.

Në fund të dialogut me subjektet e biznesit turistik të Sarandës dhe Ksamilit, Gurma përshëndeti edhe disa kontribute të këtyre subjekteve në dobi te një imazhi të ri turistik të Sarandës dhe më tërheqës për këtë rajon .Duke e vleresuar rivlerësimin urban të shëtitores së re, si nje investim madhështor me pritshmeri të mëdha në zhvillimet e afërta turistike, i ftoi  subjektet turistike në vijimin e këtij bashkepunimi.

“T’i  vijojmë së bashku si një skuadër përgatitjet e sezonit të ri me qëllim që te jemi lokomotiva e turizmit në Shqipëri, sepse kështu e çojme Saranden atje ku duhet, në majën e turizmit shqiptar”- tha kryetari i Bashkisë Adrian Gurma.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button