Satira, si anatomi e një tranzicioni pa fund

Satira politike ka qenë historikisht arma më e mprehtë në çaste krizash eksistenciale. Publicistika shqiptare, që nga pamfletet therëse të Faik Konicës dhe satira e Fan Nolit mbi “kolltukofagët” e “pesë anarkitë”, e ka përdorur të qeshurën si bisturi për të nxjerrë në pah kalbësinë e pushtetit. Në këtë traditë vendoset me dinjitet të plotë libri më i ri, PROTESTA, i gazetarit dhe publicistit të njohur Thoma Gellçi. Libri është i ndërtuar si një mozaik dinamik fejtonesh, parodish, pamfleteve dhe eseve filozofike-qytetare.
Autori, i cili prej tri dekadash e ndan përvojën e tij jetësore e profesionale mes Tiranës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vëzhgon shoqërinë shqiptare me një optikë të dyfishtë. Nga njëra anë, qëndron përvoja direkte e njeriut që e njeh thellësisht psikologjinë e tranzicionit shqiptar; nga ana tjetër, vepron distanca kritike e intelektualit që ushqehet prej tri dekadash me traditën kushtetuese amerikane, ku protesta nuk perceptohet si kaos apo anarki, por si neni i parë i qytetarisë dhe garancia themelore e demokracisë.
Objekti qendror i këtij vëllimi është ajo që hyri në historinë publike si “Revolucioni i Flamingove”, lëvizja qytetare mbi 100-ditore që shpërtheu në rrugët e kryeqytetit nga një ngjarje që nisi në brigjet e Zvërnecit e Sazanit. Përmes një gjuhe plot elegancë stilistike, ironi të hollë dhe referenca kulturore e historike, Gellçi nuk mjaftohet me kronikën e ngjarjeve politike, por zbërthen mekanizmin psikologjik, institucional dhe moral të një sistemi politik që tenton ta tjetërsojë qytetarin dhe të normalizojë “banalitetin e së keqes”
Shënjestra kryesore e satires në librin e Thoma Gellçit është kapja e shtetit nga një “duet” i konsoliduar: Partia e Edi Ramës dhe Partia e Sali Berishës. Pas më shumë se tre dekadash akuza reciproke, përplasjesh me molotovë e komisione hetimore, autori vëren me syrin e satirikut se të dyja palët mendojnë e veprojnë njësoj kur vjen puna te ruajtja e monopolit të pushtetit dhe kontrolli i garës politike.
Për të zbërthyer këtë simbiozë, autori ndërton një zanafillë zoologjike të politikës shqiptare, ku dy udhëheqësit kryesorë marrin forma groteske mitike: Palloi i Pushtetit (Edi Rama) është shpendi i oborrit që hap pendët para kamerave për të mbuluar çdo skandal, krizë apo dështim. Përballë pyetjeve për rrogat, spitalet apo inceneratorët, Palloi shpjegon bukurinë e pendëve, integrimin digjital dhe vizionet 3D, ndërsa përsërit formulën: “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.” Në anën tjetër është “Bufi i Kënetës (Sali Berisha): Figura e opozitës tradicionale, e mbyllur në ciklin e rikthimit të përjetshëm. Për Palloin, Bufi është “kafsha ideale” me të cilin tremben “pulat” e kotecit elektoral: “Nëse ikim ne, vjen Bufi!”. Për Bufin, Narkoshteti është alibia e përhershme për të mos hapur partinë dhe për të mos lejuar asnjë figurë të re. (Sado paradoksale “përplasja” mes Palloit dhe Bufit mori vëmendje të konsiderueshme gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2025)
Në këtë ide shtjellohet edhe rokada e sekretarëve të përgjithshëm. Në fejtonin brilant “Ta bëjmë Shqipërinë si Dubai”, autori parodizon marrëveshjen e heshtur mes dy kampeve, ku Flamur Noka transferohet te PS për të sjellë përvojën e protestës tradicionale e molotovit, ndërsa Taulant Balla kalon te PD për të instaluar artin e patronazhistëve dhe punësimeve para zgjedhore.
Përmes analizës së dokumenteve zyrtare si “BESA”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”, Gellçi demonstron sesi pushteti përpiqet ta zëvendësojë shtetin ligjor me ndërmjetësimin e partisë. Në vend që qytetari të marrë certifikatën apo pensionin sipas ligjit dhe afateve administrative, i ofrohet “kujdesi” i kryetarit të organizatës së partisë. Me një ironi të thuktë, autori vëren se kjo nuk është empati, por rifreskim i modelit monist ku administrata profesionalizohet vetëm kur merr lejen nga partia.
Një nga vlerat më të mëdha artistike të librit PROTESTA është aftësia e Thoma Gellçit për të krijuar tipe e arketipa shoqërore që mbeten gjatë në mendjen e lexuesit. Këto personazhe përfaqësojnë sëmundjet kulturore e psikologjike të tranzicionit shqiptar:
Njeriu i Divanit: Qytetari pasiv që ankohet vazhdimisht për çmimet, korrupsionin dhe rrogat e ulëta nga divani i shtëpisë, por refuzon të dalë në shesh sepse “nuk ndryshon gjë në këtë vend”.
Nesti Angoni (numëruesi i statistikave): Zyrtari burokratik që konverton çdo dështim real në sukses statistikore, duke shpjeguar se si ulja e popullsisë është faktikisht rritje e hapësirës për frymëmarrje.
Diella (Ministrja e Inteligjencës Artificiale): Figura satirike e digjitalizimit që zbulon në mënyrë algoritmike se shkaktari kryesor i pakënaqësisë popullore është vetë kryeministri.
Një nga dimensionet më me vlerë filozofike të librit është krahasimi sistematik mes traditës amerikane të reagimit qytetar dhe plogështisë kulturore shqiptare të mbështetur te kulti i udhëheqësit.
Përvoja tri-dekadëshe e Thoma Gellçit në Amerikë sjell shembuj të spikatur të vetëdijes qytetare: nga Rosa Parks në Montgomery (e cila nuk refuzoi të ngrihej nga sedilja sepse ishte e lodhur fizikisht, por sepse “ishte e lodhur duke u dorëzuar”), te grevat e fuqishme sindikale të punëtorëve të makinave në Flint e Detroit (1936–1937), e deri te qytetarët e zakonshëm që qëndrojnë në minus 20 gradë Celsius në Portland apo Minneapolis për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve pa dokumente. Në SHBA, protesta është institucion kushtetues, pjesë e pandashme e Amendamentit të Parë.
Përkundrazi, në Shqipëri, Gëllçi vëren zbatimin e teorisë së filozofit Aaron James mbi ndjenjën e privilegjit (“E di ti kush jam unë?”). Në politikën shqiptare, besnikëria ndaj liderit mbizotëron mbi idetë e parimet. Siç shkruan autori, nëse një politikë e majtë zbatohet nga Rama, socialistët e mbrojnë si arritje; nëse një ide sociale propozohet nga Berisha, demokratët e quajnë parimore.
Libri PROTESTA i Thoma Gellçit më shumë se përmbledhje shkrimesh humoristike apo kronikë e vitit 2026 është një manifest etik dhe qytetar, i paraqitur me mjeshtëri nën petkun e satirës politike. Përmes të qeshurës që shpesh ther e lëndon, autori u kujton lexuesve se liria nuk është një dhuratë e përjetshme nga politikanët, por një detyrë e përditshme që duhet të mbrohet me këmbëngulje e dinjitet.
Thirrja që jehon nga sheshet e Tiranës dhe nga faqet e këtij libri, “ngrihuni nga kafeneja!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, nuk është vetëm një slogan politik. Është refuzimi përfundimtar i zgjedhjes mes “të keqes më të madhe dhe të keqes më të vogël” dhe kërkesa për ndërtimin e një Shqipërie të Re, ku rregullat janë mbi individin, ku para ligjit janë të gjithë të barabartë, ku liderët janë të zëvendësueshëm dhe ku qytetari nuk pranon më të jetë spektator pasiv i fatit të vet.
Libri është një ftesë e hapur për të hyrë në botën e satiristit për të kuptuar se e ardhmja e një vendi nuk përcaktohet nga numri i resorteve, kilometrat e shtruara të rrugëve apo fjalimeve 3D, por nga kuraja e qytetarëve të tij për t’i thënë pushtetit: “Atdheu nuk është në shitje!”




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.