LONDËR- BM liron para kohe 650 tē burgosur
LONDËR, 13 tetor /ATSH – AA/- Rreth 650 të burgosur pritet të lirohen para kohe të martën nga burgjet në Angli dhe Uells në kuadër të fazës së dytë të një skeme qeveritare që synon të trajtojë mbipopullimin në sistemin e burgjeve.
Sipas BBC-së, skema u mundëson të dënuarve që plotësojnë kriteret dhe vuajnë dënime deri në 2 vjet e gjysmë të lirohen pasi të kenë vuajtur një të tretën e dënimit, në vend të gjysmës.
Faza e dytë vjen pas lirimit të rreth 700 të burgosurve më 1 tetor, të cilët po vuanin dënime më pak se 19 muaj.
Qeveria planifikon të lirojë rreth 5.000 të burgosur në disa faza, ndërsa procesi për ata që vuajnë dënime më shumë se 12 vjet do të vazhdojë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Numri i të burgosurve që plotësojnë kriteret u zvogëlua nga vlerësimi fillestar prej 6.000 personash, pasi zyrtarët përjashtuan përdhunuesit dhe autorët e veprave më të rënda seksuale ndaj fëmijëve.
Nga skema përjashtohen gjithashtu personat e dënuar për vrasje pa dashje, si dhe ata që janë dënuar për disa vepra të tjera penale, përfshirë sulmet e pahijshme me natyrë seksuale që përfshijnë anëtarë të grupeve të përfshira në joshjen dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.
Skema ka ngritur shqetësime te grupet që përfaqësojnë viktimat dhe punonjësit e shërbimit të mbikëqyrjes së të dënuarve në komunitet, lidhur me sigurinë publike dhe kapacitetet për të mbikëqyrur të burgosurit pas lirimit.
Alice Russell-Harris, nga organizata bamirëse Refuge, e cila lufton dhunën në familje, i tha BBC-së se lirimi i autorëve të dhunës mund t’i ekspozojë viktimat ndaj rrezikut serioz. Ajo tha se autorët shpesh shkelin kushtet e lirimit, përfshirë mbajtjen e pajisjeve elektronike të gjurmimit dhe ndalimin e hyrjes në zona të caktuara.
Sekretari i përgjithshëm i sindikatës, Ian Lawrence, paralajmëroi se numri i të burgosurve që po lirohen po ushtron presion të konsiderueshëm mbi shërbimin dhe bëri thirrje për burime shtesë.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur qeveria po përgatitet t’i paraqesë Parlamentit planet për reformimin e gjykatave penale, ndërsa punonjësit e shërbimit të mbikëqyrjes së të dënuarve po përgatiten të votojnë në një proces që mund të çojë në grevë për shkak të pagave dhe ngarkesës në punë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.