“Scientific Reports”: Macet i lidhin fjalët me figurat më shpejt se foshnjat
– Macet mund të lidhin shpejt fjalët me objektet ose figurat që ato përfaqësojnë, shumë më shpejt nga sa mendohej më parë, duke treguar një aftësi të veçantë, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports”.
Studimi u krye nga një ekip studiuesish të Departamentit të Shkencës së Kafshëve dhe Bioteknologjisë në Universitetin Azabu, në Japoni, nën drejtimin e shkencëtares Saho Takagi.
Në kërkim morën pjesë 31 mace të rritura, 20 meshkuj dhe 11 femra.
Studiuesit përdorën një test të njohur si “testi i ndërrimit”, i përdorur më parë edhe në studimet mbi foshnjat njerëzore.
Macet shihnin në ekran dy imazhe të ndryshme, ndërsa dëgjonin fjalë të shpikura pa kuptim.
Njëra fjalë, për shembull, shoqërohej gjithmonë me një figurë dhe fjala tjetër me një figurë tjetër.
Pas disa përsëritjeve, studiuesit ndryshuan çiftimet, fjalën e parë e vendosën me figurën e dytë dhe anasjelltas.
Macet që kishin krijuar një lidhje mes tingullit dhe figurës reaguan duke parë ekranin për më gjatë, çka sugjeronte se kishin vënë re mospërputhjen.
Një nga rezultatet më interesante ishte shpejtësia e krijimit të këtyre lidhjeve.
Shumica e maceve u mësuan me çiftimin pas vetëm katër provash, që nënkupton rreth 9 sekonda ekspozim për dy çiftimet fjalë–figurë.
Studiuesit e krahasojnë këtë me një studim të mëparshëm te foshnjat 14-muajshe, të cilat kishin nevojë për të paktën katër prova nga 20 sekonda për një çiftim fjalë–objekt.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se macet e kanë gjuhën më të zhvilluar se fëmijët.
Eksperimenti mat një aftësi specifike – krijimin e shpejtë të një lidhjeje mes një tingulli dhe një imazhi – dhe jo aftësinë për të kuptuar apo përdorur gjuhën në tërësi.
Studiuesit zhvilluan edhe një eksperiment të dytë, ku në vend të zërit njerëzor përdorën tinguj elektronikë.
Në këtë rast, dallimi mes çiftimeve të ndryshuara dhe atyre të pandryshuara nuk ishte statistikisht i rëndësishëm.
Kjo sugjeron se zëri njerëzor mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm, për mënyrën se si macet krijojnë këto lidhje, megjithëse rezultatet e përgjithshme treguan aftësinë e tyre për të krijuar lidhje edhe me tinguj të tjerë.
Autorët theksojnë se mbetet e paqartë nëse kjo aftësi është rezultat i evolucionit, i zbutjes së maceve apo i bashkëjetesës së gjatë me njerëzit.
Gjithashtu, eksperimenti nuk tregon nëse këto lidhje ruhen për një kohë të gjatë në kujtesë.
Për këtë arsye, studiuesit kërkojnë eksperimente të mëtejshme që të përcaktojnë nëse macet mund të krijojnë dhe të ruajnë një “fjalor” më të qëndrueshëm. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.