Seitaj- Anullohet procedura e dhënies me koncension për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njoftoi të martën dështimin e negociatave me kompanitë ofertuese për të marrë me koncension ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Kombit për shkak se ofertat ishin kundër interesit publik.
Përmes një deklarate për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Transportit, Eduart Seitaj deklaroi se komisioni i vlerësimit të ofertave i përbërë nga MTI, MZHETS dhe ARRSH dhe i asistuar nga Banka Botërore, përmes IFC-së vlerësoi se ofertat e paraqitura nga dy kompanitë bien ndesh me interesin publik, pasi janë dy herë më të larta se sa pritshmëritë e komisionit dhe BB-së.
“Ofertat ekonomike u paraqitën në datë 29 tetor të këtij viti dhe në datën 2 nëntor u hapën në prani të ofertuesve dhe konsulentit IFC. Pas hapjes së ofertave financiare, Komisioni bazuar edhe në sugjerimin e IFC vendosi se ofertat financiare të paraqitura bien ndesh me interesin publik, pasi janë dy herë më të larta se sa pritshmëritë e komisionit dhe BB-së”, deklaroi Seitaj.
Të gjendur në këto kushte bazuar edhe në sugjerimin e BB-së, vijoi Seitaj, komisioni vendosi ti refuzojë duke i trajtuar si të pavlefshme dhe të anullojë procedurën e shpallur.
Sipas tij, aktualisht po diskutohet nëse do të ndjekim të njëjtën procedurë apo do të zgjidhim një model tjetër për tërheqjen e investimeve private në këtë vepër shumë të rëndësishme.
ARRSH, informoi Seitaj, është e autorizuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugës, pasi sezoni dimëror ka nisur tashme.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ngritur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës administroi në 29 tetor ofertat e kompanive të interesuara për të marrë koncesionin ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Në këtë garë paraqitën ofertat 2 kompani, “China Construction Commucination Company” L.T.D dhe “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret L.T.D & Salillari”.
Ndërsa dy kompanitë e tjera konsorciumi “Aktor Concessions S.A Egis Projects” dhe kompania “Geg Terna-Terna S.A” nuk paraqitën ofertat. Kompanisë fituese do të duhej të përfundonte disa vepra të rëndësishme dhe të domosdoshme për këtë rrugë, që është e papërfunduar akoma. Koncesionari do të duhet të ndërtonte urën e re të Kukësit, si dhe rehabilitimin e skarpateve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu edhe tunelin në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës përfshirë sinjalistikën dhe ndriçimin e kryeqëzimeve.
Sipas Seitajt, kompania “China Construction Commucination Company” L.T.D parashikonte 10.4 milion euro subvencion, ndërsa “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret L.T.D & Salillari” 12.3 milionë euro.
Autostrada Durrës-Kukës-Morinë nisi ndërtimin në vitin 2003 kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë dhe u hap në qershor të vitit 2009. Kjo autostradë e lidh Durrësin dhe Shëngjinin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë.
Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe shpejtësi 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese 180 kilometërshe që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që të mund të kalohet për vetëm 2,5 orë.
Autostrada Durrës-Kukës-Morinë eshtë rrugë që lidh kombin dhe i shërben rajonit, pasi është aks i rëndësishëm që na lidh me Ballkanin Lindor, por edhe me Europën Qendrore dhe Lindore.