Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri në Tiranë
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry mbërriti në Tiranë në orën 9.45 minuta. Mbi tapetin e kuq të shtruar në shkallët e avionit të tij, ai u prit nga presidenti Bujar Nishani, një gjest i konsideruar i pazakontë nga pikëpamja protokollare. Sekretari amerikan u ndal për pak minuta në këmbë me zotin Nishani. Sipas zyrës së Kreut shqiptar të Shtetit, “presidenti Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike. Presidenti Nishani – vijon më tej komunikata – u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin. Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama”, përfundon komunikata e shtypit e zyrës së presidentit Nishani.
Menjëherë nga aeroporti, sekretari Kerry u nis drejt qendrës së kryeqytetit. Në godinën e qeverisë, ai ka patur një takim të parë me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, dhe më pas ka vijuar me kryeministrin Edi Rama. Të dy do të kenë një konferencë për shtyp, ndërsa më pas sekretari Kerry do të takojë kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Qëndrimi në Tiranë pritet të mbyllet me një bashkëbisedim të sekretarit amerikan të Shtetit me një grup të rinjsh shqiptarë.
Ndër temat kryesore të takimeve zyrtare parashikohen ato që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Vitin e kaluar Shqipëria nënshkroi dhe dokumentin e Partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni është një mbështetës i fortë i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe kjo pritet të jetë një tjetër temë diskutimi, me fokus reformën në Drejtësi, për të cilën amerikanët kanë luajtur një rol të dorës së parë. Palët pritet të diskutojnë dhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit dhe zhvillimet e fundit, vecanërisht në Kosovë si dhe problemin e krizës së refugjatëve.
Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një partner strategjik. Në vitin 2012, gjatë vizitës së atëhershme të sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, qeveria e ish kryeministrit Berisha ju përgjigj pozitivisht kërkesës për strehimin e 210 muxhahedinëve, përfaqësuesë të opozitës iraniane, të cilët gjendeshin në Irak. Grupi i parë prej 14 vetësh mbërriti në Tiranë në majin e 2013. Nga ana e saj edhe qeveria e kryeministrit Edi Rama ju përmbajt angazhimit të parardhësit. Zoti Rama e pohoi vetë këtë gjatë ndërhyrjes në parlament një ditë më parë kur u shpreh se “është vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë për arsye që s’ka nevojë t’i shtjellojmë këtu”, deklaroi kryeministri.
Në fakt, grupe të tjera muxhahedinësh kanë vijuar të strehohen në Shqipëri. Një pjesë e tyre e kanë lënë më pas vendin, por janë disa qindra që gjenden ende në territorin shqiptar, dhe nën kujdesin e autoriteteve, të cilat janë të gatshme të presin edhe grupe të tjera, ndoshta me një numër më të madh nga ai i këtyre viteve të fundit.
Zoti Kerry, është sekretari i pestë i Shtetit i cili viziton Shqipërinë. E para vizitë, është ajo e vitit 1991 e sekretarit James Baker, për t’u pasuar 9 vjet më vonë nga Madeleine Albright. Në vitin 2013 do të jetë radha e Colin Paëell, ndërsa 9 vite të tjera më vonë Tiranën e vizitoi zonja Clinton.
Për të garantuar vizitën e Sekretarit Kerry janë marrë masa të rrepta sigurie. Policia njoftoi se “janë angazhuar 1548 punonjës policie nga strukturat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të rendit publik, Antiterrorit, Policisë Rrugore , të Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Po kështu për kontrollin nga ajri është angazhuar një helikopter i Forcave të Armatosura me një grup të Forcave Speciale të Ushtrisë”.
Pas takimit me presidentin, Sekretari amerikan i Shtetit është nisur drejt Kryeministrisë, ku ka takuar homologun shqiptar, Ditmir Bushati.
Menjëherë pas përfundimit të takimit me ministrin e Jashtëm, Kerri është pritur nga kryeministri Rama, me të cilin do të mbajë pak minuta më vonë një konferencë të përbashkët për media.
Shefi i diplomacisë amerikane do të niset më vonë drejt një hoteli pranë Kryeministrisë, ku do të takojë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe eksponentë të opozitës.
Takimi i fundit i Kerrit në Tiranë do të bëhet me përfaqësues të shoqërisë civile, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. E gjithë vizita e kryediplomatit amerikan në vendin tonë pritet të zgjasë jo më shumë se 4 orë.