Selanik: pazari bamirës i Krishtlindjeve i Shoqatës Ndërkombëtare të Grave të Greqisë, të dielën në Panorama
Të ardhurat e pazarit tetëorësh të IWOG-ut, shoqatë e themeluar në vitin 1948, do të shkojnë për azile pleqsh, spitale psikiatrike, institucione dhe familje të Selanikut
Ato janë të palodhura prej vitesh dhe edhe këtë vit kthehen me Pazarin e tyre tradicional Bamirës të Krishtlindjeve. Siç njofton gazeta greke Efsyn, Shoqata Ndërkombëtare e Grave të Greqisë (International Women’s Organization of Greece, IWOG), e themeluar në vitin e largët 1948, organizon pazarin e saj tetëorësh këtë të diel, 29 nëntor, në sallën “Litsa Fokidi” të Bashkisë së re të Panoramës në Selanik, nga ora 10:30 deri në 17:00.
Siç thotë për Efsyn kryetarja e IWOG-ut, Krista Anemoudi-Arzoglou, “vizitorët tanë do të kenë mundësinë të shijojnë ëmbëlsirat e bëra në shtëpi dhe të bëjnë blerjet e tyre për festat, duke zgjedhur dhurata të mrekullueshme e origjinale nga një larmi e madhe ekspozimesh të punuara me dorë: bizhuteri, qeramikë, bimë aromatike, kozmetikë dhe libra të dorës së dytë”.
I pasur është edhe programi artistik: Filarmonia e Bashkisë Pilea-Hortiatis, grupi i valleve i Shoqatës së Greveniotëve të Selanikut, Kori i Fëmijëve i Shkollës Fillore të Shkollës Amerikane Bujqësore, “Kroustofono” dhe Grupi i Valleve Tradicionale i Arisit të Selanikut. Veçanërisht për fëmijët do të ketë shumë surpriza: ata do të angazhohen në mënyrë krijuese duke bërë punime dore me Mimi Manousou (10:30–13:30), do të luajnë lojëra ushqimore dhe do të dëgjojnë rrëfime ndërvepruese përrallash nga Christina Kritikou (12:00–13:00), ndërsa Dimitra Bilali me pikturimin e fytyrës do të entuziazmojë vajza e djem.
Hyrja e përgjithshme është 1 euro, ndërsa për fëmijët nën 5 vjeç hyrja është falas. Të gjitha të ardhurat e aktivitetit do të destinohen për azile pleqsh, spitale psikiatrike, institucione dhe familje të Selanikut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.