Senati amerikan pritet të votojë para 13 dhjetorit për paktin bërthamor të Trump-it me Arabinë Saudite
Senati i Shteteve të Bashkuara pritet të mbajë votim para datës 13 dhjetor për paktin e administratës Trump për ndarjen e teknologjisë së energjisë bërthamore me Arabinë Saudite, njoftuan të premten senatorë demokratë, sipas Reuters.
Senatori Jeff Merkley, demokrat i Oregonit, tha se punoi së bashku me katër kolegë të tjerë demokratë për të siguruar votimin në dhomën e lartë të Kongresit, të cilin ai e cilësoi si një mundësi që Senati të përmbushë detyrën e tij ligjore për të shqyrtuar me kujdes pasojat e marrëveshjes.
«Senati tani do të ketë një shans për të përmbushur përgjegjësinë e tij statutore për të studiuar dhe për të shprehur mendimin e tij mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në nxitjen e një gare armatimi bërthamor në Lindjen e Mesme dhe në minimin e përpjekjeve për mos-përhapjen bërthamore në mbarë botën», tha Merkley.
Bëhet fjalë për një pakt bashkëpunimi bërthamor civil (të ashtuquajturin «Marrëveshje 123»), përmes të cilit Shtetet e Bashkuara do t’i shisnin Arabisë Saudite teknologji për prodhimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Demokratët kanë ngritur shqetësime se marrëveshja mund të hapë rrugën për përhapjen e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, një rajon tashmë të trazuar nga rivalitetet gjeopolitike.
Administrata Trump e sheh paktin si një marrëveshje strategjike energjetike dhe ekonomike me Riadin, ndërsa kritikët kërkojnë garanci të forta se materiali dhe teknologjia bërthamore nuk do të përdoren për qëllime ushtarake. Votimi i pritshëm në Senat do të jetë testi i parë i madh legjislativ i kësaj marrëveshjeje kontroverse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.