Opinion

Si mund të na ndihmojnë më shumë miqtë ndërkombëtarë?

Nga Xhevat Mustafa

Na takon të ndiejmë e shprehim mirënjohje me bindje e zemër se miqtë ndërkombëtarë, në radhë të parë, SHBA dhe vendet perëndimore të BE-së, na kanë ndihmuar shumë gjatë këtyre rreth 25 viteve të paskomunizmit ose të demokracisë. Mbështetja dhe ndihma e tyre ka qenë e gjithanshme dhe konkrete: politike, ekonomiko-financiare, ushtarake, infrastrukturore, komunale, arsimore e shëndetësore, në formën e asistencës, të specializimeve dhe të përvojës… Frytet e kësaj mbështetjeje të shumanshme janë të prekshme, të dukshme e të pamohueshme. Të paktën nga pamja dhe nga disa tregues e shifra të zhvillimit absolut Shqipëria e sotme nuk mund të krahasohet me atë të fundit të vitit 1990, ka ecur përpara, edhe pse, siç shkruan publicisti i njohur, Jaime Pozuelo-Monfort, në analizën e tij “Drama shqiptare” (The Drama of Albania), botuar më 4 dhjetor 2015 në “Huffington Post”, ecja e saj është kryer “mes kaosit, korrupsionit, eksperimenteve, reformave të improvizuara e disi të rrëmujshme, shpesh të nxitura dhe imponuara nga agjencitë ndërkombëtare dhe donatorët”.

Shumëkush prej qytetarëve shqiptarë dhe miqve ndërkombëtarë ka informacion të bollshëm se një pjesë e mirë e këtyre ndihmave nuk ka shkuar në buxhetin dhe magazinat e shtetit, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por ka rënë në xhepat e pushtetarëve, familjarëve, ortakëve, bashkëpunëtorëve dhe klientëve të tyre, duke u shndërruar prej tyre në pallate shumëkatëshe, komplekse turistike, kompani biznesesh, saraje personale. Edhe prej këtyre ndihmave, qindra politikanë dhe pushtetarë, si dhe njerëz të afërm, me lidhje gjaku apo pisllëqesh me ta, kanë arritur të bëhen brenda pak vitesh me prona, pasuri dhe depozita bankare sheikësh. Në të njëjtën kohë dhe republikë, paradoksalisht dhe padrejtësisht, shumica e qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm, kanë mbetur dhe mbijetojnë me paga, pensione dhe ndihmë sociale, në nivelin e 1-5 ditëve punë për qytetarët zviceranë, amerikanë, austriakë, britanikë, gjermanë, suedezë, danezë, holandezë, irlandezë…?! Paradoksi dhe padrejtësia bëhen mal kur përditë ka pasur dhe ka skena dhe fakte kur “piranjat” me poste të larta shtetërore, qeveritare, partiake, administrative, juridike i gllabërojnë me pashpirtësi, pangopshmëri e pandëshkueshmëri resurset dhe pasuritë e shumta të vendit, si dhe ndihmat e mëdha nga bota mike, duke e varfëruar vendin deri në këtë ditë ose limit, kur shumica e qytetarëve të ndihen të varfër e të pasigurt për të nesërmen, thuajse njësoj si rreth 25 vjet më parë, në dhjetor 1990.

Në mes të një realiteti të tillë është e pritshme dhe e kuptueshme që plot qytetarë shqiptarë të ndihen aq të varfëruar, të zhgënjyer e të depresuar sa t’u duket se ishin më mirë në kohën e ferrit enverian të 25 viteve më parë, se ky vend nuk di dhe nuk do t’i mbajë fëmijët e vet dhe prandaj u lë si shteg shpëtimi braktisjen e tij dhe emigracionin me çdo rrugë, faturë, rrezik e perspektivë.

Shprehur me shifra apo më konkretisht, 140 deputetët në Parlament; rreth 80 ministrat, zëvendësministrat, sekretarët dhe drejtorët e përgjithshëm, 800 gjyqtarët dhe prokurorët, i shohin dhe sodisin gjëmat, plagët dhe tmerret e sistemit ose të modelit të tyre, të dështuar pa filluar mirë, por nuk i përjetojnë, sepse për ata Shqipëria është parajsë, ku mund të rrëmbejnë dhe gëzojnë gjithçka, pa u hyrë gjemb ligjor në duar e këmbë. Prandaj, nuk ndiejnë asnjë pikë përgjegjësie dhe detyrimi t’u kundërvihen konkretisht dhe seriozisht të këqijave të sistemit dhe të mendojnë për një model, ku demokracia dhe ekonomia e tregut të funksionojnë pak më mirë e pak më ndershmërisht, edhe për shumicën e qytetarëve, përmbytur nga varfëria, padrejtësia, korrupsioni, mediokriteti i diploma-blerësve.

Prandaj, gjykoj se ka ardhur koha që t’i lutemi botës me një kërkesë krejt tjetër. Duhet të heqim dorë nga kërkesat urgjente që miqtë ndërkombëtarë të na ndihmojnë në procesin e integrimit në BE, financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht. Nëse na duan, siç na kanë dashur deri tani, dhe, nëse dëshirojnë të na ndihmojnë shumë më tepër, do t’u ishim përjetësisht mirënjohës duke na shpëtuar njëherë e mirë dhe brenda një kohe sa më të shpejtë nga klasa politike, qeverisëse dhe juridike që ka mbretëruar në Shqipëri gjatë këtyre rreth 25 viteve të paskomunizmit. Kjo është shumë më prioritare dhe më urgjente. Pa dyshim, kjo është edhe në të mirën e vetë miqve tanë të shumtë në botë. Kështu do t’u hapej rruga djemve dhe vajzave që janë diplomuar, që kanë kryer doktoratura dhe master në universitete prestigjioze nëpër botë, që kanë doza të pandjeshme komunistifikimi dhe partishmërie, që nuk kanë shtrënguar asnjëherë duart me politikanët dhe qeveritarët e Gardës ose shkollës enveriane ose ramiziane. Gjithashtu, do të ishte mirë që të mos humbej kohë edhe me eksperimentimin e disa “zogjve” të dalë nga inkubatorët FRESSH, FRPD, LRI, sepse edhe shumica e figurave të tyre kanë marrë me bollëk “viruse” nga shefat dhe drejtuesit e tjerë të partive mëmë.

Pra, unë nuk jam i një mendimi me Sali Berishën, i cili më 3 dhjetor 2015 u bëri thirrje bizneseve, “që nuk duan të jenë të klientelës të ikin nga Shqipëria”, që të mos futen në burgje për ligje, sipas tij të tipit “stalinist”. Përkundrazi, bizneset shqiptare duhet të qëndrojnë dhe fuqizohen këtu, duke u mbështetur gjithnjë e më fort te paratë e ardhura nga puna dhe djersa e ndershme dhe duke luftuar gjithnjë e më tepër, së bashku me shumicën e qytetarëve, për t’i bërë sa më të efektshme dhe mbështetëse demokracinë, ekonominë e tregut, qeverisjet. Njëkohësisht, duhet të vijnë edhe shumëfish më tepër biznese të huaja, duke luftuar të dy palët demokratikisht kundër korrupsionit të shtrirë sa gjerë e gjatë e të plotfuqishëm, derisa të demokratizohen në standardet më të përparuara edhe ligjet, edhe jeta ekonomiko-tregtare e sociale shqiptare. Pra, personalisht ose subjektivisht, jam i mendimit se ka ardhur koha që të largohen bosët politikë e qeverisës, që janë lakuriqësuar si “investime” dhe“biznese” të pista ose edhe antikombëtare, që ua kanë bërë shumicës së shqiptarëve ferr këtë parajsë tokësore, deri aty sa të shohin si rrugë shpëtimi dhe mbijetese largimin masiv drejt Gjermanisë, SHBA-së dhe disa vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Shumëkujt mund t’i duket tejet subjektive dhe radikale, absurde e groteske alternativa ose kërkesa për largimin nga Shqipëria të lidershipëve dhe ekipeve politike, partiake, qeverisëse, të drejtësisë, prokurorisë… Apo ta kuptojnë dhe interpretojnë, ashtu siç është në të vërtetë, thjesht një trill ose dëshirë për humor e shaka në kohë krize. Duke vazhduar idenë, miqtë ndërkombëtarë që mund ta marrin seriozisht mund të pyesin: mirë, po e pranojmë t’i marrim. Po ku t’i çojmë politikanët, qeveritarët dhe gjyqtarët e prokurorët tuaj, që u janë bërë të padurueshëm e të padëshirueshëm? Do të kemi probleme si me gjetjen e vendit ku mund t’i dërgojmë dhe me bashkëjetesën paqësore të tyre me vendasit, ashtu edhe me nivelin e lartë të ndotjes korruptive që mbartin. Me të drejtë ata mund të na pyesin: ç’të mirë mund të presim ne prej atyre që ua nxinë jetën bashkëkombësve të tyre?

Dihet se bota është e madhe dhe e pafund. Me pasuritë përrallore që kanë fituar në poste e detyra bosët e politikës, të administratës dhe të drejtësisë shqiptarë, bashkë me familjarët më të afërt, ortakët, klientët, kukullat ose manekinët e tyre, mund të ndërtojnë e blejnë saraje sheikësh dhe kompani apo korporata biznesesh në çdo cep të SHBA-së, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re; edhe në xhunglat e Brazilit dhe Argjentinës, edhe në zemrat e shkretëtirave afrikane dhe aziatike; edhe në ishujt e panumërt të oqeaneve Paqësor, Atlantik, Indian…Disa prej tyre mund të blejnë toka të pamasa e popuj të tërë, që mund t’i pranojnë e durojnë. E rëndësishme është të shpëtojnë Shqipëria dhe shqiptarët nga babëzia dhe pangopshmëria e tyre për pasurim sa më të madh vetjak, familjar, klanor, klientelist, nga epoka e tyre e pakontrollueshmërisë dhe pandëshkueshmërisë ligjore.

Miq të tjerë mund të këshillojnë: Largojini demokratikisht, me votë! Edhe kjo është një rrugë e gjerë dhe shumë e rrahur në botën e vërtetë demokratike, por që deri më sot është dëshmuar jo e efektshme dhe e suksesshme në Shqipëri. Bosët e politikës dhe të qeverisjeve dhe gjeneralët e ushtrive të tyre nuk do të kursehen dhe nuk do të varfërohen duke vazhduar zanatin e vjetër, të blejnë sa u duhen vota, numërues, kontrollues dhe legalizues votash, fitoresh, mandatesh, kartonësh, kolltukësh etj.

Të tjerë ndërkombëtarë mund të na kujtojnë se ekziston edhe rruga ligjore, e arrestimeve dhe dënimeve, sipas fakteve dhe veprave të kryera, të bollshme e të pambulueshme me gjethet e gjithë drurëve dhe pemëve të Shqipërisë e jo më me ca gjethe fiku. Edhe në Shqipëri, në Kushtetutë e në muret ballore të sallave të gjykatave shkruhet se “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Por, të dashur dhe të nderuar miq nga bota, besojmë se edhe ju e dini shumë mirë përderisa na e keni kujtuar disa herë, ky parim themelor i shumicës së demokracive reale nuk vepron dhe shprehet në jetën e përditshme në Shqipëri, kur është fjala për politikanë, qeveritarë dhe zyrtarë të lartë e përgjithësisht për gjyqtarë e prokurorë. Atëherë çfarë na mbetet të bëjmë? Të presim me sytë nga qielli, nga Uashingtoni, Brukseli, Strasburgu, Berlini apo nga Venecia, me shpresën se miqtë ndërkombëtarë do të na ndihmojnë të bëjmë një kushtetutë të standardeve më të mira, me efekt të lartë dhe barazi të vërtetë para ligjit. Gjithashtu, edhe që të gjejmë nja 800 gjyqtarë e prokurorë të rinj, që nuk tremben dhe blihen nga “Zeusët” e politikës e të shtetit, të qeverive dhe të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Tani për tani, të dyja duken më afër ëndrrës sesa mundësisë së shpejtë. Apo jo?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button