Politika

Sesioni i OKB-së/ Bushati, takime dypalëshe për nxitjen e investimeve të huaja

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork për të marrë pjesë në Punimet e Sesionit të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi takime me kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat dhe me homologët e Indonezisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë.

Gjatë takimit me kryeministrin e Maltës, Muscat, ministri Bushati vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për intensifikimin e dialogut politik përmes shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Malta ka dhënë ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian të saj.

Ministri Bushati dhe kreu i qeverisë së Maltës, Muscat u ndalën në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, veçanërisht në sektorin e energjetikës dhe turizmit, ku Kryeministri i Maltës shprehu vëmendjen e veçantë të vendit të tij për të zgjeruar praninë e investimeve malteze në Shqipëri.

Kryeministri Muscat shprehu mbështetjen e Maltës ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe ofroi ekspertizën e vendit të tij në rritjen e kapaciteteve administrative të nevojshme për procesin e integrimit evropian.

Gjatë këtij takimi palët gjithashtu diskutuan mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, si kriza e valës së emigrantëve me të cilën përballet sot Mesdheu, sfidat ndaj sigurisë dhe bashkëpunimi shumëpalësh.

Ndërsa në takimin me Ministren e Punëve të Jashtme të Indonezisë, Retno Lestari Priansari Marsudi, palët konfirmuan nivelin pozitiv të marrëdhënieve dhe gatishmërinë për t’i avancuar ato me tej. Dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet më të fundit, intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes.

Ministri Bushati i kërkoi homologes Marsudi që vendi i saj të njohë shtetin e pavarur të Kosovës, si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar.

Në përfundim të takimit, dy ministrat nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Indonezisë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, si dhe memorandumin e mirëkuptimit mes dy ministrive për konsultimet diplomatike dypalëshe.

Gjatë takimit me homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik Abdullah bin Zajed al Nahjan, dy ministrat vlerësuan zhvillimin e suksesshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me theks në projektet e bashkëpunimit ekonomik.

Të dy homologët ndanë pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit në organizmat ndërkombëtare dhe u ndalën në zhvillimet më të fundit ndërkombëtare e rajonale, duke shprehur nevojën për bashkërendim të kontributeve në përballimin e sfidave që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen.

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë Nasser Judeh, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit mes dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, të demonstruar së fundmi dhe në organizimin e takimit të nivelit të lartë me temë “Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”.

Në fund të takimit, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button