Sevasti Qiriazi, nismëtarja e edukimit të vajzave dhe grave shqiptare
Më 30 gusht të vitit 1949 u nda nga jeta Sevasti Qiriazi Dako, arsimtarja, atdhetarja, nismëtarja e edukimit të vajzave dhe grave shqiptare.
Ajo lindi më 24 shkurt 1871 në Manastir dhe njihet si një nga nismëtaret më të hershme të organizimit të arsimit kombëtar për vajza e gra dhe e emancipimit shoqëror në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, ajo pati mundësinë të studionte në American College for Girls (Kolegji Amerikan për Vajza në Kostandinopojë), duke u bërë gruaja e parë shqiptare që diplomohej në këtë institucion amerikan në qershor të vitit 1891. Pas kthimit në atdhe, ajo iu përkushtua themelimit dhe drejtimit të Shkollës së Vashave në Korçë, e hapur në vitin 1891, e cila u shndërrua në vatër të rëndësishme të edukimit dhe përgatitjes së personaliteteve të ardhshme të çështjes kombëtare. Motrat Qiriazi u shquan si mësueset dhe edukatorete para të kësaj shkolle.
Kontributi i Sevasti Qiriazit shtrihet gjithashtu në fushën e botimeve shkollore dhe publicistikës. Ajo është autore e “Gramatikës elementare për shkollat fillore” (Manastir, 1912) dhe ka redaktuar një varg tekstesh shkollore. Së bashku me bashkëshortin e saj, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Dako (1878–1941), dhe motrën e saj, Parashqevi Qiriazi, ajo emigroi në Rumani e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku bashkëpunoi ngushtë në botimin e revistës dyjavore “Yll’ i Mëngjesit”.
Ajo mori pjesë aktive në Kongresin e Elbasanit dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Gjatë veprimtarisë së saj në diasporë, si kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, ajo mbrojti me vendosmëri të drejtat dhe çështjen kombëtare të shqiptarëve në forume të ndryshme ndërkombëtare.
Sevasti Qiriazi mbetet një figurë emblematike e historisë kombëtare, e cila i fali jetën dhe dijen e saj përparimit të arsimit dhe arsimimit të gruas shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.