Sezoni veror, kufizohet qarkullimi për mjetet e rënda, policia njofton datat dhe oraret e përcaktuara
Policia e Shtetit ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të përkohshme për qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë sezonit veror 2026 dhe ditëve të festave zyrtare. Sipas njoftimi masat, që do të zbatohen nga 19 qershori deri më 15 shtator, synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në akset me fluks të lartë, veçanërisht në zonat turistike dhe bregdetare.
Kufizimet prekin mjetet e transportit të mallrave mbi 7.5 tonë dhe do të aplikohen në orare të përcaktuara gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.
Njoftimi i plotë:
Njoftojmë qytetarët dhe subjektet e transportit rrugor të mallrave se, në zbatim të udhëzimit të përbashkët nr. 106, datë 14.06.2024, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë sezonit veror 2026 dhe gjatë ditëve të festave zyrtare, do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e rrjedhshmërisë së trafikut në akset me fluks të shtuar lëvizjeje.
Këto kufizime zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim, në autostrada, si dhe në rrugë interurbane dhe urbane (kryesisht në segmentet që përshkojnë zonat turistike).
Periudha e zbatimit është nga data 19 qershor deri më 15 shtator dhe përfshin fundjavat dhe ditët e festave zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe, kufizimet e qarkullimit aplikohen sipas këtyre orareve:
-në ditën e premte nga ora 15:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e shtunë, nga ora 07:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e diel, nga ora 07:00 deri në orën 24:00.
Për ditët e festave zyrtare, kufizimet fillojnë nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe vijojnë nga ora 07:00 deri në orën 24:00 të ditës së festës.
Masat kufizuese shtrihen në autostrada, në rrugët interurbane dhe në akse të tjera që lidhin zonat bregdetare dhe turistike, të cilat gjatë sezonit veror kanë flukse të larta qarkullimi.
Nga këto kufizime përjashtohen mjetet e emergjencës, mjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet e transportit të mallrave të domosdoshme (përfshirë produktet ushqimore që prishen), në përputhje me përcaktimet e detajuara në udhëzim.
Në raste të veçanta, për furnizime kritike apo nevoja emergjente, mund të jepen autorizime të posaçme nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit apelon për zbatim të rreptë të këtyre masave nga të gjithë operatorët e transportit dhe drejtuesit e mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, shmangien e mbingarkesës së trafikut dhe garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.