Sharanoviq propozon: votimi vetëm me letërnjoftim të vlefshëm ose pasaportë
Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq, do t'i dërgojë Komisionit parlamentar për reformën e gjithanshme zgjedhore dhe deputetëve propozimin që votuesi ta vërtetojë identitetin në vendvotim vetëm me letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme. Mbi 40 mijë qytetarë nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm.
Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq, do t’i dërgojë Komisionit parlamentar për reformën e gjithanshme zgjedhore dhe deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi propozimin që votuesi ta vërtetojë identitetin në vendvotim vetëm me letërnjoftim të vlefshëm ose me pasaportë të vlefshme, siç njofton RTCG.
Sipas tij, qëllimi është vendosja e integritetit absolut të proceseve të ardhshme zgjedhore në Mal të Zi. “Nuk ka integritet nëse regjistri i votuesve nuk është i saktë dhe ligjet nuk e garantojnë atë”, theksoi Sharanoviq, duke kujtuar se më shumë se 40 mijë qytetarë nuk kanë letërnjoftim të vlefshëm, mes tyre mbi 13 mijë që nuk kanë nxjerrë letërnjoftim që nga viti 2008.
Ministri vuri në dukje se, sipas udhëzimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, praktika e deritanishme lejonte votimin në vendvotim edhe me dokumente të pavlefshme. “Kjo duhet të ndryshojë”, tha ai, duke shpjeguar se pikërisht për këtë arsye vendosi t’i paraqesë propozimin për ndryshimin e ligjit.
Ai shtoi se tashmë janë ndërmarrë nisma për pastrimin e regjistrit të votuesve dhe për rregullimin e procedurave në vendvotim, ndërsa ky propozim është hapi i radhës. “Besimi në zgjedhje nis para se fleta e parë e votimit të hyjë në kuti — me një regjistër të rregullt votuesish dhe me rregulla që zbatohen njësoj për çdo votues, në çdo vendvotim”, u shpreh ministri.
Sharanoviq shprehu shpresën se heshtja e Kuvendit për reformën zgjedhore do të marrë fund dhe se deputetët do t’i zgjidhin së bashku problemet e regjistrit të votuesve dhe të procedurave në vendvotim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.