Presidenti amerikan, Joe Biden do t’i kërkojë sot qeverisë së tij të lehtësojë natyralizimin e nëntë milionë migrantëve të ligjshëm për shtetësinë amerikane, në kuadër të një serie masash të destinuara për t’iu rikthyer traditës së vendit.
“Presidenti demokrat do të urdhërojë gjithashtu një rishikim të të gjitha pengesave për imigracionin legal dhe integrimin, paraqitur nga paraardhësi i tij Donald Trump, gjë që do të çonte në ndryshime rrënjësore të politikës radikale”, theksuan zyrtarë të lartë të qeverisë.
“Strategjia e tij është e bazuar në postulatin bazë që vendi ynë është më i sigurtë, më i fortë dhe më me prosperitet me një sistem migrator të shëndetshëm, racional dhe njerëzor”, theksuan ata në një konferencë shtypi, para nënshkrimit të tre dekreteve presidenciale.
Konform premtimeve të fushatës, një prej tyre bazohet në krijimin e një grupi pune, të ngarkaur me bashkimin e familjeve të migrantëve të ndarë si pasojë e politikës “tolerancë zero” në kufi, miratuar nga administrata Trump në 2018.
Përballë protestës, qeveria republikane kishte hequr dorë, por qindra fëmijë nuk i gjetën kurrë prindërit e tyre.
“Detyra e këtij grupi pune do të jetë identifikimi i tyre dhe propozimi i zgjidhjeve për ribashkimin e familjeve, në përputhje me dëshirat e tyre dhe situatat e tyre”, specifikuan zyrtarët e lartë pa thënë nëse kjo mund të përfshijë rikthimin në tokën amerikane të prindërve apo fëmijëve të dëbuar.