SHBA – DASH sanksione gjithëpërfshirëse ndaj ICC-së
UASHINGTON, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), njoftoi sot Departamenti i Shtetit.
“Masat do të ndalojnë transaksionet me gjykatën me seli në Hagë, do t’i ndërpresin burimet financiare dhe do ta kufizojnë rëndë aftësinë e saj për të funksionuar”, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga Departamenti i Shtetit.
“Presidenti Trump nuk do të lejojë kurrë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht shtetasit amerikanë”, shton deklarata, ku GJPN-ja cilësohet si një “gjykatë që vepron jashtë kontrollit”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i janë bashkuar asnjëherë ICC-së dhe nuk e njohin juridiksionin e saj mbi shtetasit, personelin ushtarak dhe drejtuesit politikë amerikanë.
Më parë, Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë të kësaj gjykate, e cila ndjek penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Departamenti i Shtetit deklaroi se kishte shtyrë vendosjen e sanksioneve ndaj vetë institucionit, me shpresën se ICC-ja ose shtetet anëtare të saj do të trajtonin shqetësimet amerikane, por asnjëra palë nuk kishte ndërmarrë hapa domethënës në këtë drejtim.
Sipas deklaratës, Uashingtoni mbetet i hapur për një zgjidhje diplomatike, por paralajmëroi se mund të ndërmerren masa të tjera.
“Ose ICC-ja do t’i japë fund kërcënimeve të saj ose ne do t’i japim fund asaj”, thuhet në deklaratë, ku paralajmërohet se, në të kundërt, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë fushatën për çmontimin e gjykatës ”tullë pas tulle”./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.