SHBA – Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për sanksione të reja ndaj Rusisë
UASHINGTON, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një projektligj që synon të rrisë presionin ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
Projektligji ishte miratuar më parë nga Senati muajin e kaluar dhe tani duhet të dërgohet te presidenti Donald Trump për nënshkrim.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 262 vota pro dhe 159 kundër.
Nisma është shtyrë kryesisht nga senatori i ndjerë Lindsey Graham, ndërsa demokrati Richard Blumenthal është një nga bashkautorët e saj.
Blumenthal e përshkroi miratimin si një “fitore historike” për demokracinë amerikane dhe atë ukrainase.
Ai tha se synimi i tij ka qenë prej vitesh miratimi i kësaj legjislacioni, me qëllim që të kontribuojë në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e Graham në hartimin dhe promovimin e projektligjit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se projektligji synon të ushtrojë presion maksimal ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe aparatit të luftës ruse.
Sipas tij, ligji do t’i japë administratës amerikane mjete shtesë për të ndikuar në përfundimin e luftës.
Përveç sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj politikanëve dhe kompanive ruse, projektligji synon të kufizojë më tej eksportet ruse të naftës dhe gazit, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë.
Projektligji i jep Trumpit autoritetin të vendosë tarifa deri në 100% ndaj pesë vendeve që blejnë më shumë energji ruse, si edhe ndaj pesë vendeve që ndihmojnë më shumë në anashkalimin e sanksioneve energjetike ndaj Moskës.
Kjo masë mund të ndikojë veçanërisht në marrëdhëniet tregtare të SHBA-së me Kinën dhe Indinë, të cilat janë ndër blerësit kryesorë të naftës bruto ruse.
Pesë blerësit më të mëdhenj do të përcaktohen bazuar në importet gjatë 12 muajve përpara hyrjes në fuqi të ligjit dhe lista do të rishikohet çdo 180 ditë.
Niveli i tarifave mund të ndryshohet në varësi të përpjekjeve të vendeve për të ulur varësinë nga nafta dhe gazi rus.
Projektligji parashikon gjithashtu përjashtime për vendet që importojnë më pak se 15% të eksporteve ruse të gazit natyror gjatë një periudhe 12-mujore dhe që ndërmarrin hapa për t’i reduktuar këto importe.
Sipas deklaratave të senatorit Blumenthal në korrik, aleatët evropianë të SHBA-së nuk pritet të preken nga këto masa./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.