SHBA-ja shpall përfundimin e tërheqjes nga Afganistani, pas luftës 20-vjeçare
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të hënën përfundimin e përpjekjeve për të tërhequr të gjitha forcat e saj nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës më të gjatë në historinë amerikane.
Gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së konfirmoi përfundimin e tërheqjes dhe përpjekjeve ushtarake për të evakuuar amerikanët dhe afganët në rrezik nga vendi i shkatërruar nga lufta.
“Ndërsa evakuimi ushtarak përfundoi, misioni diplomatik për të siguruar shtetasit e tjerë amerikanë dhe afganët e kualifikuar që duan të largohen vazhdon”, u tha ai gazetarëve.
“Tërheqja e sotme nënkupton fundin e komponentit ushtarak të evakuimit, por edhe fundin e misionit gati 20-vjeçar që filloi menjëherë pas 11 shtatorit 2001”, theksoi McKenzie.