SHBA: Kandidatët demokratë për president në garë të gjatë e të vështirë
Një grup i madh kandidatësh presidencialë demokratë e kanë filluar fushatën herët dhe me intensitet dhe disa ekspertë parashikojnë që gara për emërimin brenda partisë, mund të jetë një ndër më të gjatat dhe të ashprat prej vitesh. Afro 20 demokratë kanë hyrë në betejën për 2020-ën deri tani dhe shumë prej tyre përballen me detyrën e vështirë që të bëhen të njohur dhe të grumbullojnë fonde.
Mes demokratëve të fundit që kanë shpallur kandidaturën, është kryetari i Bashkisë së qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg.
“Forcat që ndryshojnë vendin tonë sot janë tektonike, forca që ndihmuan të shpjegojnë se çfarë e bëri edhe të mundur presidencën aktuale. Prandaj këtë herë nuk bëhet thjesht fjalë për të fituar zgjedhjet, por për të fituar një erë”, është shprehur ai.
Zoti Buttigieg, është homoseksual dhe nga pothuajse i panjohur është bërë një nga konkurrentët kryesorë në shtetet Iwoa dhe New Hampshire.
Ai ka qenë i suksesshëm gjithashtu në grumbullim fondesh, ashti sei senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris.
Si shumë nga kandidatët demokratë, senatorja Harris e përqendron pjesën më të madhe të vëmendjes tek Presidenti Trump.
“Nuk mund të kemi një president të Shteteve të Bashkuara që nxit urrejtje dhe përçarje. Nuk mundemi”.
Mes kandidatëve demokratë që po bien në sy, janë senatori nga New Jersey, Cory Booker, Kongresmeni nga Kalifornia Eric Swalwell dhe ai nga Ohio, Tim Ryan.
“Unë po kandidoj para së gjithash që ta bashkoj përsëri vendin!”, tha kongresmeni Ryan.
Votuesit demokratë kanë shumë alternativa por ajo që duan më shumë është të gjejnë dikë që mund të mundë presidentin Trump, thotë eksperti i sondazheve, John Zogby.
“Cilin kanë që mund ta realizojë këtë? Një kandidat progresiv apo tradicional? Kjo është një nga pyetjet. A do t’i besojnë një kandidati tradicional më të vjetër apo të ri?” thotë ai.
Por një numër i madh kandidatësh pa një kandidat kryesor të qartë, është një recetë për një fushatë të gjatë dhe ndoshta jo shumë të pastër, thotë analisti Jim Kessler.
“Mendoj se do të jetë një nga fushatat më negative që kemi parë në zgjedhje paraprake demokrate. Sepse ke të bësh me 15 ose 16 kandidatë që kanë ndjesinë se nëse dy ose tre prej tyre nuk rrëzohen, ata vetë nuk do të kenë asnjë shans”.
Disa nga kandidatët demokratë janë më pak të përqendruar tek zoti Trump dhe më të interesuar të sjellin ndryshim në vend, thotë Elaine Kamarck.
“Mendoj se demokratët do të bëjnë fushatë me remat e pabarazisë dhe rritjes ekonomike dhe me të drejtë sepse këto janë çështjet me të cilat përballet vendi dhe që nuk janë zgjidhur”, thotë ajo.
Një kandidat me epërsi të qartë mund të jetë ish-nënpresidenti, Joe Biden. Ai pritet të shpallë kandidaturën në javët e ardhshme.
Zoti Biden dhe Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders aktualisht janë në krye të anketave dhe zoti Sanders ka mbledhur numrin më të madh të fondeve mes kandidatëve demokratë për tremujorin e parë të këtij viti.