☁️
Tiranë 19°C · Vranët 15 Tetor 2026
S&P 500 7,727 ▲0.11%
DOW 52,042 ▲0.82%
NASDAQ 26,620 ▼0.27%
NAFTA 96.27 ▲2.52%
ARI 4,171 ▲1.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899
₿ CRYPTO
BTC $82,479 ▲ +0.84% ETH $2,444 ▲ +0.29% XRP $1.3401 ▲ +0.65% SOL $105.9700 ▲ +1.7%
S&P 500 7,727 ▲0.11 % DOW 52,042 ▲0.82 % NASDAQ 26,620 ▼0.27 % NAFTA 96.27 ▲2.52 % ARI 4,171 ▲1.54 % S&P 500 7,727 ▲0.11 % DOW 52,042 ▲0.82 % NASDAQ 26,620 ▼0.27 % NAFTA 96.27 ▲2.52 % ARI 4,171 ▲1.54 %
EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899
15 Tet 2026
Breaking
Bota

SHBA – Musk: Qeveria amerikane mund të fshihet pas kufizimeve të “Starlink” në Ukrainë

UASHINGTON, 15 tetor /ATSH-AFP/ – Pronari i kompanisë “SpaceX”, Elon Musk, deklaroi se çdo kufizim i shpejtësisë ose i përdorimit të sistemit satelitor ushtarak “Starshield” është në kompetencën e qeverisë amerikane, duke iu referuar ushtrisë së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump.

Deklarata e Musk vjen pas raportimeve të zyrtarëve ukrainas, se kufizimet e papritura në shërbimet satelitore të përdorura nga ushtria kanë ndërprerë disa operacione me dronë, të rëndësishëm si për sulmet ndaj forcave ruse, ashtu edhe për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

“Starshield” është në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane. Çdo kufizim i shpejtësisë ose i përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund, nga presidenti”, shkroi Musk në rrjetin social X, duke iu referuar presidentit, Donald Trump.

Musk reagoi ndaj një postimi të ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili tha se lidhja “Starlink” po rikthehej për pajisjet që lëviznin me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë.

Fedorov theksoi se heqja e plotë e kufizimit të shpejtësisë për “Starshield” ishte thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës dhe falënderoi Musk për mbështetjen e tij.

“Starshield” është versioni ushtarak i teknologjisë satelitore të zhvilluar nga “SpaceX”, ndërsa “Starlink” është shërbimi komercial i internetit satelitor i kompanisë.

Të dyja teknologjitë përdoren nga Ukraina, por kanë funksione dhe kushte të ndryshme përdorimi.

Më herët, këshilltari i presidentit ukrainas për teknologjinë, Serhiy Beskrestnov, njoftoi se ushtria nuk ishte paralajmëruar për kufizimet e reja.

Sipas tij, ndryshimi kishte shkaktuar ndërprerjen e disa misioneve.

Trupat ukrainase raportuan se lidhja mund të ndërpritej për 10 deri në 20 sekonda, kur dronët fluturonin me shpejtësi rreth 110–120 kilometra në orë, duke i bërë më të vështirë për t’u kontrolluar.

Njësitë ushtarake u detyruan të anulonin disa operacione, ndërsa kufizimet vështirësuan edhe logjistikën dhe komunikimin në front.

Sistemet satelitore të “SpaceX” kanë një rol të rëndësishëm në komunikimet ushtarake të Ukrainës, që prej fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

Ato përdoren për komunikimin mes njësive, koordinimin e operacioneve dhe kontrollin e disa llojeve të dronëve.

Rezistenca e tyre ndaj ndërhyrjeve elektronike i ka bërë veçanërisht të dobishme në fushën e betejës.

Kufizimet u raportuan në një moment tensionesh të shtuara mes Kievit dhe Uashingtonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ushtruar presion ndaj Ukrainës, që të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, ndërsa ka kërkuar ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij po përballej me vështirësi si në përdorimin e “Starlink”, ashtu edhe në marrjen e informacioneve paraprake për sulmet ruse.

Ai theksoi se Ukraina mbështetet te partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kërkon marrëdhënie të qarta dhe bashkëpunim të besueshëm.

Megjithatë, deri në publikimin e raportimeve, nuk ishte konfirmuar se kufizimet ishin vendosur me urdhër të qeverisë amerikane apo se lidheshin drejtpërdrejt, me mosmarrëveshjet politike mes Uashingtonit dhe Kievit.

Autoritetet ukrainase ngritën dyshime për këtë lidhje, ndërsa mbetej e paqartë nëse bëhej fjalë për një vendim politik, një problem teknik apo një përditësim të sistemit.

Sipas raportimeve, kufizimet nuk pritej të ndikonin drejtpërdrejt te dronët ukrainas, që godasin rafineritë thellë brenda territorit rus, pasi “Starlink” nuk funksionon në Rusi dhe këto mjete përdorin forma të tjera komunikimi.

Megjithatë, ndryshimet mund të ndikojnë në operacionet me rreze të mesme në territoret e pushtuara nga Rusia, në Krime dhe në Detin e Zi, si dhe në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet me dronë rusë. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.