SHBA: Nisin hetimet për vdekjen në tubimin e supremacistëve
Në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja, Seksioni i të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit kanë hapur një hetim për të drejtat civile lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.
Incidenti me makinë shkaktoi një të vdekur.
Guvernatori i Virxhinias u tha të shtunën supremacistëve të bardhë që ishin mbledhur në Sharlotsvil për të protestuar kundër heqjes së një statuje të Konfederatës, të “shkonin në shtëpi”, pas incidenteve të dhunshme.
Përveç një gruaje të vrarë nga makina që goditi turmën, dy persona të tjerë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.
Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsvil pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja, dhe anti-protestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.
Guvernatori i Virxhinias: 3 vdekje të shkaktuara nga tubimi i supremacistëve të bardhë
“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë dhe nazistët që erdhën sot në Sharlotsvil. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: Shkoni në shtëpi”, tha zoti McAuliffe në një konferencë shtypi. “Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë shtet. Të keni turp,” tha ai.
Nëpërmjet Twitterit, guvernatori McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme “për të ndihmuar reagimin e autoriteteve shtetërore ndaj dhunës në tubimin e së djathtës alternativë në Sharlotsvil.”
Charlottesville, VirginiaCharlottesville, Virginia
“Aktet dhe retorika në Sharlotsvil gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë,” tha ai në Tweeter.
‘Demonstrim skandaloz’
Presidenti Donald Trump, duke folur të shtunën vonë nga Nju Xhersi, dënoi “demonstrimin skandaloz të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët,” në Sharlotsvil.
Zoti Trump, i cili po përgatitej të nënshkruante një projekt-ligj për të zgjeruar programin e kujdesit shëndetësor për veteranët, bëri thirrje për “rivendosjen e shpejtë të rendit dhe ligjit” në qytet, duke shtuar se “asnjë qytetar nuk duhet të ketë kurrë frikë për sigurinë e tij.”
Pas nënshkrimit të projektligjit, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Një gazetar kërkoi që ai të shpjegonte se çfarë nënkuptonte me fjalët “nga të gjitha palët”.
Menjëherë pas anulimit të tubimit në Charlottesville, një makinë u përplas në turmën e njerëzve në rrugë, ndërkohë që ata po largoheshin. Makina hyri në turmë me shpejtësi dhe një video tregon se si një person i goditur fluturoi në ajër nga përplasja.
Një anti-demonstrues në tubimin e së shtunësNjë anti-demonstrues në tubimin e së shtunës
Një 32-vjeçare humbi jetën dhe mbi 20 njerëz u plagosën.
Policia tha se kishte arrestuar shoferin e makinës, duke e identifikuar atë më vonë si James Alex Fields Jr, 20 vjeç nga Ohajo. Fields po mbahet si i dyshuar për vrasje të shkallës së dytë.
Gazeta “Toledo Blade” e Ohajos ia dha e para lajmin nënës së 20-vjeçarit, Samantha Bloom, e cili tha se nuk ishte kontaktuar nga autoritetet. Ajo tha se i biri i kishte thënë se po shkonte në një tubim të së djathtës në Virxhinia por pa i treguar hollësi për natyrën ekstremiste të tubimit.
“Mendova se kishte të bënte me zotin Trump”, i tha ajo gazetës. Ajo tha se ajo dhe djali i saj kishin lëvizur në Ohio rreth një vit më parë nga Florence e Kentakit.
Kryebashkiaku i qytetit Sharlotsvil Michael Signer tha në Twitter se ishte “i trishtuar” në lidhje me vdekjen dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që ende ndodheshin në vendin e protestës të shkonin në shtëpi.
Disa orë më vonë, policia e shtetit Virxhinia njoftoi se një nga helikopterët e saj ishte rrëzuar në një zonë të pyllëzuar jashtë qytetit, duke lënë të vrarë dy policë.
Shpërthimi i dhunës pas përplasjes së supremacistëve të bardhë me anti-demonstruesit
Demonstratë e dhunshme
Incidenti me makinë ndodhi kur njerëzit po largoheshin nga zona pasi policia e kishte shpallur demonstrimin të paligjshëm; gjatë tubimit, mes demonstruesve dhe anti-demonstruesve pati incidente të shpeshta dhune.
Qindra protestues nga të dyja palët morën pjesë në përplasjet e së shtunës; njerëzit qëllonin me grushta dhe hidhnin shishe me ujë e sende të tjera. Policia përdori gaz lotsjellës për të ndarë palët.
Tubimi në Universitetin e Virxhinias me temë “Të bashkojmë të djathtën”, bëri që zoti McAuliffe të paralajmëronte njerëzit qysh më parë që të qëndronin larg nga kampusi.
Të premten natën, nacionalistët e bardhë organizuan një demonstratë të cilën e quajtën pro të bardhëve. Ata marshuan me pishtarë në duar nëpër kampusin universitar dhe u mblodhën rreth statujës së gjeneralit Robert E. Lee, hero i Konfederatës gjatë Luftës Civile. Ata hidhnin parulla të tilla si: “Jetët e të bardhëve kanë rëndësi,” si reagim ndaj organizatës “Jetët e zezakëve kanë rëndësi” e cila u krijua pas disa vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga ana e policisë.
Në muajin prill, qyteti Sharlotsvil votoi për ta hequr statujën, një masë që po merret nga shumë qytete amerikane kundër përmendoreve të tilla të Konfederatës që i përkasin epokës së luftës civile. Që nga ajo kohë, qyteti Sharlotsvil ka qenë në shënjestër e nacionalistëve të bardhë.
Policia nën statujën e gjeneralit Robert E. LeePolicia nën statujën e gjeneralit Robert E. Lee
Kritikat
Presidenti Trump u kritikua nga anëtarët e të dy partive politike pasi nuk specifikoi nacionalistët e bardhë në komentet e tij.
“Ne duhet ta quajmë të keqen me emrin që ka. Vëllai im nuk e dha jetën më kot në luftë kundër ideve të Hitlerit që idetë naziste të kalojnë pa u ndëshkuar këtu në vendion tonë,” komentoi në Twitter Senatori Orrin Hatch, republikan nga shteti Juta.
Nacionalistët e bardhë në kampusin e universitetit të premten mbrëmaNacionalistët e bardhë në kampusin e universitetit të premten mbrëma
Mes supremacistëve të bardhë në tubimin e së shtunës ishin udhëheqësi i së djathtës alternative Richard Spencer dhe ish-anëtari i Ku Klux Klanit David Duke.
Duke tha se tubimi “përfaqëson një pikë kthese për popullin e këtij vendi.”
“Ne jemi të vendosur ta marrim përsëri vendin në duart tona. Ne do të përmbushim premtimet e Donald Trumpit,” shtoi ai.
Kryebashkiaku Signer tha se ai ia hidhte fajin zotit Trump për nxitjen e paragjykimeve racore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
“Nuk kam ndërmend t’i zbus fjalët. Për shumë nga ato që po shohim sot në Amerikë unë ia hedh fajin Shtëpisë së Bardhë dhe njerëzve që rrethojnë presidentin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Associated Press.