SHBA ofron lehtësime për oficerët venezuelas nëse mbështesin Guaido-n
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Bolton, ka deklaruar se Washingtoni do të ofronte lehtësim nga sanksionet për çdo oficer të lartë ushtarak të Venezuelës që do të njihte udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si udhëheqës legjitim të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“SHBA-të do të mendojnë për t’i hequr sanksionet çdo oficeri të lartë ushtarak të Venezuelës që qëndron për demokraci dhe njeh qeverinë kushtetuese të presidentit Juan Guaido, nëse jo, rrethi ndërkombëtar financiar do të mbyllet plotësisht”, ka shkruar Bolton në llogarinë e tij në Twitter.
Në një postim të mëparshëm, Bolton tha se qeveria e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, kishte bllokuar popullin e tij, duke përfshirë zyrtarët ushtarakë, nga marrja e ndihmës humanitare, sepse ai nuk do të largohet nga pozita e tij dhe të njohë Guaido-n.
Pasi Guaido u vetëshpall si president i përkohshëm gjatë protestave që shpërthyen muajin e kaluar në të gjithë vendin, SHBA-të ndoqën shembullin me njohjen e kreut të opozitës dhe më pas imponuan sanksionet ndaj kompanisë shtetërore të naftës së Venezuelës, PDVSA.
Javën e kaluar, Bolton u tha gazetarëve se gjatë vitit të ardhshëm sanksionet mbi PDVSA-në pritet të bllokojnë 7 miliardë dollarë në pasuri dhe të rezultojnë në 11 miliardë dollarë të ardhura të humbura të eksportit.
Megjithatë, Mauricio Jaramilo Jassir, një studiues në Universitetin Rosario në Kolumbi, për AA tha se sanksionet nuk kanë shumë ndikim në çmimin e naftës në Venezuelë, përveç nëse Maduro do të reduktonte prodhimin.