SHBA: Skandali “Wells Fargo” trondit sektorin bankar
Ligjvënësit amerikanë thonë se skandali në Bankën Wells Fargo, punnjësit e së cilës kishin krijuar një numër llogarish bankare të sajuara, pritet të dëmtojë besimin në sektorin bankar. Shefi ekzekutiv i kompanisë John Stumpf ishte përballë një komisioni të Kongresit këtë javë ku u ballafaqua me pyetje lidhur me pretendimet se banka ka krijuar miliona llogari bankare fantazëm duke mashtruar klientët. Zoti Stumpf kërkoi ndjesë disa herë, por vazhdon të ngulmojë se nuk ishte bërë ndonjë shkelje:
Shefi Ekzekutiv i kompanisë Wells Fargo John Stumpf ishte përsëri në Kapitol për një tjetër shkëmbim plot tension me ligjvënësit: “Unë shoh dallim të madh mes sjelljes së sinqertë dhe shkeljes së etikës apo manipulimit…,”- thotë në seancë zoti Stumpf. “Po thoni që nuk e keni thyer kodin e etikës? A nuk e pranoni se jo vetëm që u dëmtua banka juaj, Wells Fargo, por edhe mbarë sistemi financiar është goditur? A mbani përgjegjësi?” – pyet ligjvënësi Gregory Meeks.
Bëhet fjalë për pohimin nga ana e bankës se në pesë vjetët e fundit ka përdorur informata konfidenciale të klientëve për të hapur thuajse 2 milionë llogari kursimesh dhe karta krediti pa informuar klientët.
Ky veprim përbën mashtrim, thotë juristi John Coffee: “Ata krijuan llogari të sajuara dhe u merrnin njerëzve tarifë për llogari që nuk e dinin se i kanë hapur. Pra po nxirrnin para nga afro 1.5 milionë llogari dhe i fusnin në llogari të reja”.
Skandali ka dëmtuar besimin e klientëve: “Do të doja të flisja me ta. Dua t’i marr në telefon e t’i pyes si do të ndikohem unë prej këtij skandali,” – thotë klientja Nancy Tafolla.
Agjencitë rregullatore në nivel shtetëror dhe federal e kanë ndëshkuar Wells Fargon me 185 milionë dollarë gjobë. Është ndëshkim i papërfillshëm, thotë një analist i sektorit financiar:
“Nuk mendoj se problemi i Wells Fargos zgjidhet me gjobë. Problemi më i madh ka qenë dëmtimi i reputacionit dhe rënia e çmimit të aksineve që janë shumë më të rënda se vetë gjoba,” thotë analisti Richard X. Bove.
Banka ka pushuar nga puna 5300 punonjës të përfshirë në këtë skemë dhe u ka kërkuar ndjesë klientëve.
Shefi Ekzekutiv Stumpf tha se do të hiqte dorë nga paketa e tij e aksioneve me vlerë 41 milionë dollarë; por ai këmbëngul se nuk ka bërë shkelje: “Me sa duket përkufizimi juaj për përgjegjësinë është t’ia kaloni fajin vartësve që nuk kanë para të punosojnë një firmë konsulente për t’u vetëmbrojtur. Kjo dëshmon udhëheqje prej frikacaku”.
Nuk është e qartë sa e përhapur është kjo praktikë në institucione të tjera financiare. Por që kur plasi skandali në Wells Fargo, një ndër institucionet më të mëdha financiare në vend, vlera e kompanisë ka rënë rreth 27 miliardë dollarë nga rënia e çmimit të aksioneve.