SHBA – Zëvendësdrejtori i FBI-së, Andrew Bailey jep dorëheqjen
UASHINGTON, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Andrew Bailey, zëvendësdrejtor i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), njoftoi dje dorëheqjen, mes zërave për tensione me drejtorin e agjencisë, Kash Patel.
“Me krenari të madhe për atë që kemi arritur, po njoftoj se po tërhiqem për t’u kthyer pranë familjes sime në Misuri”, shkroi Bailey në platformën X.
Para se t’i bashkohej FBI-së, Bailey kishte shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm i shtetit të Misurit.
“Kam besim se drejtori Patel do të vazhdojë të reformojë FBI-në, të luftojë krimin e dhunshëm, të mbrojë vendin, të sigurojë llogaridhënie të fortë organizative dhe të rikthejë besimin e publikut te ky institucion i shkëlqyer”, shtoi më tej Bailey.
Nën presidencën e Donald Trump, roli i zëvendësdrejtorit të FBI-së ishte ndarë në mënyrë të pazakontë mes dy personave.
Fillimisht, Bailey e ndau postin me zëvendësdrejtorin Dan Bongino, një mbështetës besnik i Trumpit dhe i prirur ndaj teorive të konspiracionit, për të cilin kritikët thoshin se nuk ishte i kualifikuar për detyrën.
Pasi Bongino njoftoi dorëheqjen në fund të vitit të kaluar, Christopher Raia mori postin vakant.
Para dorëheqjes së Baileyt, disa media amerikane kishin raportuar mbi marrëdhënien e tensionuar të zëvendësdrejtorit me Patelin, i cili ka ndryshuar rrënjësisht udhëheqjen e lartë të agjencisë që kur mori detyrën.
Sipas CBS, Patel, gjithashtu një mbështetës besnik i Trumpit, e përjashtoi Baileyn nga mbledhjet ku ai duhej të merrte pjesë, pasi Bailey kishte kritikuar vazhdimisht praktikat e FBI-së si jokushtetuese.
Mediat amerikane raportuan gjithashtu se Bailey ishte sjellë në agjenci si një pasardhës i mundshëm i Patelit, pas spekulimeve të vazhdueshme se drejtori i FBI-së mund ta humbiste postin e tij./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.