SHBA – Zuckerberg kundërshton thirrjet për ngadalësimin e zhvillimit të IA-së
UASHINGTON, 16 shtator /ATSH-AFP/- Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta-s, ka kundërshtuar thirrjet në rritje për pezullimin ose ngadalësimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Sipas tij, mekanizmat e tregut dhe rreziku i padive gjyqësore mund të shërbejnë si mekanizma të rëndësishëm mbrojtës ndaj rreziqeve që lidhen me këtë teknologji.
Në një postim në X, Zuckerberg argumentoi se përdoruesit nuk do të zgjedhin agjentë të inteligjencës artificiale që nuk veprojnë në përputhje me interesat e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, laboratorët e IA-s kanë një nxitje të fortë për t’i bërë modelet gjithnjë e më të “harmonizuara” me kërkesat dhe synimet e njerëzve.
“Çdo laborator që nuk përqendrohet te harmonizimi do të mbetet prapa”, shkroi Zuckerberg, duke iu referuar përpjekjeve për t’i bërë sistemet e IA më të parashikueshme dhe më të sigurta në përdorim.
Debati për sigurinë e inteligjencës artificiale është intensifikuar javët e fundit, pas disa incidenteve të sigurisë dhe shqetësimeve për aftësitë gjithnjë e më të avancuara të modeleve, përfshirë mundësinë që sistemet të përmirësojnë disa prej aftësive të tyre me më pak ndërhyrje njerëzore.
Një nga çështjet kryesore është nëse industria mund të vetërregullohet.
Kompani të mëdha të IA-s, përfshirë “OpenAI”, “Anthropic” dhe “Google”, po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një organizmi të përbashkët që do të ndihmonte në hartimin e standardeve për sektorin.
Disa figura të rëndësishme të industrisë, mes tyre drejtuesi i “Anthropic”, Dario Amodei, kanë kërkuar një ritëm më të kontrolluar të zhvillimit të IA-s Zuckerberg, megjithatë, argumenton se përgjegjësia ligjore tashmë i detyron kompanitë të marrin masa për sigurinë.
Ai përmendi si shembull vendimin e Meta-s për të shtyrë me disa muaj lançimin e sistemit të saj “Muse AI”, i cili përfshin agjentë të personalizuar, në mënyrë që të forcohen masat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Zuckerberg u shpreh gjithashtu në favor të vlerësimeve të pavarura të sistemeve të IA-s. Ai tha se “Meta Superintelligence Labs” tashmë përdor ekspertë të jashtëm dhe bëri thirrje për një “ekosistem më të gjerë dhe më të larmishëm vlerësues” në të gjithë industrinë.
Meta pritet të investojë deri në 145 miliardë dollarë gjatë këtij viti në infrastrukturën e IA-s, ndërsa Zuckerberg ka kundërshtuar më parë rregullat që, sipas tij, mund të vonojnë zhvillimin dhe lançimin e modeleve amerikane.
Qëndrimi i tij vjen në një moment kur Silicon Valley është gjithnjë e më e ndarë mbi mënyrën se si duhet të menaxhohen rreziqet e inteligjencës artificiale. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.