Shesheli merret në pyetje në Beograd për deklaratat se politikania nga Kosova mund të vritet
Kryetari i Partisë Radikale Serbe dha deklaratë në Policinë e Beogradit, me kërkesë të Prokurorisë së Parë Themelore, për paralajmërimet e tij se Rada Trajkoviq mund të vritej nga autoritetet shqiptare, të cilat më pas do t'ia atribuonin fajin palës serbe.
Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, ka dhënë deklaratë të premten në Drejtorinë e Policisë së Beogradit, me kërkesë të Prokurorisë së Parë Themelore të Beogradit, siç njofton KosovaPress, duke iu referuar agjencisë Beta. Ai u mor në pyetje për deklaratat e tij të mëparshme për politikanen serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, dhe për paralajmërimet se ajo mund të vritej.
Sipas njoftimit, më 12 nëntor, në emisionin televiziv “Novo jutro”, Shesheli i bëri thirrje Trajkoviqit që të ndalonte bashkëpunimin me autoritetet shqiptare, duke pretenduar se ato mund ta vrisnin dhe më pas fajin t’ia atribuonin palës serbe.
Në TV Informer, ai shpjegoi se këtë e kishte thënë duke paraqitur pretendimin e tij se Oliver Ivanoviq ishte vrarë nga pala shqiptare, në mënyrë që krimi t’i atribuohej palës serbe. Ky mbetet vetëm pretendimi i tij, i paverifikuar, dhe jo një fakt i konfirmuar.
Shesheli tha se nuk kishte pasur asnjë qëllim për ta rrezikuar Trajkoviqin dhe se fjalët e tij mund të kuptohen vetëm si paralajmërim që ajo të ndalonte bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe të rreshtohej me Beogradin. Ai tha gjithashtu se ajo prej kohësh nuk ka asnjë rol politik dhe se, sipas informacioneve të tij, jeton në Beograd. Ai shtoi se ka mendimin më të keq të mundshëm për të, por mohoi se i kishte dëshiruar vdekjen.
Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Nismës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut dhe vdiq në spital. Autorët e drejtpërdrejtë dhe ata që e urdhëruan vrasjen nuk janë identifikuar zyrtarisht. Në qershor të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në shkallë të parë katër të akuzuar me gjithsej mbi 22 vjet burg për përfshirje në veprime të lidhura me vrasjen, ndërsa dy të tjerë u shpallën të pafajshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.