Shiroka Pula dekoroi gjeneralin amerikan, Steven Osborn, me Medaljen Presidenciale Ushtarake
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka dekoruar gjeneralin Steven Osborn, Adjutant të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata iu nda gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjatë ceremonisë, presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe FSK-së, i cili gjatë 15 vjetëve ka kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të forcës kosovare.
Ky bashkëpunim është realizuar përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave, me synim avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Presidentja shprehu mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ajo gjithashtu ritheksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është strategjik për Kosovën dhe bazohet në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.
Sipas presidentes Shiroka Pula, miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në të ardhmen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.