Shiroka Pula viziton familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, u premton mbështetje institucionale
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar të martën familjet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë takimeve me familjarët, Shiroka Pula ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e saj, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë si për familjet, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja ka ritheksuar se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale.
Ajo ka vlerësuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Shiroka Pula ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së së vërtetës historike dhe të dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Gjatë vizitave, presidentja i ka informuar familjet se, brenda afateve ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, ka theksuar Shiroka Pula.
Vizitat vijnë në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mbetet në fokus të debatit publik dhe institucional në Kosovë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.