Shkatërrohet banda e Habilajve, italianët: Transportuan 3.5 tonë hashash
Policia italiane ka zbuluar një organizatë kriminale italo-shqiptare për trafikun e marijuanës, duke arrestuar 11 anëtarë të saj.
Organizata, sipas policisë italiane në muajt e fundit ka mundur të trafikojë drejt Italisë mbi 3500 kilogramë marijuanë dhe një ndër drejtuesit kryesorë të saj përmendet shqiptari, Mosi Habilaj dhe italiani Antonio Riela. Policia italiane ka identifikuar drejtuesit kryesorë të organizatës, që janë italianët: Antonio Riela, Vincenzo Spampinato, Gianluca Passavanti, Angelo Busacca dhe shqiptarët: Moisi Habilaj, Maridian Sulaj, Fatmir Minaj.
Organziata kriminale ka realizuar edhe trafikun e një armatimi të rëndë të përbërë nga armë automatike kallashnikov. Ajo kishte vendosur sundimin në shpërndarjen e marijuanës në qytetin e Katanias dhe veçanërisht në provincat e Raguzës dhe Sirakuzës.
Sasia e drogës që kjo organizatë ka mundur të dërgojë nga Shqipëria në Itali e kalon vlerën e 20 milionë eurove.
Metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale kanë bërë që gjatë kohës së hetimit kësaj organizate t’i jenë arrestuar 20 korrierë dhe disa ngarkesa droge, si dhe mijëra euro kesh.
Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj.
Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesor është cilësuar. Antonio Riela, i cili ka patur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve.