ArteLibri

Shkrimtari bullgar Zlatimir Kolarov-Një jetë midis mjekësisë dhe letërsisë, promovohet në shqip romani “Në sipërfaqen e hollë të akullit”

Nga Ded Kola

Zlatimir Kolarov ka lindur në Sofje-Bullgari, më 31 maj 1954 në një familje mjekësh. Ai është mjek reumatolog, profesor i reumatologjisë, shkrimtar, tregimtar, skenarist. Jeta e tij lëviz mbi dy linja paralele: mjekësisë dhe letërsisë.  Kolarov është  autor i 30 veprave në gjininë e letërsisë artistike, gazetarisë, dramaturgjisë dhe kritikës letrare, 2 skenarëve për filma artistikë, 8 për dokumentarë dhe 10 për filma shkencorë, si dhe mbi 270 botime në revista letrare dhe elektronike. Tregimet e tij  janë botuar në revista letrare në 12 gjuhë. Filmat janë prezantuar në 14 festivale prestigjioze. Dy nga librat  e Zlatimir Kolarovit janë përkthyer dhe botuar në Ukrainë dhe Gjermani. Kolarov është autor i më shumë se 590 punimeve shkencore, drejtues i 6 tezave të doktoraturës.

Romani i tij  fundit, i cili i është prezantuar lexuesit bullgar në vitin 2023 “Në sipërfaqen e hollë të akullit”,  tashmë është botuar edhe në shqip dhe promovohet sot në Tiranë. Romani është përkthyer nga Janka Selimi dhe Milena Selimi. Romani “Në sipërfaqen e hollë të akullit” ka ”rrëfime sekrete, sensuale, histori të vuajtura për shpirtin e pakapshëm të gruas përmes syve dhe shpirtit të burrit. Personazhe dhe fate jo të zakonshme, emocione dhe ndjenja të veçanta, komplote dhe fabula jo standarde, që e lëvizin veprimin në vija paralele, vija që kryqëzohen dhe nga përplasja e tyre lindin flakët që djegin shpirtin. Një rrëfim-enigmë i pakuptueshëm që ndjek romanin rresht pas rreshti deri në paragrafin e fundit. Shpresa dhe ëndrra, frikëra dhe dhimbje, misticizëm dhe mister, një histori që jehon dhe rezonon në shpirt për ditë të tëra me lexuesin”. Romani flet për gruan përmes syve dhe shpirtit të burrit.

“Unë u përpoqa ta shikoja gruan në dimensionet e saj të ndryshme. Libri u kushtohet grave me të cilat jeta më ka takuar nga afër. Doja të shikoja dhe të tregoja nga brënda, të ndjeja pa zbuluar se çfarë saktësisht qendron prapa asaj që tregohet, siç është në jetë”, shkruan autori Kolarov.

Publicistja bullgare Angela Dymçeva shkruan se “Në sipërfaqen e hollë të akullit” personazhet e romanit lëvizin në sipërfaqen e brishtë të akullit – ata janë një hap larg vetëshkatërrimit të tyre, por edhe një hap larg daljes në sipërfaqe. Romani “Në sipërfaqen e hollë të akullit” është një manual për analizën psikologjike të marrëdhënieve mashkull-femër. Gjëndja e tyre është shënja e shkatërrimit, e pamundësisë për të kapërcyer murin kristal të indiferencës, rutinës dhe urrejtjes në një botë kaq të bukur natyrore që ekziston në harmoninë e femrës dhe mashkullores. Është një përmbledhje e mësimeve të jetës, psikoanalizës, referencave filozofike dhe një laborator krijues për krijimin e një teksti artistik. Të dyja gjinitë kanë shumë për të mësuar për veten dhe njëra-tjetrën, për t’iu përgjigjur pyetjes së kuptimit të katarsisit kur keni gabuar, për mënyrat e ndryshme për të gjetur dhe humbur dashurinë. Qëllimi i çdo shkrimtari nuk është vetëm të tregojë, por të ndajë, të bëjë pyetjet “pse” dhe “si”.

Maya Kisyova shkruan se “Në sipërfaqen e hollë të akullit”-romani i fundit i mjekut-shkrimtar Zlatimir Kolarov, “ka dendësi letrare dhe mjekësore. Monologu i brendshëm përcillet me lehtësi dhe përmbajtja e tij godet si me vëllimin e tij kompleks, ashtu edhe me kuptimin e thellë të vështirësisë së të jetuarit”.

Kurse Nikola Ivanov shkruan për romanin “Në sipërfaqen e hollë të akullit”  se autori “di të tregojë një histori magjepsëse dhe emocionuese që e mban lexuesin të interesuar. Dhe me këtë libër ai dëshmon aftësinë e tij për të vëzhguar masën, e cila është ndër elementët më të rëndësishëm për praninë e talentit. Ndërprerjet dhe restaurimet e komplotit, historitë e ndërthurura janë ndër meritat artistike të romanit”.

Romani “Në sipërfaqen e hollë të akullit” është në thelb një roman shkrimtari, sepse rrëfimi bëhet nga një ish-student i mjekësisë, i cili është bërë shkrimtar dhe duhet të shkruajë një vepër që të bëhet skenar dhe film. Një psikiatër dhe një drejtor veprojnë si këshilltarë të autorit. Gjendja e përgjithshme, vendosja dhe tingulli i veprës janë ndikuar nga poezitë tragjike të Edgar Allan Poe “Korbi” dhe “Annabel-Lee”. Korbi, ky “zog i mallkuar”, lëviz vazhdimisht agurzi rreth shkrimtarit dhe kujton të keqen e pritur. “Në siperfaqen e hollë të akullit” është një roman psikologjik, ku shkrimtari zbulon fatet dramatike dhe komplekse të personazheve të tij, të cilët përfundimisht përfundojnë në mënyrë tragjike. Të gjithë personazhet kanë historitë e tyre që i kanë tronditur dhe lënë gjurmë të qëndrueshme në jetën e tyre, i kanë ndryshuar në mënyrë të vendosur, i kanë bërë të arrijnë në përfundime për filozofinë e tyre, për jetën dhe fatin njerëzor.

Zlatimir Kolarov ka shkruar romanet “Fushat e bardha pa fund”, “Illusia Magna”, “Në sipërfaqen e hollë të akullit”. Ndërsa ka disa botime me tregime si “Pluhur në erë”, Ishujt e Zanave”, “Historia e Pneumatologjisë”, “Kanarja blu”, “Tregimet e reja të mjekut”, ”Në vorbullën e karuselit”, “Furnizim me ujë”, “Pjesa jete para dhe pas”

Disa nga dokumentarët e tij janë “Triptik për Dimitar Dimov”, “Dallëndyshe e bardhë”, “Këtu dhe rreth botës”, “I vjedhuri i heshtur”, “Brenga e gurit”, “Sofje-Tiranë” i cili u promovua në Tiranë me 7 maj 2018, “Sëmundja e mbretërve”, “Vibracionet e shpirtit”. Kolarov ka shkruar skenaret për filmat “Hiri në diell”, “Rruga drejt majës” i cili mori pjesë në Festivalin e filmit Bullkanik zhvilluar në Pogradec.

Tregime të shkurtra, intervista, libra janë botuar në gjuhët angleze, frënge, gjermane, spanjisht, italisht, greqisht, portugalisht, rusisht, shqip, polonisht, ukrainase dhe rumune. Katër nga librat janë botuar në Ukrainë, Gjermani, Serbi dhe Shqipëri. Filmat janë prezantuar në festivale dhe shfaqje në Greqi, Maqedoni, Rumani, Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjermani, Spanjë, Izrael, Angli, Slloveni, Rusi, SHBA, Japoni, Kanada.

Zlatimir Kolarov është nderuar me 63 nominime dhe çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si mjek, pedagog, shkrimtar dhe skenarist.  Kolarov është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Bullgarë, i P.E.N.-Qendrës Bullgare, i Bashkimit të Shkencëtarëve në Bullgari, i Unionit të Kineastëve Bullgarë-grupimi “Sknenaristët” dhe i Lidhjes së Gazetarëve në Bullgari.  Kryetar Nderi i Shoqatës Mjekësore Bullgare për Osteoporozë dhe Osteoartrit, Zëvendës Kryetar i Shoqatës Shkencore të Reumatologjisë, Anëtar Nderi i Shoqatës për Trajtimin dhe Studimin e Dhimbjeve, Kryetar i Unionit të Mjekëve Shkrimtarë në Bullgari “Dimitar Dimov”, Sekretar i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të  Mjekëve Shkrimtarëve.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button