Ekonomia

Shoqata Hidrokarbureve: Pas koncesionit të GFI fshihen fantazma

Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure ka dhënë disa sqarime lidhur me debatin e hapur rreth koncensionarit të markimit të karburantëve në vendin tone:

“Në Shoqatën e Shoqërive Hidrokarbure, SHSHH, aderojnë kompani që mbajnë peshën kryesore në tregun e hidrokarbureve prej 22 vitesh dhe gjatë kësaj periudhe aktiviteti i tyre ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin. Është e veshtirë që në gjithë këtë periudhë kohore të jetë evidentuar një rast i vetëm që këto kompani të jenë gjetur në shkelje: Në lidhje me cilësinë e karburantit, rregullat e ushtrimit të aktivitetit apo për ushtrim evazioni fiskal. Prandaj kërkojmë të tërhiqen mbrapsht aludimet e hedhura nga abuzuesit e koncensionit se ky koncension është kundërshtuar nga kompani që duan evazionin fiskal, sepse garantojmë se në shoqatën tonë nuk kanë aderuar kurrë kompani “flluska” që krijohen e zhduken sipas terrenit abuzues që krijohet njësoj si koncensioni në fjalë. Arsyet se përse ne e kemi kundërshtuar koncensionin e markimit te karburanteve, që prej fillimit dhe në të gjitha instancat, janë:

Së pari- Në fillim u përdor kompania kanadeze “Global Fluids”, çka erdhi si një emër i madh të cilës qeveria e kohës i dha dhe 6% bonus për meritën e madhe se ofroi ofertën pa ia kërkuar. (Theksojmë se kjo kompani ka bërë emër në sektorin e prodhimit të kimikateve, po në asnjë vend të botës nuk ka një koncension si ky që po pregatitej në Shqipëri). Në çdo vend të botës qeveria bashkë me ligjin e akcizave cakton markuesin sipas destinacionit të përdorimit karburantit dhe kompanitë vetë, pa kosto shtesë në rafineri porosisin produktin (Sot në vendin tonë në këtë mënyrë markohet nafta që përdoret në peshkim).

Së dyti- Meqënëse formalisht duhej bërë një tender, në ofertat e paraqitura në Ministrinë e Financave pati një të tille që markimi të bëhej me 200 lekë/1.000 litra, por kjo siç duket nuk iu mjaftonte fantazmave që fshiheshin pas koncencionit.

Së treti- Papritmas në tender del një zarf i vetëm me ofertë të përbashkët të tre kompanive: “Global Fluids International”, “Cotecna Inspections”, “Petroleum Consulting Partners”: Tashmë markimi nuk do të realizohej me 200 por me 614/ lek për 1.000 /lit plus TVSH-në. Kompanitë e shtuara nuk janë gjë tjetër veçse maskimi i aksionerëve të vërtetë që më vonë përmes shitjes së aksioneve do të sistemonin përfitimin në këtë koncension sipas meritave.

Së katërti- Ministria e Financave në mënyrë të habitshme lidh kontrata me këtë bashkim kompanish për markimin e karburantit me 614/lek për 1.000 /litra. Në mungesë të konkurrencës dhe informacionit se kush janë janë aksionerët e vërtetë, e duke mos patur përvojen e ndonjë vendi në botë ku markimi bëhet në këtë mënyrë, pikërisht nga këto kompani. (Sepse është fakt që nuk ekziston një e tillë përvojë).

Së pesti- Qeveria e kohës, duke qenë se po hynim në kohë zgjedhjesh, shpejton ta bëjë sa më të ligjshëm këtë koncension: Duke qenë se plani i investimit, i hartuar nga vetë kompanitë nuk i kalonte 4 milion dollar, nuk mund të kalohej në parlament si ligj, atëherë ndërhyn qeveria përmes nxjerres së dy vendimeve: VKM.nr 200 13/3/2013 dhe VKM. 498 30/5/2013. Me këto dy vendime të Këshillit të Ministrave miratohet kontrata e lidhur nga Ministria e Financave me bashkimin e përkohshëm, miratohet vetë bashkimi i përkohshëm (edhe pse po jepej një shërbim kaq i rëndësishëm dhe i kushtueshëm për ekonominë e vendit, miratohet se ky bashkim është i përkohshëm). Miratohet në ndryshim nga eksperienca botërore që markimi do të kryhej për produktet që paguajnë akcizë dhe rentë, pra nafta, benzina, solari, mazuti, nafta krudo. Të gjitha këto lëvizje, jo vetëm që nuk kanë precedentë në asnjë vend të botës, por dhe praktikisht janë të parealizueshme.

Sakaq po në këto vendime u shpall tarifa kombëtare e markimit dhe markuesi kombëtar me emër “Petromark TM”, i vetëm i këtij koncensionari. Mbas të gjithë këtyre veprimeve, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure, si grup interesi, u injorua nga të gjitha instancat e qeverisjes, askush nuk guxoi të ulej me neve dhe të diskutohej mbi koncensionin, sepse çdo gjë ishte paracaktuar.

Duke u ndodhur përballë kësaj situate neve vazhduam betejën tonë në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar tarifen kombëtare të markimit, e cila u vendos me VKM, sepse dihet që taksat dhe tarifat kombetare vendosen me ligj dhe jo me vendim qeverie. Në dijeninë tonë votimi në Kushtetuese “4 me 5” tregon se kemi patur pak të drejtë. Gjithësesi koncensionari vendimin në favor të tij nuk duhet ta brohorasë si një të drejtë të madhe, sepse të gjithë jemi në dijeni se kontrata është vullnet i qeverisë me palën dhe asnjë gjykatë nuk prish dot vullnetin e palëve.

Në vazhdimësi kemi bërë publike pengesat që ky koncension paraqet në vazhdimësi në ushtrimin e aktivitetit, në këto drejtime: Markimi i produkteve që shkon në eksport krijon problem tek vendet pritëse, pasi nuk e njohin si element; Në rastet kur një subjekt nuk është dakort me rezultatin e monitorimit, nuk ka të drejtë dhe as mundësi verifikimi; Produkti që ky koncesionar përdor si markues, nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet (ky është i vetmi produkt që importohet pa u analizuar apo certifikuar në vend); Nga verifikimi në vend rezulton që me mënyren që ky koncesionar kryen injektimin nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme. Pra nuk e realizon dot procesin e markimit dhe për pasojë në çdo rast ka dështuar me monitorimin (ka gati një vit që nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën përmes dhunes që i garantojne dy VKM-të e mësipërme).

Sa më sipër sqaruam reazulton qartë se roli i këtij koncensionari në rregullimin sadopak të tregut është 0. Ngritja e tarifave mbi karburantet nga viti 2013 deri sot dhe rritja e konsumit çdo vit si mbas rritjes ekonomike nuk mund t’i njihet si meritë këtij koncesnioni, siç kërkon vetë ai t’ja shesë publikut sëbashku me shumë të tjerë përfitues të pamerituar koncensionesh.

Së fundmi Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure nuk di kujt t’i drejtohet, situata është paradoksale sepse fituesit e koncensionit nga qeveria janë njohur si bashkim i përkohshëm dhe Global Fluids International (GFI) e krijuar prej tyre nuk dimë se kë përfaqëson”, përfundon reagimi nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarburave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button