Shoqëria Civile kërkon miratimin me konsensus të reformës
Dy ditë para votimit në Kuvend të reformës në drejtësi, përfaqësues të shoqërisë civile i bënë apel klasës politike shqiptare të miratojnë të enjten draftin kushtetues.
Paraditen e së martës u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit(KKI) në parlament, me kërkesë të organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar çështjen e ditës, miratimin më 21 korrik të kësaj reforme.
Në hapje të takimit, kryetarja e KKI-së, Majlinda Bregu, nënvizoi rëndësinë e miratimit të kesaj reforme madhore nga të gjitha forcat politike.
Më pas në fjalën e marrë nga drejtues të organizatave të shoqërisë civile u shpreh mbështetja për miratimin me konsensus të gjerë të draftit kushtetues, për të cilën, thanë ata, janë shprehur pozitivisht 91 për qind e shqiptarëve.
Është koha që politika të fillojë të kuptojë zhgënjimin e shqiptarëve. Dhe para se kjo reformë të jetë kusht për integrimin e vendit, ajo më parë duhet të jetë kusht për të bërë drejtësi për të gjithë shqiptarët, u shprehën ata.
Në këtë takim të KKI-së janë të pranishëm dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz, ambasadorja e Holandës, Dewi Van De Weerd, etj.