Shorti i Europianit për Kombëtaren, Maran dhe emocionet me Barelën dhe Italinë: Do të ishte e çuditshme
Trajneri Rolando Maran ka dhënë një tjetër intervistë të gjatë në Itali. Këtë herë për “Fanpage.it”. Nëse në Itali zgjidhej si trajner që të shmangte rënien, te Shqipëria po i kërkoet fitorja dhe kualifikimi në Europian.
Shqipëria mund të jetë në një grup me Italinë në grupin kualifkues për Europianin, ndërsa për Maran do të ishte një përballje me Barelën që e drejtonte më parë.
Kur e kuptuat se për të ecur përpara duhej të ndryshonit drejtim?
“Profesioni ynë kalon nëpër cikle. Brenda një kohe të shkurtër u gjenda në një situatë ku telefoni më binte vazhdimisht dhe më pas filloi të binte gjithnjë e më pak. Ndonjëherë kjo varet edhe nga tendencat dhe zgjedhjet që bëhen, por është pjesë e ndryshimit të brezave. Unë ende ndihem në gjendje të jap shumë dhe gjithmonë jam përpjekur të tregoj se kam uri dhe dëshirë për të bërë mirë”.
Megjithatë, dyert nuk ishin të mbyllura.
“Jo, ofertat ekzistonin. Në vitin tim të fundit te Breshia më kërkuan edhe nga Serie A, por sapo kisha firmosur kontratën. Çështja ishte të gjeja një ambient ku mund të lija gjurmë dhe të bëja mirë. Kohët e fundit kjo mundësi ishte zbehur, më pas më erdhi oferta e Shqipërisë dhe e zgjodha, edhe pse mund të kisha qëndruar në Itali”.
Çfarë ju bindi?
“Më ofronte stimuj të rëndësishëm. Ishte një detyrë ndryshe, por me shumë peshë. Jo shumë trajnerë kanë mundësinë të drejtojnë një kombëtare dhe Shqipëria më motivonte shumë. Është një sistem futbolli që po rritet, me struktura dhe ide. Nuk pata asnjë dyshim për ta zgjedhur këtë aventurë”.
Në Itali ju ishte vendosur etiketa e trajnerit të mbijetesës. A jeni ndier ndonjëherë i burgosur nga ky imazh?
“Kur drejton një skuadër në Serie A dhe shumë shpesh merr ekipe që luftojnë për mbijetesë, është normale të kalosh periudha negative. Duhet të përballesh me situata të caktuara te klubet dhe të menaxhosh më shumë humbje. Por pengu i çdo trajneri është se shumë herë nuk ke mundësinë të luash për të fituar dhe për të arritur diçka të rëndësishme. Marrja e një kombëtareje dhe arritja e objektivit të kualifikimit ishte një motivim ndryshe, sepse më dha mundësinë të punoja me synimin për të fituar”.
A ka pasur ndonjë klubi të rëndësishëm që e keni ndier pranë, por nuk keni arritur ta merrni?
“Pas Kaljarit, Kievos dhe Katanias është folur shpesh për stola të rëndësishëm. Nga ajo që kam kuptuar, kam qenë pranë disa klubeve, por nuk erdhi momenti vendimtar që mund të më hapte rrugën drejt kampionateve të tjera. Nuk kam pengje, jam i kënaqur me atë që kam bërë dhe kam ende shumë entuziazëm për atë që mund të vijë”.
Ju keni ndjekur rrugën e kundërt nga shumë kampionë të botës në vitin 2006 që u bënë trajnerë. Keni kaluar përmes përvojës nga nivelet e ulëta dhe keni qëndruar deri në nëntë orë në ditë në fushë te Kaljari. Çfarë ju ka dhënë ky rrugëtim?
“Unë preferoj rrugën e vështirë, sepse mendoj se të formon dhe të kompleton. Rrugëtimi që kam ndjekur unë dhe shumë të tjerë është padyshim formues dhe të përgatit për të përballuar situata të caktuara. Pastaj është e kuptueshme që ata që kanë luajtur në nivele të larta mund të kenë një bonus më shumë për të nisur karrierën si trajnerë”.
Por e kaluara si futbollist nuk mjafton.
“Duhet të tregosh gjithmonë vlerat e tua. Disa ia kanë dalë, të tjerë më pak, por kanë pasur mundësinë të nisin edhe falë karrierës së tyre si futbollistë. Nga pikëpamja mediatike, emri dhe titujt kanë rëndësi dhe i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë. Kjo është e kuptueshme. Megjithatë, besoj se përmes rrugëtimit nga nivelet e ulëta formohesh më shumë dhe në një mënyrë tjetër”.
Në një video që u bë virale pas një ndeshjeje në Shqipëri, ju shfaqeshit duke falënderuar skuadrën. Ishte thjesht gëzimi për rezultatin?
“Pak nga të dyja. Isha i lumtur jo vetëm për rezultatin, por edhe sepse e arritëm me shumë meritë dhe me shifra të rëndësishme. Kam gjetur një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm, të cilët më kanë mbështetur në punën time dhe janë përpjekur të bëjnë atë që u kam kërkuar. Ishte një ambient që kishte nevojë për entuziazëm të ri dhe nuk ishte një mision aspak i lehtë. Fakti që arritëm t’i përfshinim të gjithë në këtë mënyrë më bëri të lumtur, sepse rigjeta gëzimin e profesionit tim, kënaqësinë për të bërë gjërat dhe për të provuar të lë gjurmë te një grup lojtarësh”.
Ky gëzim u përcoll edhe jashtë dhomës së zhveshjes.
“Zakonisht këto momente mbeten brenda dhomës së zhveshjes. Nuk e di kush e bëri videon, por ishte diçka pozitive, sepse arritëm ta ndanim gëzimin tonë me tifozët. Luajtëm kundër Bjellorusisë, në fushë neutrale në Budapest dhe pa praninë e tifozëve. Ishte bukur të arrinim t’i përcillnim popullit shqiptar krenarinë për këtë sukses. Shqiptarët e duan jashtëzakonisht shumë kombëtaren”.
A ishte i vështirë kontakti i parë me një kombëtare?
“Erdha me entuziazëm dhe me bindjen se dëshiroja të lija gjurmë, edhe pse e dija se kishte vështirësi dhe shumë ndryshime në krahasim me një klub. Në grumbullimin e parë të qershorit, lojtarët kishin mbërritur vetëm pesë ose gjashtë ditë para ndeshjeve. Isha thuajse një spektator. Bëra disa gjëra që sot nuk do t’i përsërisja, por ajo përvojë më shërbeu si një stërvitje. Më ndihmoi të kuptoja se cilat duhej të ishin prioritetet e mia”.
E morët drejtimin pas Silvinjos, me një skuadër që kishte tashmë një identitet. Cila ishte ideja juaj e parë?
“Nuk dua të bëj krahasime. I vendosa vetes objektivin për të qenë proaktiv, për të luajtur ndeshjet dhe për t’i vënë kundërshtarët në vështirësi. Doja një skuadër që të mendonte për të shënuar gola, përtej aspektit mbrojtës, dhe që të ishte vetë përcaktuese e fatit dhe së ardhmes së saj”.
A e përthithën lojtarët menjëherë mesazhin?
“Kjo ishte pjesa që pati më shumë ndikim tek ata. U përpoqën menjëherë të përvetësonin këtë mentalitet dhe kjo kimi solli rezultate të kënaqshme”.
Te Katania kishit drejtuar më parë një dhomë zhveshjeje ndërkombëtare. 14 argjentinas, një uruguaian, një spanjoll, një japonez dhe një polak.
“Po, mund të them se kisha drejtuar një lloj kombëtareje… Ishte një përvojë formuese. E kujtoj me kënaqësi atë sezon. U renditëm të tetët me 56 pikë, një rekord historik për Katanian që vazhdon të qëndrojë edhe sot. Ishte një eksperiencë që më dhuroi kënaqësi të mëdha dhe më ndihmoi t’i shihja gjërat nga këndvështrime të ndryshme”.
Në Kaljari ishit çdo ditë me lojtarët, ndërsa te Kombëtarja duhet të përqendroni gjithçka brenda pak ditësh. Sa ndryshon puna?
“Kam pasur fatin të kem në dispozicion gati 20-25 ditë. Nga 25 shtatori deri më 15 nëntor patëm një periudhë shumë të gjatë pushimi nga ndeshjet dhe për mua, që sapo kisha ardhur, ishte thelbësore. Pata mundësi të punoja me lojtarët, të zhvilloja thuajse një javë normale stërvitore, të përdorja videot, të flisja shumë me ta, të shkëmbeja mendime dhe të organizoja mbledhje. Ishte e rëndësishme të krijonim bazat që të gjithë të kishim një ide të qartë. Duhej t’i jepja skuadrës një identitet që do të konsolidohej me kalimin e kohës dhe ajo periudhë më ndihmoi shumë”.
Hysaj është një rast i veçantë. Pa skuadër, por protagonist me Kombëtaren.
“Ka treguar seriozitet të madh. Erdhi në ndeshje në gjendje shumë të mirë fizike dhe luajti pesë nga gjashtë takimet, nga 90 minuta secilën. Ishte zgjedhja ime. Kjo tregon profesionalizmin e tij. Zhvilloi ndeshje të jashtëzakonshme dhe u përfshi në formacionin më të mirë të Ligës së Kombeve. Më duket e pabesueshme që në këtë moment nuk ka mundësi të jetë pjesë e një klubi. Për profesionalizmin, gjendjen fizike dhe cilësitë teknike, ai zhvilloi një Ligë Kombesh të jashtëzakonshme”.
Kaprile ka nisur procedurat për pasaportën shqiptare për arsye familjare. Është një çështje e hapur?
“Është ende herët për të folur. Ekziston një procedurë që duhet të përfundojë dhe nuk e di as sa kohë do të zgjasë. Është e kotë të flasim për situata që në këtë moment nuk janë ende të përcaktuara”.
Po Shpendi? Te Çezena në Serinë B po bën mirë, por në Kombëtare konkurrenca është e madhe.
“Është një djalosh me perspektivë shumë të madhe, që tashmë ka rëndësi në klubin e tij. Në Kombëtare përballet me shumë lojtarë që aktivizohen në Turqi dhe te Spartaku i Moskës, ndaj konkurrenca është e fortë. Jam i bindur se do të ketë hapësirat e tij, sepse është në rritje të vazhdueshme dhe do të japë një kontribut të rëndësishëm”.
Më 6 dhjetor do të hidhet shorti. Mund të përballeni me Italinë dhe me Barelën, të cilin e aktivizuat te Kaljari.
“Nikolo është i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur që e shoh prej shumë vitesh në nivelet më të larta, por nuk kisha asnjë dyshim për të. Kishte cilësi teknike dhe temperament të jashtëzakonshëm. Nuk më habit aspak që ka qëndruar kaq gjatë në këto nivele”.
A do të ishte një ndjesi e veçantë përballja me të?
“Sigurisht që do të ishte një emocion më shumë, diçka shumë e çuditshme. Por tani për tani nuk po mendoj për këtë. Është e kotë të flasim për një mundësi që ende nuk e njohim”.
Nëse do të mund t’i flisnit Maranit që sapo niste karrierën si trajner, çfarë do t’i thoshit?
“Do t’i thoja të ishte ai që ka qenë. Ndoshta t’u kushtonte më shumë vëmendje disa aspekteve që në futbollin e sotëm nuk janë aspak dytësore, përkundrazi, janë të rëndësishme, sepse mund të ndihmojnë karrierën dhe rritjen. Përtej aspektit teknik, ato janë pjesë e të qenit trajner”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.