Shpërthen supertankeri me naftë në Ngushticën e Hormuzit, dyshohet se ra në kontakt me një minë detare (VIDEO)
Një supertanker që transportonte naftë bruto dyshohet se ka rënë në kontakt me një minë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Lajmi është bërë i ditur nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim.
Sipas deklaratës iraniane, anija po përpiqej të largohej nga Ngushtica e Hormuzit përmes një rruge që autoritetet e Teheranit e cilësojnë si të paautorizuar.
Garda Revolucionare pretendon se tankeri kishte çaktivizuar sistemet e navigimit dhe të pozicionimit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga kjo rrugë detare strategjike.
Në deklaratën e saj, pala iraniane paralajmëroi për pasojat ndaj anijeve që, sipas saj, shkelin rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Një zjarr i tmerrshëm është rezultati përfundimtar për çdo tanker që shkel rregullat dhe përpiqet të injorojë sigurinë dhe rregulloret e Ngushticës së Hormuzit”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet iraniane ia atribuojnë shpërthimin goditjes së anijes në një minë detare, por deri tani nuk kanë bërë të ditur emrin e supertankerit, flamurin nën të cilin lundron apo numrin e anëtarëve të ekuipazhit.
Gjithashtu, nuk ka informacione për persona të lënduar apo viktima, si dhe për shkallën e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.