☁️
Tiranë 17°C · Vranët 10 Tetor 2026
S&P 500 7,812 ▲0.59%
DOW 51,655 ▲0.83%
NASDAQ 27,366 ▲0.64%
NAFTA 91.85 ▲0.39%
ARI 4,216 ▲1.43%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967 EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967
₿ CRYPTO
BTC $83,054 ▲ +0.77% ETH $2,511 ▲ +1.26% XRP $1.4052 ▲ +1.11% SOL $110.3900 ▲ +1.29%
S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 % S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 %
EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967 EUR/USD 1.1206 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9305 EUR/ALL 91.7741 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4011 EUR/TRY 55.2478 EUR/JPY 177.32 EUR/CAD 1.5967
10 Tet 2026
Breaking
Opinion

Harta ndryshon, mendësia mbetet dhe monologu i pushtetit vazhdon

Harta ndryshon, mendësia mbetet dhe monologu i pushtetit vazhdon

Integrimi europian i Shqipërisë po kthehet në një paradoks politik.

Qeveria e ka kthyer anëtarësimin në BE në objektivin kryesor të ligjërimit të saj, por qeveria vazhdon të karakterizohet nga centralizimi, mungesa e dialogut dhe shpërfillja e kundërshtimeve.

Standardet europiane promovohen në konferenca e deklarata, por gjejnë pak vend në marrëdhëniet me qytetarët dhe opozitën.

Miratimi i njëanshëm i reformës territoriale, mes protestave dhe kundërshtimit e opozitës, është tjetër dëshmi e kësaj mendësie.

Zvogëlimi nga 61 në 46 bashki është një ndërhyrje e thellë në arkitekturën e shtetit, që ndryshon përfaqësimin politik, shpërndarjen e burimeve dhe marrëdhënien e qytetarëve me pushtetin e institucionet vendore.

Një reformë me pasoja kaq të gjera kërkonte analizë, konsultim të gjerë dhe përpjekje serioze për konsensus.

Megjithatë, ajo u imponua përmes forcës së shumicës parlamentare.

Në Përrenjas, Divjakë, Belsh, Poliçan e Memaliaj, banorët protestuan kundër humbjes së statusit të bashkive.

Në Poliçan pakënaqësia arriti deri te djegia publike e kartave të anëtarësisë në Partinë Socialiste.

Kundërshtimi ka dalë përtej ndarjeve partiake, duke përfshirë edhe komunitete tradicionalisht mbështetëse të qeverisë socialiste.

Banorët druhen nga largimi i shërbimeve, humbja e përfaqësimit dhe përqendrimi i investimeve në qendrat më të mëdha.

Pikërisht për këtë arsye, Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura nga ndryshimet territoriale, mundësisht përmes referendumeve aty ku lejohet me ligj. Ajo kërkon edhe që vendimmarrja të ushtrohet sa më pranë qytetarit.

Një shumicë parlamentare nuk mund ta zëvendësojë konsultimin e mirëfilltë me qytetarët për vendime që prekin drejtpërdrejt jetën dhe përfaqësimin e tyre.

Ironia është se këtë reformë po e ndërmerr e njëjta qeveri që në vitin 2014 reduktoi 373 bashki e komuna në 61 bashki, gjithashtu pa konsensus me opozitën. Atëherë u premtuan ulje kostosh, autonomi financiare dhe shërbime më të mira.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, po e njëjta qeveri kërkon një reduktim tjetër me argumente pothuajse identike.

Nëse reforma e parë ishte e suksesshme, përse nevojitet një tjetër? Nëse dështoi, ku është bilanci dhe përgjegjësia politike?

Qeveria përdor shpopullimin si argument për shkrirjen e bashkive të vogla. Por ajo nuk merr asnjë përgjegjësi për politikat e saj për braktisjen e periferisë.

Kështu krijohet një rreth vicioz: mungesa e investimeve dhe shërbimeve nxit largimin e banorëve, shpopullimi justifikon mbylljen e institucioneve dhe tërheqja e mëtejshme e shtetit e bën periferinë edhe më pak të jetueshme.

Pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, Kryeministri Rama nuk mund ta përdorë shpopullimin si argument pa dhënë llogari për politikat që kanë ndikuar në të.

Për më tepër, justifikimi se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete financiare dhe administrative fsheh një proces të gjatë centralizimi.

Reforma e ujësjellësve ua hoqi bashkive kontrollin mbi menaxhimin e ujit, duke e transferuar te shoqëritë rajonale.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka përqendruar në Tiranë vendimmarrjen për projekte të mëdha zhvillimore, ndërsa varësia nga transfertat qendrore dhe fondet për investime ka kufizuar autonominë financiare të pushtetit vendor.

Kryebashkiakët janë bërë gjithnjë e më të varur nga vullneti politik i qendrës për financimin e projekteve, duke dobësuar edhe përgjegjshmërinë e tyre përpara zgjedhësve.

Qeveria ka përqendruar kompetencat dhe burimet, ka dobësuar autonominë vendore dhe tani përdor pafuqinë e bashkive si argument për shkrirjen e tyre.

Reforma ka edhe pasoja elektorale.

Bashkimi i bashkive ndryshon përbërjen e elektoratit, konkurrencën për kryetarë bashkish dhe përfaqësimin në këshillat vendorë. Komunitetet e vogla humbasin institucionet e tyre të zgjedhura dhe bëhen pjesë e njësive më të mëdha, ku pesha e tyre politike mund të zvogëlohet.

Përfshirja e zonave periferike me prirje opozitare ose epërsi të brishtë socialiste, brenda njësive më të mëdha mund të ndryshojë raportet elektorale dhe të amortizojë votën e protestës.

Për këtë arsye, kriteret e përcaktimit të kufijve duhet të ishin transparente dhe të mbështetura në analiza të verifikueshme, për të shmangur dyshimet për inxhinieri elektorale.

Ndërkohë, hetimet e SPAK-ut ndaj drejtuesve vendorë kanë nxjerrë në pah probleme serioze të korrupsionit, klientelizmit dhe menaxhimit të burimeve publike. Ndryshimi i kufijve administrativë nuk i zgjidh këto probleme.

Kryeministri mund të ndryshojë numrin e bashkive dhe emrat e drejtuesve, por pa transparencë, kontroll financiar dhe përgjegjshmëri, mekanizmat e kapjes së institucioneve mbeten të paprekur.

Megjithatë, reforma merr një kuptim edhe më të rëndësishëm në kontekstin aktual politik. Pas një vargu skandalesh, hetimesh dhe përplasjesh institucionale, miratimi i saj përballë kundërshtimeve mund të interpretohet edhe si një demonstrim force nga Rama apo si një përpjekje për të riafirmuar kontrollin.

Vendimet politike kanë edhe funksion simbolik: ato projektojnë autoritet dhe ndikojnë te perceptimi publik mbi fuqinë e qeverisë.

Në këtë kuptim, reforma territoriale mund të jetë edhe një demonstrim force pas goditjeve ndaj besueshmërisë së qeverisjes. Mesazhi u drejtohet opozitës, qytetarëve dhe sidomos strukturave të Partisë Socialiste duke iu thënë se pavarësisht pakënaqësive, vendimmarrja mbetet në duart e kryeministrit.

Ky mesazh merr rëndësi të veçantë kur kundërshtimi vjen edhe nga territore tradicionalisht socialiste. Kryetarët e bashkive, këshilltarët dhe komunitetet që kanë mbështetur Partinë Socialiste trajtohen si numra pa peshë përballë vendimmarrjes së udhëheqjes qendrore.

Demonstrimi i forcës shërben kështu edhe për të disiplinuar strukturat e veta dhe për të riafirmuar kontrollin mbi partinë.

Por nevoja për të demonstruar vazhdimisht forcën mund të jetë shpesh edhe simptomë e dobësimit të autoritetit. Sa më shumë një udhëheqës mbështetet te imponimi, aq më shumë lind pyetja për aftësinë e tij për të qeverisur përmes miratimit.

Kur pushteti shfrytëzon të gjithë hapësirën ligjore për të imponuar vendime, ai mund të dobësojë normat e bashkëpunimit dhe besimin institucional.

Legaliteti i jep qeverisë të drejtën të marrë vendime; legjitimiteti dhe pëlqimi i të qeverisurve i japin asaj qëndrueshmëri.

Kur ky pëlqim gërryhet, çdo vendim kërkon më shumë imponim dhe çdo demonstrim force rrezikon të prodhojë pakënaqësi të reja.

Hendeku mes legalitetit dhe legjitimitetit krijon një problem që nuk zgjidhet me shumicë kartonësh. Sa më shumë zgjerohet ky hendek, aq më e vështirë bëhet ruajtja e autoritetit politik në kohë.

Natyrisht, opozita shqiptare ka përgjegjësinë e saj për cilësinë e dialogut politik. Bojkotet dhe refuzimi i kompromisit e kanë dëmtuar funksionimin institucional ndër vite.

Megjithatë, përgjegjësia kryesore për organizimin e proceseve gjithëpërfshirëse i takon qeverisë, e cila kontrollon kalendarin legjislativ dhe zotëron instrumentet për të krijuar mekanizma realë konsultimi.

Paradoksi shtrihet edhe te integrimi europian. Qeveria i paraqet negociatat e anëtarësimit si dëshmi të modernizimit të vendit, ndërkohë që vazhdon të imponojë reforma me pasoja afatgjata pa dialog të mjaftueshëm.

Kjo ngre një pyetje edhe për Bashkimin Europian se a po vlerësohet përparimi i Shqipërisë vetëm përmes miratimit të ligjeve dhe përmbushjes së afateve, apo edhe përmes cilësisë së demokracisë dhe respektimit të institucioneve?

Komisioni Europian ka kërkuar vazhdimisht dialog ndërpartiak dhe konsultim efektiv në procesin e reformave.

Nëse këto standarde mbeten dytësore ndaj progresit teknik, integrimi rrezikon të shërbejë si burim legjitimiteti për një model qeverisjeje që vazhdon të përqendrojë pushtetin.

Në vitin 2014, Rama ndryshoi rrënjësisht hartën territoriale të Shqipërisë. Në vitin 2026, po e njëjta qeveri vendos ta ndryshojë sërish, me të njëjtën metodë të njëanshme.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, bashkitë janë më të pakta, pushteti është më i përqendruar dhe mendësia e qeverisjes mbetet e pandryshuar.

Rama mund ta ndryshojë hartën e Shqipërisë sa herë që dëshiron sepse ka votat e nevojshme.

Por asnjë shumicë parlamentare nuk mund ta zëvendësojë pafundësisht pëlqimin e të qeverisurve. Dhe kur një pushtet ka gjithnjë e më shumë nevojë të demonstrojë forcën e tij, pyetja është sa autoritet i ka mbetur për të qeverisur përmes besimit.

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.