Shpërthimi tragjik në pallatin në Elbasan, Llatja: Bonus qiraje për 15 familjet! Probleme me ndërhyrjen? Asnjë vonesë nga
15 familjet që u prekën nga shpërthimi në pallatin në Elbasan janë akomoduar në në konvikt të bashkisë dhe do të mbështeten me bonus qiraje.
Në një lidhje direkte në Report Tv, kryebashkiaku Gledian Llatja thotë se kjo do të vijojë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare për situatën.
“Momentalisht familjeve u është dhënë mundësia që të akomodohen në strukturat e bashkisë, provizorisht. Zgjidhja tjetër provizore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për ndërtimin e godinës së re për prishjen e saj ose marrjen e një vendimi përfundimtar, do të jetë bonusi i qirasë. Në bazë të legjislacionit shqiptar, këto familje do të përfitojnë bonusin e qirasë për t’u spostuar në një banesë tjetër. Bashkia do të mbështesë 15 familjet me bonusin e familjes gjatë periudhës provizore”, tha Llatja.
Kryebashkiaku thotë se po konsiderohen dy variante: shembja e pjesës së dëmtuar të pallatit apo e gjithë ndërtesa.
“Momentalisht është varianti për demolimin e pjesës së dëmtuar totalisht, por do të shihet nëse pjesa tjetër e strukturës do të marrë përforcim, apo do të shembet dhe ndërtohet nga e para”, shpjegoi Llatja.
Ai hodhi poshtë çdo pretendim që ka qarkulluar në rrjete se ndërhyrja e zjarrfikëses nuk ishte në kohën e duhur dhe pati vështirësi.
“Zjarrfikëset fatmirësisht, stacioni është pranë unazës së qytetit dhe nuk ka pasur vonesa për reagimin. Menjëherë në vendngjarje kanë ardhur 2 mjete bashkë me autoshkallën. I gjithë stacioni zjarrfikës ka qenë në gatshmëri, më pas kanë ardhur edhe forcat e tjera. Nuk është e vërtetë që ka pasur problematika për ndërhyrjen, është ndërhyrë që në momentin e parë, fillimisht me nxjerrjen e banorëve, më pas me evakuimin e banorëve të kateve të larta”, tha Llatja.
Në spital nuk ka më asnjë banor. Pallati është i izoluar dhe në monitorim të vazhdueshëm pasi aty ndodhen sendet personale të banorëve, por edhe për shkak të rrezikshmërisë së ndërtesës.
“10 personat që janë paraqitur pranë spitalit të Elbasanit kanë ndenjur mesatarisht 30 minuta për të marrë shërbimin e parë dhe bërë analizat përkatëse. Pas kësaj, nuk ka pasur më frekuentim nga banorët. Momentalisht pallati është i izoluar, është marrë në dorëzim nga forcat e Policisë për ta ruajtur sepse banorët kanë ende sende personale. Një pjesë e tyre i kanë marrë sendet, do të vijojë edhe nesër, e monitoruar nga forcat zjarrfikëse sepse kati i pestë i strukturës ka rrezikshmëri të lartë për dëmtimin dhe rrëzimin e saj, të shkaktojë dëme në njerëz dhe të jetë më problematike”, përfundoi Llatja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.