Shqipëria dënon sulmet iraniane me raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe: Palët të angazhohen në zgjidhje diplomatike
Shqipëria ka dënuar ashpër sulmet e fundit me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Irani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në një reagim në X, Ministria e Jashtme i cilësoi këto sulme si agresion të paprovokuar dhe shkelin sovranitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë sulmet më të fundit me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Irani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat u vunë sërish në shënjestër të një agresioni të egër. Këto goditje të paprovokuara ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike, përbëjnë një shkelje të qartë të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëheqjen e saj dhe popullin e Emirateve, si edhe me partnerët tanë në të gjithë Lindjen e Mesme”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Në deklaratë theksohet se sulme të tilla janë të papranueshme dhe kontribuojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë në rajon, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe për Evropën.
Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka bërë thirrje për përmbajtje, ulje tensionesh dhe rikthim të përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e konflikteve.
“Sulme të tilla janë të papranueshme dhe rrezikojnë më tej stabilitetin rajonal. Siguria në Lindjen e Mesme ka implikime të drejtpërdrejta për Evropën dhe më gjerë. Prandaj, bëjmë thirrje për përmbajtje, ulje tensionesh dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj zgjidhjeve diplomatike.
Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtë me partnerët e saj për të promovuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, thuhet në deklaratë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.