Shqipëria hyn në fazën më të rëndësishme të negociatave me BE-në, eksperti: Monitorim i vazhdueshëm nga KE. Duhet gjithëpërfshirje e shoqërisë
Përfundimi i konferencës së tetë ndërqeveritare mes Shqipëri dhe Bashkimi Europian është cilësuar si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Hapja e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave konsiderohet tashmë prova më e rëndësishme për institucionet shqiptare, biznesin dhe gjithë shoqërinë.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Gledis Gjipal nga “Lëvizja Europiane Shqiptare”, tha se Shqipëria po hyn në një etapë kyçe të procesit të integrimit, ku fokusi kryesor do të jetë mbyllja graduale e 33 kapitujve negociues.
“Është një moment kyç që e kalon Shqipërinë në një fazë tjetër, fazën më të rëndësishme të mbylljes së kapitujve. Fillimisht do të mbyllen kapitujt ku Shqipëria është më e avancuar, si kërkimi shkencor, arsimi apo marrëdhëniet me jashtë”, u shpreh ai.
Eksperti theksoi se mbyllja e kapitujve të parë do të shërbejë si sinjal pozitiv për administratën dhe sektorët e tjerë që të përshpejtojnë reformat në fushat më të vështira, si siguria ushqimore, mjedisi dhe tregtia.
Gjipali sqaroi se procesi i integrimit nuk do të mbështetet vetëm në raportimet e qeverisë shqiptare, por në një mekanizëm të gjerë monitorimi nga ekspertët europianë dhe vendet anëtare të BE-së.
“Procesi monitorohet nga ekspertët e Komisionit Europian, delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe vetë vendet anëtare, të cilat në fund vendosin për mbylljen e kapitujve. Çdo vend ka perspektivën e vet dhe kjo mund të ndikojë në ecurinë e negociatave”, deklaroi ai.
Sipas tij integrimit europian paralajmëroi se përmbushja e standardeve të BE-së brenda një periudhe të shkurtër kohore është një sfidë e madhe jo vetëm për qeverinë, por për gjithë shoqërinë shqiptare.
“Është e pamundur të arrihen këto standarde vetëm përmes administratës. Procesi duhet të hapet ndaj biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile. Nëse mbahet i izoluar në zyra, kostot do të jenë shumë më të larta për qytetarët dhe biznesin”, tha Gjipali.
Një nga sektorët më të ndjeshëm mbetet siguria ushqimore, ku standardet e BE-së konsiderohen ndër më striktet. Gjipali paralajmëroi se shumë biznese do të duhet të investojnë në modernizimin e linjave të prodhimit, magazinimit dhe kontrollit të cilësisë për të përmbushur kërkesat europiane.
“Një pjesë e kostove do të mbulohet nga fondet dhe grantet e Bashkimit Europian, por bizneset do të duhet të bëjnë investime të mëdha. Disa biznese që nuk arrijnë të përshtaten me standardet rrezikojnë të dalin nga tregu”, u shpreh ai.
Gjipali kërkoi më shumë bashkëpunim mes forcave politike dhe përfshirje më të madhe të publikut në procesin e integrimit.
“Integrimi europian është një çështje kombëtare. Nuk i përket vetëm një partie apo një qeverie, por gjithë shoqërisë shqiptare. Retorika proeuropiane duhet të përkthehet në veprime konkrete politike dhe reforma reale”, përfundoi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.