Shqipëria mbyll Kapitullin 20, Rama në Luksemburg: Mbyllja e kapitujve është një gur kilometrik i rëndësishëm, por progresi matet me reformat dhe rezultatet!
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg se mbyllja e ndërmjetme e Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se progresi i vendit nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet konkrete të arritura në procesin e integrimit europian.
Kreu i qeverisë tha se ky sukses vjen pas vlerësimeve pozitive që Shqipëria ka marrë në procesin e negociatave dhe dëshmon ecurinë e reformave të ndërmarra.
“Në vijim të vlerësimit shumë pozitiv të IBAR-it në maj 2026 për pikat e ndërmjetme, Kapitulli 20 bëhet kapitulli i katërt negociues që mbyllet provizorisht vetëm brenda pak muajsh.”
Rama u ndal edhe te ambicia e Shqipërisë për të mbyllur sa më shumë kapituj negociues në periudhën e ardhshme, duke theksuar se Tirana synon të ecë me një ritëm edhe më të shpejtë drejt anëtarësimit.
“Ju dëgjova zoti Thomas, shumë qartë, që ju doni të bëni edhe më shumë. Ne duam së paku të bëjmë dyfishin. Kështu që le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, dhe le ta bëjmë këtë gjë realitet.”
Kryeministri nënvizoi se procesi i integrimit nuk duhet të vlerësohet vetëm nga numri i kapitujve të mbyllur, por mbi të gjitha nga cilësia e reformave dhe rezultatet konkrete të tyre.
“Ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur. Këta janë tregues të rëndësishëm, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara për fuqizimin e institucioneve dhe me rezultatet e prekshme që janë arritur.”
Rama falënderoi presidencën irlandeze të Bashkimit Europian, Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos dhe vendet anëtare për mbështetjen ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë, duke shprehur bindjen se vendi do të përmbushë objektivat e vendosura në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.
” Sot, Shqipëria ka hedhur një hap tjetër vendimtar drejt vendit të saj të merituar në BE, me mbylljen e ndërmjetme të Kapitullit 20. Ky është kapitulli i katërt që mbyllet brenda pak muajsh.Ne duam të bëjmë dyfishin! Të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, për ta “tundur“ këtë shtëpi dhe për ta bërë realitet këtë objektiv.Progresi nuk matet thjesht me kapitujt e mbyllur, por me reformat e realizuara për fuqizimin e institucioneve dhe me rezultatet e prekshme të arritura. Falënderimet shkojnë për presidencën irlandeze dhe nuk ka asnjë dyshim për Marta Kos dhe ekipin e saj, por edhe për të gjitha vendet anëtare, për besimin dhe angazhimin. Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por jemi gati për t’ia dalë“, tha Rama..”
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.