☁️
Tiranë 20°C · Vranët 13 Nëntor 2026
S&P 500 7,562 ▼0.4%
DOW 52,348 ▲0.1%
NASDAQ 25,136 ▼0.91%
NAFTA 88.86 ▲0.14%
ARI 3,880 ▼0.13%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1068 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.7561 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6201 EUR/TRY 55.6348 EUR/JPY 176.81 EUR/CAD 1.5773 EUR/USD 1.1068 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.7561 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6201 EUR/TRY 55.6348 EUR/JPY 176.81 EUR/CAD 1.5773
₿ CRYPTO
BTC $68,856 ▼ -3.67% ETH $1,947 ▼ -3.49% XRP $1.0207 ▼ -1.61% SOL $79.8100 ▼ -1.97%
S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.86 ▲0.14 % ARI 3,880 ▼0.13 % S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.86 ▲0.14 % ARI 3,880 ▼0.13 %
EUR/USD 1.1068 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.7561 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6201 EUR/TRY 55.6348 EUR/JPY 176.81 EUR/CAD 1.5773 EUR/USD 1.1068 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.7561 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6201 EUR/TRY 55.6348 EUR/JPY 176.81 EUR/CAD 1.5773
13 Nën 2026
Breaking
Opinion

Sufllaqja: një studim etimologjik dhe sociolinguistik

Kontribut në studimin e zhvillimit semantik të fjalëve në kushtet e demokracisë shqiptare

Nga THOMA GËLLÇI

Pak fjalë kanë bërë një karrierë si sufllaqja. Ka kaluar nëpër disa gjuhë, ka ndërruar kuptim disa herë dhe në fund ka dalë nga kuzhina te shkencat politike. Këtë rrugë nuk e kanë bërë dot as shumë deputetë.

Fjala vjen nga greqishtja souvlaki, që është zvogëlimi i souvla, pra hell. Souvla vjen nga latinishtja subula, një vegël e mprehtë që përdorej për të shpuar lëkurën. Në rrënjën e saj më të vjetër indoevropiane gjendet qepja.

Zinxhiri duket kështu: qepje – gjilpërë – shpim – hell – mish – sufllaqe.

Shqipja i ka shtuar zinxhirit një hallkë që fjalorët ende nuk e kanë regjistruar: individin. Është nga rastet e rralla kur emri i një ushqimi bëhet emër i një kategorie shoqërore dhe prapë nuk e humbet punën e parë.

Nga gjilpëra te helli

Te latinët, subula shponte lëkurën. Te grekët u zgjat dhe u bë hell. Në kuzhinë, helli u vu të mbajë mishin mbi zjarr. Ndryshonte ajo që shpohej, ndërsa parimi mbetej i njëjti.

Te ne, të dy veglat kanë marrë punë të re. Gjilpëra tani përdoret kryesisht për të qepur gojën. Helli përdoret për ta mbajtur individin në pozicionin e duhur përballë burimit të nxehtësisë.

Ka edhe një dallim të madh. Mishi i zakonshëm duhet lidhur që të qëndrojë në hell. Subjekti i hellit politik rri aty me dëshirën e vet dhe shpesh rrotullohet vetë.

Kjo është një revolucion i vërtetë në teknologjinë e hellit.

Prapashtesa e vogël me pasoja të mëdha

Në greqisht, -aki është prapashtesë zvogëluese, kështu që souvlaki do të thotë “hell i vogël”. Pikërisht te ky “i vogël” fillon gjithë puna.

Njeriu e vlerëson më shumë fitimin që merr sot sesa atë që mund t’i vijë pas disa vitesh. Sufllaqja e çon këtë prirje në formën më të pastër: një fitim i vogël, i sigurt dhe që hahet menjëherë, mund të mposhtë një fitim të madh që nuk është i sigurt.

Merrni për shembull zgjedhjen e një qeverie për katër vjet. Duhet të lexosh programet, të njohësh kandidatët, të shohësh çfarë kanë bërë më parë dhe të gjykosh nëse u besohet. Me sufllaqen nuk ke nevojë për asnjë nga këto, sepse çështja zgjidhet në vend.

Prandaj sufllaqja mund të quhet një nga mjetet më të fuqishme për ta thjeshtuar vendimmarrjen.

Kuptimi i dytë

Në shqipen e sotme, sufllaqe quhet edhe një lloj njeriu, ai te i cili bindja dhe përfitimi lidhen në një mënyrë krejt të veçantë. Shkencërisht kjo shkruhet:

B = f(P)

Këtu B është bindja që njeriu shpreh publikisht, ndërsa P është përfitimi që pret. Te njerëzit e zakonshëm, bindjet formohen nga edukimi, përvoja dhe gjykimi i vet. Te subjekti ynë, bindja varet nga përfitimi. Kur ndryshon përfitimi, ndryshon edhe bindja.

Ndryshimi kalon pa asnjë krizë ndërgjegjeje. Subjekti i quan bindjet e reja po aq të vjetra sa ato që braktisi para pak minutash. Literatura jonë eksperimentale këtë e quan vazhdimësi retrospektive e bindjes.

Klasifikimi

Sipas madhësisë së përfitimit dhe shkallës së përshtatjes, dallohen disa varietete:

  • Sufllaqja elementare është më e përhapura. Ka nevoja modeste dhe jetë të shkurtër. E gjen nëpër mitingje dhe takime elektorale. Ndizet me një vakt, me një udhëtim falas ose me një premtim të përgjithshëm.
  • Sufllaqja administrative është faza më e zhvilluar. Marrëdhënia këtu nuk mbaron me një vakt, por zgjat në kohë. Subjekti merr një vend pune bashkë me disa detyra që nuk i gjen në përshkrimin zyrtar të pozicionit.
  • Sufllaqja intelektuale është varianti më i sofistikuar. Ajo di të shpjegojë shkencërisht çdo vendim të pushtetit, edhe vendimet që bien ndesh me shpjegimet që ka dhënë vetë më parë. Përdor terma të specializuar, teori dhe, kur duhet, citon autorë që nuk e kanë prekur kurrë temën.
  • Sufllaqja e avancuar nuk preket nga ndërrimet politike. Funksionon në çdo sistem dhe nën çdo forcë, edhe kur programet e tyre janë krejt të kundërta. Kjo e bën një nga format më jetëgjata të species.

Kufijtë mes tyre nuk janë gjithmonë të qartë. Individi kalon lehtë nga njëra formë te tjetra, zakonisht në drejtim të vlerës më të lartë ushqimore.

Mekanizmi i rrotullimit

Në kuzhinë, helli rrotullohet që mishi të piqet njëlloj nga të gjitha anët. Në politikë, rrotullimi shërben që subjekti të mbetet gjithmonë i ekspozuar ndaj pushtetit.

Shpejtësia e rrotullimit rritet sa herë ndërrohet qeveria. Në kohë të qeta, individi mund të rrijë vite të tëra në të njëjtin pozicion dhe të duket si model i qëndrueshmërisë ideologjike. Mjafton të ndryshojë burimi i nxehtësisë dhe ai riorientohet me shpejtësi.

Gjatë këtij procesi, subjekti nuk e pranon kurrë se ka lëvizur. Thotë se ka qenë gjithmonë në të njëjtin vend dhe se ka ndryshuar vetëm këndi nga e sheh vëzhguesi.

Ky mbetet një problem i pazgjidhur i gjeometrisë politike.

 Salca

Studimi do të ishte i mangët pa salcën, edhe pse kjo fjalë ka prejardhjen e vet. Në kuzhinë, salca e bën ushqimin më të shijshëm dhe më të lehtë për t’u gëlltitur. Në politikë bën të njëjtën gjë.

Salca politike përbëhet nga argumente, shpjegime, justifikime dhe deklarata parimore. Përdoret sidomos kur produkti nuk hahet dot ashtu siç është.

E njëjta përmbajtje mund të shërbehet si reformë, si domosdoshmëri historike, si interes kombëtar ose si përgjegjësi qytetare. Varet nga salca që i hidhet.

Rregulli i artë është ky: sa më e diskutueshme përmbajtja, aq më shumë salcë.

 Sufllaqja dhe zgjedhjet

Një sufllaqe hahet për disa minuta. Mandati që ajo mund të ndikojë zgjat katër vjet. Nëse e marrim kohën e të ngrënit dhjetë minuta, del se

Për furnizuesin, ky është një raport i jashtëzakonshëm. Kostoja është e kufizuar, ndërsa fitimi i mundshëm shumë herë më i madh. Pasojat nuk i paguajnë vetëm ata që e hëngrën. Ato shpërndahen mbi gjithë popullsinë.

Sufllaqja është ndër të paktat produkte ku një njeri ha dhe faturën e paguajnë disa milionë të tjerë.

Përfundime

Fjala sufllaqe ka bërë një rrugë të gjatë: nga vegla latine për shpimin e lëkurës te helli grek, nga helli te ushqimi dhe nga ushqimi te një kategori e veçantë e sjelljes politike shqiptare.

Në të gjitha fazat ka një vijimësi. Në fazën e parë objekti shpohej, në të dytën vihej në hell, në të tretën piqej dhe në të katërtën shërbehej. Risia shqiptare është se të gjitha këto bëhen pa gjilpërë, pa hell dhe pa zjarr.

Sufllaqja politike ka edhe një avantazh ndaj asaj të kuzhinës. Kjo e fundit hahet vetëm një herë. E para mund të shërbehet sa herë të duash, edhe pasi ka ndërruar kuzhinieri.

Prandaj propozojmë që botimet e ardhshme të fjalorit të shqipes, përveç kuptimit gastronomik, të përfshijnë edhe këtë:

Sufllaqe, -ja, em. f. Individ me aftësi të lartë përshtatjeje ndaj ndryshimeve të pushtetit, me metabolizëm të shpejtë të përfitimeve dhe kujtesë selektive të bindjeve. Shfaqet kryesisht në periudha zgjedhore apo ne protesta kunder qeverise, por mund të mbijetojë gjatë gjithë vitit.

Mbetet një pyetje që gjuhësia nuk e zgjidh dot vetëm. Për të duhen edhe biologët, ekonomistët dhe politologët:

Nëse sufllaqja e zakonshme ka nevojë për hell që të rrotullohet, pse sufllaqja shqiptare vazhdon të rrotullohet edhe kur helli nuk ekziston më?

Hipoteza më e besueshme është se, pas kaq shumë vitesh përshtatjeje, helli është bërë pjesë e strukturës së saj të brendshme.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.