Shqipëria në mars kërkoi çeljen e negociatave, Hahn nuk e pranoi
NGA ARTEMISA HOXHA
Rruga e anëtarësimit në familjen europiane duket se do të jetë e gjatë për vendin tonë. Po aq e gjatë do të jetë dhe rruga e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për t’iu bashkëngjitur kështu 28 vendeve anëtare që janë pjesë e këtij bashkimi shtetesh. Edhe pse 92% e shqiptarëve e dëshirojnë futjen e vendit tonë në BE, duket se edhe pas pesë viteve, që janë vënë kushtet deri më tani që nuk do të anëtarësohet asnjë vend në BE, Shqipëria do të duhet që të plotësojë të gjitha detyrat e lëna nga ndërkombëtarët.
Kështu, një përgjigje negative për çeljen e negociatave me BE-në u dha nga komisioneri europian, për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë, në muajin mars. Kjo përgjigje iu komunikua kreut të qeverisë, Edi Rama, pak minuta para fillimit të konferencës së tyre të përbashkët, ku, edhe pse te të dy nuk mungoi buzëqeshja në shenjë miqësie, ishte pikërisht kjo përgjigje që solli dhe këtë buzëqeshje të sforcuar. Në atë kohë në media u raportuan thjesht disa arritje të vogla që ka bërë vendi ynë, duket se përgjigjja negative dhe arsyetimi i Hahn është bërë pa praninë e mediave shqiptare, por të ekspertëve ndërkombëtarë të komunikimit. Por kjo përgjigje e komisionerit Hahn ishte e argumentuar pikërisht në mospërmbushjen e detyrimeve nga vendi ynë të pesë prioriteteve kyçe që duhen plotësuar për të hapur rrugën drejt BE-së. Hahn mësohet të jetë shprehur se është kryer plotësimi i pjesshëm i tyre, duke mos përmendur reformën në drejtësi, që është kushti nga të gjithë ndërkombëtarët, e që cilësohet si më e paarrira, nuk ka lënë shkak aspak që Brukseli të çelë dritën jeshile për negociatat Shqipëri – BE. Hahn ishte skeptik ndaj plotësimit të këtyre pesë prioriteteve: reformës në administratën publike, reformës në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut, pasi janë pjesërisht të përmbushura nga vendi ynë. Por për këtë ka një arsye që komisioneri Hahn ua vuri në dukje forcave politike në tryezën e pestë të dialogut të nivelit të lartë midis BE-së dhe Shqipërisë. Ka qenë pikërisht tensioni politik mes forcave politike në vend (ku për shumë muaj opozita bojkotoi punimet në Kuvendin e Shqipërisë), që nuk kanë sollën plotësimin e këtyre prioriteteve dhe njëkohësisht implementimit të tyre. Klima që duhet t’i shërbejë Shqipërisë për plotësimin e prioriteteve, sipas Hahn, duhet të jetë konstruktive, kusht ky për të ardhmen e vendit tonë në BE. “Do të kem kohë që të diskutoj edhe tensionin politik dhe shpresoj që palët të qëndrojnë të angazhuara, sepse një klimë konstruktive është kusht për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Hahn më 24 mars, kur foli në konferencë me Kryeministrin Rama. Por edhe pas kësaj, pala shqiptare shpreson që në muajin shtator, kur do të bëhet raportimi i radhës, nga ana e komisionerit Hahn të jepet vlerësim pozitiv për Shqipërinë. Vetë eurokomisioneri u shpreh optimist për plotësimin e tyre, por sërish me dyshim për miratimin e raportit të prioriteteve. “Jam optimist se Shqipëria mund të tregojë aftësi solide në përmbushjen e pesë prioriteteve. Në fillim të vjeshtës do të kryhen vlerësimet e para, dhe më pas do të shohim se si do të jetë raporti. Ne presim një progres të sinqertë”, ka thënë Hahn në konferencën e ditës së hënë pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit. Gjithsesi, edhe pas takimit të kreut të qeverisë, Edi Rama, me komisionerin europian Hahn, në muajin prill në Bruksel, ku shefi i qeverisë mori pjesë në Samitin për Ballkanin, organizuar nga Komisioni Europian, nuk u përmendën aspak prioritetet që duhet të plotësohen nga vendi ynë, duke lënë të kuptohet se kemi ende shumë rrugë për hapjen e negociatave pas një viti që kemi marrë statusin e vendit kandidat. Gjithsesi, domosdoshmëria e pesë prioriteteve kyçe është kërkuar sërish në konferencën e ditës së hënë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, ku ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se Shqipëria mbetet e angazhuar për implementimin e pesë prioriteteve të vendosura nga BE-ja, kjo në kuadër të procesit të integrimit. Për të demonstruar këtë, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka thënë se zgjedhjet lokale do të jenë një hallkë e rëndësishme në procesin e integrimit. “Shpresoj që politikanët shqiptarë, të mësuar me retorika të forta, të qetësohen. Këto zgjedhje, sikurse në vitet e kaluara, do të monitorohen nga BE-ja. Shpresojmë që ato të jenë sipas standardeve”, ka thënë Hahn. Ndërkohë që kërkesa për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, si dhe për ta hapur rrugën në këtë mënyrë në anëtarësimin në BE, ka ardhur që në muajin prill të vitit 2009, kohë kur në drejtimin e qeverisë ka qenë Sali Berisha. Por sprova e radhës së Shqipërisë për integrimin lidhen dhe me zgjedhjet, përpos pesë kushteve për reformave. Nëse këto nuk arrihen në shtator, atëherë hapja e negociatave mund të vihet sërish në pikëpyetje.