Rajoni

Shqiptarët e Malit të Zi dënojnë ashpër djegien e flamujve të Shqipërisë dhe të Kosovës

Shqiptarët e Malit të Zi, përmes një reagimi për media, kanë dënuar ashpër djegien e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës, para selive të Ambasadave. Në reagim thuhet se këto akte shprehin urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe janë tregues të mos respektit ndaj kombit.

“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, shpreh shqetësim të thellë dhe dënon ashpër, shfaqjen e akteve vandale, djegien e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës në Podgoricë, para selive të Ambasadave.

Dukuri të tilla nuk janë gjë tjetër përveç akte të shëmtuara, shfaqe të urrejtjes, tregues të mos respektit dhe mos tolerancë ndaj një kombi, prandaj si shoqëri kemi nevojë të punojmë më shumë në integrimin dhe avancimin e vlerave demokratike, kulturore dhe ndëretnike.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Genci Nimanbegu ka kontaktuar sot me përfaqësuesit e të dy ambasadave, me SH.T.Z. Ernal Filo, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë dhe me zotëri Blerim Xhemajlin, përfaqësuesin e Ambasadës së Republikës së Kosovës për tu njohur me detajet e ngjarjes.

Deputeti i Alternativës Shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj ka reaguar ndaj siç e quan ai aktit barbar të disa individeve rrugaç dhe qyqarë që kanë djegur flamurin kombëtarë dhe atë të Republikës së Kosovës.

“Akte të tilla janë akte barbare, të njerëzve që duan dhe punojnë që të ndezin konflikte të ndryshme ndëretnike në vendin tonë, por edhe në të gjithë Ballkanin. Njerëz që urrejnë çdo gjë shqiptare, njerëz të pacivilizuar, që nuk duan ta njohin realitetin. Janë rrugaç dhe qyqarë” u shpreh Gjeloshaj.

Ai gjithashtu ftoj organet kompetente të merren më seriozisht me ngjarje të tilla.
“Nuk është ky rasti i parë, kemi pas edhe raste të tjera ku është sulmuar Ambasada Shqiptare në Podgoricë, kështu që organet kompetente duhet të merren më seriozisht me këto ngjarje, duhet një dënim shëmbull për aktoret qyqarë dhe rrugaç në mënyrë që akte të tilla të marrin fund një herë e mirë” tha Gjeloshaj.

Edhe Partia demokratike e Fatmir Gjekës ka vlerësuar se djegia e flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës në Podgoricë paraqet akt primitiv dhe anticivilizues.

“Besuam që këto veprime të turpshme janë larg pas nesh. Për fat të keq, nuk kishim të drejt, sepse edhe ky rast tregon që akoma ekzistojnë ato të cilëve nuk i konvenon bashkëpunimi dhe miqësia në regjionin tonë”, thanë nga kjo parti.

Shprehet kënaqësia me reagimin e shpejt të Ministrisë së punëve të jashtme dhe integrimeve evropiane të Malit të Zi, si dhe të disa partive.“Kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë të gjejnë keqbërësit dhe t’i dënojnë në mënyrë adekuate”, shtojnë nga PD-ja.

Unioni demokratik i Shqiptarëve dënon aktin vandal të djegies së flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës para ambasadave të këtyre dy shteteve në Podgoricë.
“Veprimi i tillë është absolutisht i papranueshëm në sistemin e sotëm civilizues dhe ka për qëllim nxitjen e jotolerancës etnike. Shpresojmë që organet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që kjo ngjarje të zbardhet, ndërsa autorët të zbulohen”, thanë nga UDSH-ja.

Ato janë të sigurt që kjo ngjarje e pakëndshme nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e shkëlqyera të tre shteteve.

LDnëMZ: Diegia e simboleve tona – dëshmi e urrejtjes ndaj shqiptarëve

“Lidhja Demokratike-Dega e Malësisë, si edhe Degët e Plavë-Gucisë dhe Ruzhajës, dënojnë ashpër këtë akt vandal dhe kërkojnë nga organet kompetente që urgjentisht t’i zbulojë akterët.

Mirëpo, duke e pasur të njohur përvojën nga rastet e ngjashme në të kaluarën, nuk do të na befasonte sikur edhe ky rast të kalohej pa ndëshkim.

Por, nëse edhe ky akt mbetet i pa hetuar, atëherë nuk është e vështirë të poentohet porositësi dhe as qëllimi i kësaj “vepre”, si edhe të atyre të mëparshmeve.

Sido që të jetë, aktet e këtilla nuk mund të jenë shprehi e një shoqërie të emancipuar, e cila synon integrimet euroatlantike, siç pretendon Mali i Zi.

Veprat e këtilla gjejnë mbështetje vetëm në klerofashizmin serbomadh, por kurr nuk duhet harruar se edhe klika udhëheqëse, gjoja demokratike, malazeze, ka dalur nga i njejti shtrat ideologjik.
Në fund të apostrofojmë se incidentet e këtij karakteri, jo vetëm se nuk shkojnë në favor të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore midis Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për çka po flitet me të madhe në Podgoricë, Tiranë dhe Prishtinë, por as nuk krijojnë ambient besimi brenda vet shtetit”, shkruan në reagimin e këtyre tre degëve të LdnëMZ-së,” thuhet në reagimet e përfaqësuesve të shqiptarëve të Malit të Zi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button