Shqiptarët e serbët së bashku në skenë
Për herë të parë pas shumë vitesh u shfaq të dielën (05.04) në Beograd një pjesë e përbashkët teatrale shqiptaro-serbe në të dy gjuhët. Dramaturgu Jeton Neziraj flet për DW për sfidat e rëndësinë e këtij projekti.
DW: Si u prit nga publiku në Beograd premiera e shfaqjes së parë të përbashkët shqiptaro-serbe, të luajtur njëkohësisht në dy gjuhë?
Neziraj: Ne sapo jemi kthyer nga Beogradi, ku mbrëmë patëm vërtet një prezantim të dinjitetshëm të shfaqjes. Pritjet e publikut ishin përtej asaj, që kishim parashikuar. Ajo sallë e teatrit Kombëtar, ku me gjasë për herë të parë flitej në gjuhën shqipe, ishte me publik natyrisht të zgjedhur, kryesisht media, diplomatë të huaj dhe zyrtarë serbë, por edhe zyrtarë shqiptarë, përfshirë edhe ambasadorin shqiptar dhe ambasadorin e Kosovës në Beograd. Në tone të përgjithshme mund të them se shfaqja u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, por edhe nga kritika, megjithëse mënyrat dhe rrethanat nuk ishin aq shumë të favorshme. Shfaqja është realizuar në një moment, do ta kisha quajtur jo shumë të favorshëm, megjithëse relacionet shqiptaro-serbe këto 30 vitet e fundit nuk është se ka patur momente shumë të favorshme.
DW: Ju keni shfaqur edhe më parë në Beograd pjesën „Fluturimi mbi teatrin e Kosovës“, por me përcjellje policore, me roje para teatrit dhe me jo shumë spektatorë. Tani kjo shfaqje ishte ndryshe?
Neziraj: Natyrisht edhe mbrëmë kishte një prani policore të madhe përreth teatrit. Dallimi është esencial, sepse kësaj rradhe shfaqja luhej në Teatrin Kombëtar të Serbisë dhe bëhej fjalë për një projekt, që është mbështetur nga të dy qeveritë.
DW: Sa kohë është punuar në këtë projekt të Qendrës Multimedia në Prishtinë dhe Punishtes së Integrimit në Beograd dhe si ka qenë bashkëpunimi?
Neziraj: Dy organizatat kanë nisur punën diku para një viti e gjysëm. Ka qenë një punë intensive në përgatitjen e aktorëve, në gjetjen e aktorëve, në gjetjen e fondeve të nevojshme për realizimin e kësaj shfaqjeje. Puna me aktorë ka zgjatur tre muaj. Mund të them se ka një kastë aktorësh të përzgjedhur nga Serbia dhe nga Kosova. Nga aktorët shqiptarë kemi Alban Ukaj, që jeton në Sarajevë dhe Uliks Fehmiun, ndërsa nga Kosova kemi Armend Ismajlin, Armend Balokun, Edona Reshitaj, Feriz Berishën, Arta Selimin. Pra është një kastë e përzgjedhur e aktorëve, të cilët për tre muaj rresht kanë punuar në mënyrë intensive me regjizorin e aktorin e njohur serb Manojlovic, për të arritur këtu te ky prezantim, i cili me gjithë sfidat me gjithë barrierat, që kanë qenë, u dëshmua të ketë qenë i nevojshëm.
DW: Për bashkëpunimin është zgjedhur „Romeo dhe Xhuljeta“, tragjedia me përfundimin e hasmërisë së dy familjeve përmes sakrificës së dashurisë të dy të rinjve. Si është mundur të përshtatet ajo në kontekstin shqiptaro-serb. Si janë reflektuar marrëdhëniet mes dy popujve, çfarë paralelesh hiqen në këtë pjesë?
Neziraj: Vetë fakti, që ne kemi zgjedhur Romeo dhe Xhulietën e Shekspirit, është domethënës dhe është një lloj qëndrimi edhe politik, nëse duam të themi. Por ne kemi dashur të komunikojmë me publikun përtej atyre barrierave gjuhësore, përtej atyre barrierave kulturore dhe përtej atij konfliktit ekzistues. Vetë fakti që këta shtatë aktorë nga Kosova dhe shtatë nga Serbia, përfshirë edhe aktorin e pesëmbëdhjetë Uliks Fehmiu, që ka një background të përzier ta quaj kështu, serbo-shqiptar. Vetë fakti, që këta aktorë kanë punuar gjatë për një projekt si ky, që flet për dashurinë, urrejtjen, për hasmëritë, por para së gjithash flet për shpresën, që do të duhej të ekzistonte, dhe unë jam optimist që ekziston edhe në kontekstin real. Besoj se mesazhi është i qartë dhe domethënës, që përcjell edhe te publiku edhe në Serbi edhe në Kosovë porosinë e qartë, se e ardhmja do të duhej të ishte ndryshe, së paku ndryshe nga ajo, që projektohet dhe përcillet nga vepra e Shekspirit, pra më optimiste.
DW: Të ndjekësh një dramë, ku gjysmën e kohës nuk e merr vesh gjuhën e nuk e kupton përmbajtjen, krijohet një boshllëk, ku percepton vetëm jehonën e tingëllimit të gjuhës. Çfarë efekti bën kjo?
Neziraj: Ka qenë njëra prej pikave më të rëndësishme të shfaqjes mbrëmë. Publiku, ato me të cilët unë kam diskutuar, ka qenë shumë i apasionuar pas shfaqjes. Prej faktit, që në shfaqjen e Shekspirit, që është e njohur (publiku e njeh strukturën e përmbajtjen në vija të trasha), por në këtë shfaqje, ku gjuha nuk përbën më barrierë, sepse flitet shqip dhe për një moment tjetër flitet serbisht dhe prapë kalohet në gjuhën tjetër, kjo shkrirje gjuhësore, tejkalim i gjuhës si barrierë, ka qenë fascinuese edhe për mua individualisht, por edhe për publikun, me të cilin kam folur. Të jemi të qartë se një pjesë e atij publiku ndoshta mbrëmë për herë të parë ka dëgjuar gjuhën shqipe në skenë. Vërtet përshtypjet e atij publiku kanë qenë të jashtëzakonshme. Dhe unë them që aty është potenciali i kësaj shfaqjeje, sepse komunikon në dy gjuhë dhe publiku, i cili ndoshta e di njërën gjuhë dhe nuk e di tjetrën, megjithatë nuk ka problem ta akceptojë dhe ta shijojë atë shfaqje.
DW: A mund të thuash se kultura bën më shpejt ndryshimet, vendos normalitetin më parë se marrëveshjet politike?
Neziraj: Kjo është dëshmuar edhe më heret, por u dëshmua edhe me këtë shfaqje. Duket ndoshta superambicioze të themi, por kultura dhe veçanërisht teatri, i kanë hapur rrugën edhe këtij dialogu politik, që është zhvilluar këto dy vitet e fundit në mes qeverive në Beograd dhe Prishtinë. Në këtë kontekst unë nuk kam dyshime, që ne kemi qenë ata kasnecët e bashkëpunimit dhe kemi mundësuar, që njerëzit edhe në Beograd edhe në Prishtinë, publiku dhe artistët, të komunikojnë çlirshëm dhe të mundësojnë normalizimin e raporteve, qoftë kulturore qoftë edhe politike.
DW: Sa ju kanë ndihmuar autoritetet, Ministritë e Kulturës për shembull për realizimin e projektit? Nga kush keni marrë mbështetje?
Neziraj: Përveç mbështetjeve, që kanë ardhur nga Komisioni Evropian dhe donatorët të tjerë, përfshirë edhe zyrat e Sorosit në Prishtinë edhe Beograd, projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Kemi patur mbështetje të fuqishme nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd.
DW: Në filmat shqiptarë dhe serbë deri tani ka patur raste, ku ka qenë e pranishme gjuha e urrejtjes. Sa e vështirë është për ju të vësh në jetë projekte të tilla?
Neziraj: Projektet e kësaj natyre janë me të vërtetë sfidë në një ambjent, i cili nuk është shumë dashamirës ndaj këtyre iniciativave. Fatkeqësisht për shkak të së kaluarës armiqësore projekte të kësaj natyre shihen me shumë dyshime. Mandej njerëzit, që janë të përfshirë në këto lloj ndërmarrjeje janë cak i etiketimeve dhe shantazheve të ndryshme. Megjithatë koha ka dëshmuar që njerëzit, që kanë patur guximin të përfshihen në këto lloj projektesh janë heronjtë e paqes, e këto heronj të paqes janë në numër të vogël. Në Serbi janë në numër të vogël edhe në Kosovë. Megjithatë nuk janë një zë i parëndësishëm. Ata po bëhen gjithnjë e më insistues dhe më të vendosur ta çojnë përpara këtë lloj komunikimi, që para së gjithash është komunikim njerëzor. Duhen falenderuar njerëzit, që kanë qenë të përfshirë dhe kanë besuar në këtë projekt, para së gjithash aktorët, që edhe mbrëmë kanë patur barrën e prezantimit dhe megjithë kushtet e pavolitshme ata u dëshmuan se janë këmbëngulës e duan zanatin e teatrit dhe njejtë do të jetë edhe për prezantimin në Prishtinë.
DW: Kur do të jetë shfaqja në Prishtinë?
Neziraj: Në Prishtinë shfaqja do të jetë me 15 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Unë që tani e di se publiku në Prishtinë do të jetë i emocionuar, do ta presë jashtëzakonisht mirë faktin, që aty në atë skenë për herë të parë do të luajë në gjuhën shqipe Uliks Fehmiu, i biri i Bekim Fehmiut. Dhe unë nuk kam dyshim se kjo do të jetë ngjarje – duke lënë anash modestinë- vërtet historike.