🌤️
Tiranë 18°C · Kryesisht kthjellët 22 Tetor 2026
S&P 500 7,667 ▼1.17%
DOW 52,850 ▼0.01%
NASDAQ 26,115 ▼2.2%
NAFTA 98.75 ▲1.65%
ARI 4,064 ▼2.07%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
₿ CRYPTO
BTC $81,545 ▼ -3.64% ETH $2,392 ▼ -4.53% XRP $1.3259 ▼ -3.81% SOL $104.3800 ▼ -3.56%
S&P 500 7,667 ▼1.17 % DOW 52,850 ▼0.01 % NASDAQ 26,115 ▼2.2 % NAFTA 98.75 ▲1.65 % ARI 4,064 ▼2.07 % S&P 500 7,667 ▼1.17 % DOW 52,850 ▼0.01 % NASDAQ 26,115 ▼2.2 % NAFTA 98.75 ▲1.65 % ARI 4,064 ▼2.07 %
EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779 EUR/USD 1.1232 EUR/GBP 0.8386 EUR/CHF 0.9261 EUR/ALL 90.8150 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4983 EUR/TRY 55.7642 EUR/JPY 177.57 EUR/CAD 1.5779
22 Tet 2026
Breaking
Opinion

“Shqiptarët nuk ekzistojnë për t’ju shërbyer juve”: Ish-këshilltari holandez i Ministrit të Drejtësisë i bën thirrje Ramës të largohet

“Shqiptarët nuk ekzistojnë për t’ju shërbyer

Në prill të vitit 2022, Exit.al publikoi një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Edi Rama nga Ton Daans, ish-drejtor burgu në Holandë, tashmë në pension, i cili në vitet 2018–2020 punoi si këshilltar i huaj i Ministrit të Drejtësisë për çështjet e burgjeve.

Daans e shkroi letrën pasi u rrëzua në një trotuar të dëmtuar në Tiranë dhe përfundoi në Spitalin e Traumës. Në të ai rendiste një varg dështimesh në trajtimin e tij: personeli mjekësor i diagnostikoi një frakturë që më pas një specialist holandez konstatoi se nuk ekzistonte; ndonëse kishte dëmtim në kokë dhe merrte hollues gjaku, ai u konsiderua “në gjendje për të fluturuar” pa asnjë ekzaminim neurologjik. Nisur nga rasti i tij, Daans argumentonte se shëndetësia publike shqiptare është larg standardeve europiane.

Por, siç Daans shkruan tani, ajo që pasoi ishte domethënëse. Letra u diskutua në parlament, ku Rama ia hodhi fajin opozitës për gjendjen e sistemit. Spitali bëri publike kartelën e tij mjekësore. Ministria e Drejtësisë ndërpreu pa u ndjerë bisedimet për rinovimin e angazhimit të tij si këshilltar për çështjet e burgjeve.

Katër vjet e gjysmë më vonë dhe pas shumë muaj protestash, studentët dhe qytetarët po përballen me reagimin e ashpër të policisë. Daans i shkruan sërish kryeministrit Rama. Ai thotë se modeli nuk ka ndryshuar: përgjegjësia i pasohet dikujt tjetër, mungon aftësia për vetëreflektim, dhe “dialogu” që ofrohet përkthehet në represalje në praktikë.

Më poshtë po botojmë të plotë letrën e dytë të Ton Daans. Titulli dhe ilustrimi janë të redaksisë së Exit.al.

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit Edi Rama

Zoti Kryeministër,

Në pranverën e vitit 2022, ju shkrova një letër të hapur pasi isha mjekuar në Spitalin Universitar të Traumës për dëmtimet që pësova nga një rrëzim në Tiranë.

Ajo letër e hapur gjeti jehonë të gjerë publike dhe madje u bë shkak për një debat në Kuvendin e Shqipërisë.
Në letër shpreha shqetësimet e mia për cilësinë e shërbimit shëndetësor në vendin tuaj – një çështje që, krahas shqetësimeve për cilësinë e arsimit dhe korrupsionin, rëndon mbi shumë qytetarë.

Nuk mora kurrë një përgjigje (të drejtpërdrejtë) prej jush. Ajo që kuptova, nga raportimet në media të debatit parlamentar, ishte se ju zgjodhët t’ia hidhnit fajin opozitës politike.

Në vend të një vetëreflektimi kritik, u hodhën akuza ndaj opozitës që ju kishte lënë trashëgim një gjendje jashtëzakonisht negative. Me fjalë të tjera, trajtimi i keq që mora nuk ishte pasojë e politikave tuaja, por e veprimeve të paraardhësve tuaj në qeveri.

Në fakt, ju nuk i dëgjuat vërejtjet e mia kritike – të cilat, në të vërtetë, i kishin edhe shumë qytetarë – dhe kuptova qartë se ju dhe qeveria juaj ishit krejtësisht të paaftë për vetëreflektim.

Për më tepër, ju më “ndëshkuat”. Bisedimet që po zhvilloheshin në atë kohë për një angazhim të ri timin u ndërprenë nga Ministria e Drejtësisë pa asnjë njoftim, dhe që atëherë nuk kam marrë asnjë angazhim tjetër.

Gjithashtu, mbeta krejtësisht i habitur dhe i tronditur kur drejtuesit e spitalit e bënë publike kartelën time mjekësore pa as më të voglin turp.

U ndjeva i fyer rëndë dhe i poshtëruar nga reagimet (e tërthorta) ndaj meje, pasi kisha qëllime pozitive kur kërkova dialog me ju për shqetësimet e mia.

Tani jemi në vjeshtën e vitit 2026.

Prej muajsh, qytetarët tuaj po protestojnë në mënyrë paqësore kundër një sërë planesh të propozuara nga ju dhe kundër politikave të qeverisë suaj.

Gjatë javës së kaluar, protestave iu bashkuan nxënës dhe studentë. Tashmë protestat kanë patur shpërthime dhune, të cilat janë përballur me një reagim të ashpër dhe joproporcional të policisë, reagim të paparë deri tani.

Edhe këtë herë, qytetarët që protestojnë ju akuzojnë se nuk i dëgjoni shqetësimet e tyre kritike, se nuk i dëgjoni ata. Edhe këtë herë, ju nxitoni t’ua hidhni fajin të tjerëve, pa treguar asnjë lloj aftësie për vetëreflektim.

Është i njëjti model si në vitin 2022.

“Dialogu” për të cilin ju bëni thirrje përkthehet, në praktikë, në represalje, masa të rënda penale e administrative, dhe ndërhyrje të ashpra të policisë. Dhuna e ushtruar në emër të qeverisë suaj nuk mund të konsiderohet ftesë e sinqertë për një dialog të balancuar. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale kanë shkaktuar dënim dhe neveri ndërkombëtare.

Prandaj nuk është për t’u habitur që karriget që vendosët para kryeministrisë të martën, më 20 tetor, mbetën bosh. Njerëzit i thyen karriget, një mënyrë metaforike për të treguar se nuk duan të flasin me ju.

Është e qartë për të gjithë, dhe për rrjedhojë duhet të jetë e qartë edhe për ju, se populli shqiptar nuk dëshiron dialog me ju dhe me klasën politike në pushtet.

Një qeveri e një shteti demokratik ekziston për t’i shërbyer popullit të saj. Populli nuk duhet të përballet kurrë me shpërthime të shfrenuara e të jashtëzakonshme tërbimi nga aparati shtetëror; përkundrazi, ai duhet të mbrohet nga një dhunë e tillë.

Ju keni një kontratë shoqërore me popullin tuaj. Ju po e shkelni rëndë këtë kontratë dhe, duke gjykuar nga reagimet tuaja, duket se jetoni në universin tuaj “jashtëtokësor” – në flluskën tuaj, ku krijoni realitetin tuaj – pasi keni humbur çdo lidhje me qytetarët. Ky është një konstatim i hidhur.

Ju bëj thirrje t’i jepni fund dhunës ndaj qytetarëve tuaj – si të rriturve, ashtu edhe të miturve – dhe të respektoni standardet kombëtare e ndërkombëtare të shtetit të së drejtës.

Karriera juaj politike dhe mirëqenia juaj personale nuk kanë përparësi ndaj mirëqenies së popullit tuaj. Ju e mbani këtë detyrë për t’i shërbyer atij, dhe jo e kundërta. Shqiptarët nuk ekzistojnë për t’ju shërbyer juve.

Nga këndvështrimi i popullit tuaj, ju jeni problemi; prandaj është krejtësisht e pamundur që të jeni pjesë e zgjidhjes.

Tregohuni i mençur. Dëgjoni popullin tuaj dhe shmangni dhunën dhe gjakderdhjen.

Populli dëshiron një Shqipëri të re; jepini popullit tuaj një Shqipëri të re.

Ton Daans
Këshilltar Ndërkombëtar Penitenciar dhe ish-këshilltar i Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë

Eindhoven, Holandë

21 tetor 2026

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.