Bota

Shtëpia e Bardhë i kërkon Kongresit të miratojë shitjen e predhave për tanket izraelite

Administrata e Presidentit Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë shitjen e 45 mijë predhave për tanket izraelite që po përdoren në ofensivën kundër Hamasit në Gazë, sipas një zyrtari amerikan.

Kërkesa e Uashingtonit ka shtuar shqetësimet në rritje mbi furnizimin me armatime amerikane të luftës që ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve në rajonin palestinez që prej sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit dy muaj më parë.

Shitja e këtyre predhave kap shifrën e 500 milionë dollarëve, ndërsa procesi po shqyrtohet nga komisionet përkatëse për Marrëdhënet me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Një zyrtar amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej, dhe ish zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Josh Paul, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Departamenti Amerikan i Shtetit po i nxit komisionet e Kongresit që ta miratojnë shitjen, pavarësisht kundërshtimeve nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbi përdorimin e armëve amerikane në konflikitin mes Hamasit dhe Izraelit.

Sipas zyrtarit amerikan, administrata e Presidentit Biden gjithashtu po shqyrton mundësinë e përdorimit të aktit emergjent për kontrollin e eksportit të armëve për të bërë të mundur që për një pjesë të municioneve, 13 mijë nga 45 mijë predha, të anashkalohen komisionet dhe procesi i rishikimit, dhe pse sipas tij nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

Shtetet e Bashkuara vendosën të premten veton ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara, që bënte thirrje një armëpushim të menjëhershëm të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, duke izoluar diplomatikisht Uashingtonin ndërsa mbron aleatin e tij.

Uashingtoni thotë se armëpushimi do t’i jepte mundësi Hamasit që të riorganizohej dhe në vend të armëpushimit përkrah ndërprerjen e përkohshme të luftimeve për të mbrojtur civilët dhe për të bërë të mundur lirimin e pengjeve të marra nga militantët gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit në Izrael.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera e kanë shpallur Hamasin organizatë terrorriste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button