Shteti ku mund të zgjidhni vetë normën e tatimit
Jashtë një ndërtese të verdhë, një burrë po lidh me litar një dash pas kangjellave. Nuk është një pamje e pazakontë, ai me shumë gjasa sapo e ka blerë kafshën dhe ka një porosi në zyrën e tatimeve gjatë rrugës për në shtëpi.
Brenda, një radhë arkëtarësh janë ulur pas xhamit të trashë. Secili ka një çantë dore të lënë shkujdesur mbi banak. Secila çantë është e një ngjyre të ndryshme. Mali, me gjithë varfërinë dhe problemet, gjithmonë të godet me çaste të bukurisë aksidentale.
Por sytë e arkëtarëve kanë ngecur gjetkë nga mungesa e aktivitetit. Fondi Monetar Ndërkombëtar beson se Mali ka potencialin të përmirësojë rritjen e të ardhurave me 20 për qind. Kjo nuk po ndodh këtu.
Misioni im, të regjistrohem si taksapagues, më çon pas arkëtarëve, në zyrën e vogël të zonjës Yattara. Ajo e ndan atë me tre kolegë. Ka nga një çantë dore në çdo tavolinë. Ka edhe një kompjuter gjithashtu. Përdoret për të printuar formularët e deklarimit të taksave. Por të gjitha të dhënat kopjohen në fletore ushtrimesh. Disa në bojë të kuqe, disa në blu.
E takova për herë të parë zonjën Yattara, një grua të zgjuar me syze, gjatë censusit vjetor të tatimit. Kohë gjatë të cilës i gjithë stafi, duke mbajtur në duar dosje, largohet nga zyra në kërkim të më shumë taksapaguesve në lagje.
Ka gjithmonë nga një viktimë – një dyqanxhi i pafat që mbyll aktivitetin si një shembull për të tjerët. Këtë vit një shitës pijesh freskuese mori një faturë tatimore prej 80,000 frangash CFA, që është afërsisht 160 dollarë dhe kur ai nuk mundi të paguajë, ata i mbyllën dyqanin.
Pas një jave ai ofroi të paguante gjysmën e shumës dhe i dha disa pije stafit të tatimeve. Problemi u zgjidh.
Zonja Yattara më çon te shefi i saj, zoti Kante. Ai ka një zyrë të gjithën për vete dhe më ofron të ulem në një vend nga ku mezi mund ta shoh.
Librat e tatimeve dhe kopje të dekreteve të Ministrisë së Financave e kanë rrethuar të gjithë tryezën e tij. Ai më pyet për shpenzimet e mia si një gazetar në profesion të lirë. Është demoralizuese, sepse ai po shkruan gjëra, por unë nuk arrij ta shoh se çfarë.
“Ne kemi zgjidhjen midis dy regjimeve të tatimit të të ardhurave, 30 për qind apo 3 për qind, cilën zgjedh?” “Epo, 3 për qind?” i përgjigjem unë. “Tre për qind qoftë!” thotë ai duke shtuar se do të shkojmë të takojmë shefin e tij.
Kjo nuk më trazon. Hierarkia është çdo gjë në Mali. Përgjatë rrugës për të rregulluar çështjet e jetës së përditshme më është dashur të takoj drejtorët e bordeve të energjisë elektrike, ujit dhe postës në Mali.
Imagjinoj se është shumë e rrallë për dikë që të vijë nga rruga dhe të ofrojë të paguajë taksën e të ardhurave, aq sa dhe shefi do të donte ta takonte. Zyra e zotit Kantako është shumë e madhe, me karrige që gjenden nga të tria muret. Por është edhe normale, sepse në Malin hierarkik, njerëzit lëvizin në delegacione. Takimi përmban shumë mirësjellje. Si për çudi, ai pret që unë të ofroj qëndrimin e qeverisë të Mbretërisë së Bashkuar për kërkesat nga rebelët Tuareg për vetëqeverisjen në Malin Verior.
“Britania do vetëm paqe”, them unë i lodhur. Të gjitha energjitë e mira do të shkojnë në përpjekjen për të paguar vetëm 3 për qind si tatim për të ardhurat.
Shefi i tatimit i kërkon zotit Kante t’i thotë me pak fjalë çështjen time. Të dy burrat marrin një makinë llogaritëse dhe dalin me një shifër përfundimtare prej 236,160 frangash ose ndryshe, 380 dollarë.
“Do të doja një shifër më të rrumbullakosur”, thotë pastaj zoti Kantako. “Dhe paundi është i fortë – mendoj se do të donim 300,000 franga, rreth 485 dollarë nga ju”.
Ai më jep atë shikimin pyetës me sytë hapur që e gjen kudo kur blen diçka nëpër Mali. Si për të thënë “kjo është oferta ime, cila është juaja?”.
“Oh, dhe e duam në para të thata”, thotë ai, “por do të merrni një faturë”.
Zoti Kante ofron disa shpjegime teksa ne kthehemi nga zyra e shefit. “Tetëdhjetë për qind e ekonomisë së Malit është informale”, thotë ai. “Qeveria beson se norma 3 për qind do të tërheqë më shumë taksapagues. Çfarë nuk kuptojnë njerëzit është se, siç janë punët, ne përpiqemi të mbledhim 1 për qind ose 2 për qind. Ndaj kjo normë e re përfaqëson një rritje!”.
Sipas kësaj llogarie, autoritetet tatimore të Malit kanë fituar mirë prej meje. Ndoshta sepse unë çuditërisht dola vullnetar për të paguar taksat, ndjenja e drejtësisë e ndaloi stafin të më vinte në grumbullin e 30 përqindëshit ku ndoshta kam vendin.
Teksa largohem, po kështu bën edhe burri me dash. Por dashi mbetet i lidhur te kangjellat. “Zotëri!” – e thërras unë. Ai kthehet. “Po dashi juaj?” Ai tund kokën dhe më thotë “Jo, jo, ua kam dhënë atë atyre” dhe kështu largohet.
*Burimi: Alex Duval Smith, BBC