Rajoni

Shteti më tërheqës për punësimin e të rinjve në Maqedoni

Shteti është punëdhënës i sigurtë në Maqedoni, por jo të gjithë mund të punojnë aty. Të rinjtë maqedonas megjithë papunësinë e lartë, kanë pak guxim të hapin biznese private. Ku qëndrojnë arsyet?

Papunësia e gjeneratave të reja nën 30 vjeç, apo ndryshe e të sapo- diplomuarve, është një nga problemet më serioze me të cilin po ballafaqohet Maqedonia. Të dhënat zyrtare flasin se gjysma e të rinjve, gjegjësisht 46% e moshës nga 18 deri 29 vjeç , është e papunë. Numri i madh i të papunëve shpjegohet me faktin se të rinjtë në Maqedoni më shumë preferojë punësimin në administratën shtetërore, sesa të hapin biznese individuale. Punësimi në administratën publike në vend të sektorit privat, është një trend i cili viteve të fundit po ndiqet nga rinia në Maqedoni.

Hulumtimet e fundit në këtë temë tregojnë se përqindja më e madhe e të rinjve, pas përfundimit të arsimit sipëror, dëshirojnë të punësohen në institucionet shtetërore.“ Për momentin jam e punësuar në një firmë tregtare, në sektorin privat. Jam juriste e diplomuar dhe po të më jepet mundësia e parë, unë do të punësohem në administratën shtetërore, sepse aty ndjehem më e sigurtë”, thotë Sonja Kostandimova nga Shkupi.

Edhe Agim Beluli , i posa diplomuar nga Kumanova, preferon punën në institucionet shtetërore. “Ka më shumë beneficione, rrogat janë më të mira dhe vendi i punës është më i sigurtë.”

Studenti Arsim Beqiri nga Shkupi dëshiron të bëhet mësues. “Në kompani private as që mendoj të punësohem sepse përvojat e shokëve të mi tregojnë se aty punohe tshumë vështirë ”, thotë ai.

Frika nga sektori privat

Në raportet e progresit të Komisionit Europian, disa herë është theksuar si problematik fakti që të rinjtë në Maqedoni më shumë preferojnë punësime në administratën shtetërore, sesa në sektorin privat. Aleksandar Cvetkovski nga OJQ “AGTIS” , thotë se dëshira e të rinjve për tu punësuar në administratën shtetërore, qëndron në traditën, sigurinë dhe fleksibilitetin që ofrojnë vendet e punës në sektorin shtetëror. “Në administratën shtetërore punohet më pak, ka më tepër kohë të lirë dhe ndjenja e sigurisë është më prezente, pra për mos humbjen e vendit të punës. Këtë ishin përgjigjet më të shpeshta të dhëna nga hulumtimi që ka bërë OJQ-ja jonë për punësimin e të rinjve”, shprehet Cvetkovski.

Po nga i njejti hulumtim , vetëm 8% e të rinjve të anketuar janë shprehur të gatshëm që pas përfundimit të studimeve të fillojnë ndonjë biznes individual. “Nëse kam ndonjë plan të detajuar, pse jo do të filloja ndonjë biznes me të cilin do të fitoja më shumë para. Unë nga natyra nuk e shoh veten të punoj në një zyrë shtetërore i mbyllur 8 orë në ditë”, thotë Goran Trajkovski nga Shkupi. “Nëse kemi ndihmë nga shteti për hapjen e biznesit, pse jo do të provoja edhe në këtë sektor. Me siguri se të ardhurat mujore do të ishin më të mëdha sesa po të punoja në ndonjë institucion shtetëror”, thotë Teuta Rahimi nga Shkupi.

Të jesh sipërmarrësi kërkon shkathtësi

Qeveria e Maqedonisë ka realizuar disa fushata për të inkurajiuar të gjithë të rinjtë që kanë diplomuar në lëmi të ndryshme, të hapin një biznes privat, duke reklamuar praktikat e brendeve të njohura botërore. Por, Donka Kosturanova nga Qendra Maqedonase e të Rinjve, konsideron se këto fushata nuk kanë efekt, sepse në esencë Maqedonia prodhon kuadër të diplomuar që në raste të shumta është i pakualifikuar . Kjo reflektohet me mungesën e guximit dhe ideve për të hapur biznes privat. “Fushatat nuk krijojnë sipërmarrës sepse biznesi kërkon posedim të shkathtësive dhe njohurive për biznese të caktuara”, vlerëson Kosturanova.

Interesi tek të rinjtë për fillimin e biznesit individual ekziston, por njëkohësisht ekziston edhe frika nga mungesa e informacioneve se sa i suksesshëm mund të jetë biznesi i tyre, thotë Zoran Ilievski nga Koalicioni i të rinjve” Sega”. “Krahas ekzistimit të masave për përkrahjen e hapjeve të bizneseve për të rinj, tek grupmoshat e reja edhe më tej ekziston dyshimi tek sektori privat. Ata nuk janë të gatshëm për të rrezikuar prandaj orientohen në punësime në administratën shtetërore”, shprehet Ilievski.

Politikat arsimore duhet të promovojnë sektorin privat

Drejtori i Forumit arsimor të të rinjve Marjan Zabrçanec, thotë se Maqedonia është lider në Europë për papunësinë e të rinjve. Mosbesimi i të rinjve tek institucionet e sistemit, ndërthurur me mungesën e besimit në vetvete, rezulton me faktin se të rinjtë, të ardhmen e tyre më shumë e shohin jashtë vendit sesa tek një punësim i sigurtë në administratën shtetërore apo në sektorin privat në Maqedonia .

“Politikat arsimore te ne, më tepër synojnë sasinë sesa cilësinë. Ne duhet urgjentisht të bëjmë ndryshime rrënjësore në sistemin e lartë arsimor, të përgatisim të rinjtë që më me guxim dhe besim t’a pranojnë sektorin privat, i cili në shumë shoqëri dukshëm zbut numrin e papunësisë”, thotë Zabrçanec.

Të dhënat zyrtare flasin se deri tani, duke shfrytëzuar përparësitë që ofron qeveria për hapjen e biznesit individual në Maqedoni rreth 3.500 të rinj kanë filluar biznesin e tyre privat, madje kanë punësuar edhe të tjerë. Ky trend duhet të përkrahet edhe më shumë sepse kjo është rruga më e sigurtë për uljen e papunësisë te të rinjtë në vend, thonë autoritetet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button