Si ra në pranga gjyqtari i Apelit? Kontrolli për 20 mijë euro, iu gjetën mbi 250 mijë
Shkëlqim Miri, gjyqëtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë u ndalua me urdhër të Prokurorisë për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij iu sekuestruan gjatë kontrollit me vendim gjykate 174 mije euro, mbi 10 milionë lekë dhe 1 mijë dollarë.
Burime të Top Channel shpjegojnë se dyshohen si pjesë e kësaj afere korruptive edhe katër shtetas të tjerë, që nga ndërmjetësi, deri tek një i afërt i Dodës, i cili ka fituar lirinë që nga vera 2017.
Nga këqyrja e një kamere sigurie në një lokal në Fushë-Krujë, thanë burimet, në muajin maj 2017 shfaqet ndërmjetësuesi duke marrë paratë.
Dyshimet janë të jenë paguar 20 mijë euro për të ndryshuar veprën nga vrasje, në plagosje e rëndë me dashje, një vepër kjo që ishte rikualifikuar nga Shkalla e Parë e Matit.
Pas këtij dorëzimi një i dyshuar tjetër njofton më pas të dënuarin Doda përmes Ëhats App se për dy javë çështja sistemohej, ashtu sikurse edhe ka ndodhur në të vërtetë.
Me metoda speciale të hetimit, Krimet e Rënda kanë mundur të improvizojnë sekuestrimin e përkohshëm të një telefoni nga një postbllok policie, për të cilin i është komunikuar përdoruesit se dyshonin që aparati ishte i vjedhur e për këtë arsye duhet të kryheshin disa verifikime.
Burimet bëjnë me dije se fillimisht hetimi ka nisur për një trupë tjetër gjyqësore të Shkallës së Parë Mat, e cila edhe ka hapur lojën për dosjen “Doda”, që është shikuar e rishikuar nga gjykata në gjykatë që prej vitit 2001, atehërë kur ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet burgim.
Shkëlqim Miri ka një karrierë 25-vjeçare në drejtësi, që nga gjyqtar i Shkallës së Parë, më tej gjyqtar Apeli në Durrës, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga 2007 në 2011 dhe së fundmi gjyqtar i Apelit në Tiranë.
Pas ndalimit të tij Prokuroria për Krime të Rënda do të kërkojë vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe masën arrest me burg, ndërkohë që për herë të parë pas ndryshimeve ligjore akuza nuk kalon përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë autorizim për ndalimin.
Këshilli i Lartë të Drejtësisë në fakt do të duhet te mblidhet në një moment të dytë për gjyqtarin Miri dhe tema e ditës do të jetë pezullimi i tij nga detyra.