🌤️
Tiranë 14°C · Kryesisht kthjellët 06 April 2026
S&P 500 6,604 ▲0.32%
DOW 46,600 ▲0.2%
NASDAQ 21,981 ▲0.46%
NAFTA 112.47 ▲0.83%
ARI 4,683 ▲0.07%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1543 EUR/GBP 0.8724 EUR/CHF 0.9217 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4133 EUR/TRY 51.3830 EUR/JPY 184.04 EUR/CAD 1.6060 EUR/USD 1.1543 EUR/GBP 0.8724 EUR/CHF 0.9217 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4133 EUR/TRY 51.3830 EUR/JPY 184.04 EUR/CAD 1.6060
₿ CRYPTO
BTC $69,740 ▲ +3.39% ETH $2,142 ▲ +3.66% XRP $1.3412 ▲ +2.89% SOL $81.8300 ▲ +2.22%
S&P 500 6,604 ▲0.32 % DOW 46,600 ▲0.2 % NASDAQ 21,981 ▲0.46 % NAFTA 112.47 ▲0.83 % ARI 4,683 ▲0.07 % S&P 500 6,604 ▲0.32 % DOW 46,600 ▲0.2 % NASDAQ 21,981 ▲0.46 % NAFTA 112.47 ▲0.83 % ARI 4,683 ▲0.07 %
EUR/USD 1.1543 EUR/GBP 0.8724 EUR/CHF 0.9217 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4133 EUR/TRY 51.3830 EUR/JPY 184.04 EUR/CAD 1.6060 EUR/USD 1.1543 EUR/GBP 0.8724 EUR/CHF 0.9217 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4133 EUR/TRY 51.3830 EUR/JPY 184.04 EUR/CAD 1.6060
06 Apr 2026
Breaking
Kronika

Si u sajua kurthi me shtetasin italian që u pagua për të shpifur ndaj Veliajt në 2023 dhe zbulimi i mashtrimit

Javën e kaluar, në Dhomën Penale të gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fitoi gjyqin ndaj shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, i cili me deklarimet e tij në emisionin “Piranjat”, në Syri Tv, në vitin 2023, kishte shpifur ndaj tij lidhur me çështjen e inceneratorëve.

Lajmi i mbylljes së gjyqit u bë publik sot, por kjo histori, dy vite më parë, nxiti një valë hetimesh dhe debati publik, që kulmuan me protesta të dhunshme me molotovë para Bashkisë së Tiranës.

Por, si lindi historia e shpifjes së italianit Longinotti, kush u përfshi në të dhe pse u targetua Erion Veliaj?

Pak javë para zgjedhjeve të vendore të vitit 2023, kur Erion Veliaj fitoi mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, emisioni “Piranjat” transmetoi dy intervista të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longhinotti, i cili e akuzonte Veliajn se kishte lidhje me blerjen e një inceneratori të dështuar. Sipas deklaratave të Longinotti-t, pajisja e inceneratorit ishte marrë nga një kompani në Rumani, pasi nuk ishte shitur dot as në tregje të tjera si Zimbabve. Sipas intervistave, Longinotti pretendonte se kishte zhvilluar disa takime me Veliajn, herë në Itali pranë zyrave të kompanisë “Bruno Presezzi” SPA, e herë në Tiranë, në ambiente publike.

Menjëherë pas transmetimit të intervistave, Veliaj ngriti një padi për shpifje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimi i së cilës u bë publik sot. Në një dalje për mediat, avokatët e Veliajt njoftuan se padia penale për shpifje ishte bërë kundër Televizionit Syri, emisionit “Piranjat, gazetarit Bledian Koka, dhe producentit Vojo Bregu, duke e cilësuar intervistat në fjalë si një shpifje ordinere dhe falsifikim faktesh.

“Përveçse një shpifje ordinere alla ‘babale’, duket qartë se kjo është një skemë mashtrimi, e cila ka si qëllim vetëm garën elektorale dhe denigrimin e kandidatit të PS”, u shprehën ata në vitin 2023.

Vetë Veliaj e komentoi kështu në atë kohë historinë: “Dëshpërimi i Foltores dhe gjendja e rëndë në të cilën ndodhet dyshja Berisha-Meta, shkojnë deri atje sa përdorin televizionin e Zenit, paratë e Vojos dhe sajesat e një shtetasi italian, të certifikuar me vendim gjykate si mashtrues ordiner, për të kapur ndonjë votë aty-këtu. Por, përveç përgjigjes së merituar që do të marrin nga qytetarët e Tiranës në 14 maj, non-gratat dhe delfinët e tyre do të detyrohen ligjërisht të përgënjeshtrojnë shkronjë për shkronjë e fjalë për fjalë të gjitha shpifjet e sajuara”.

Por, si qëndron historia e mashtrimit të italianit Longhinotti?

Duket se gjithçka ishte një sajesë për hakmarrje e personale, për të sulmuar ish-ortakun e tij, Alberto Presezzi, i cili e kishte denoncuar më herët Longinotti-n për mashtrim. Pas këtij denoncimi Longinotti u arrestua në muajin prill të vitit 2021, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën e mashtrimit. Longinotti u akuzua për mashtrim ndërkombëtar ndaj kompanisë “BP”, së cilës i ka vjedhur shumën prej rreth 1 milion eurosh, si dhe akuzohej për falsifikim dokumentesh bankare. Mësohet se i njëjti person është vetëofruar në disa televizione si dëshmitar, duke pretenduar se di skandale të mëdha edhe pse nuk ka asnjë dokument apo provë që të mbështesë deklarimet e tij, por me këtë synon të sulmojë ish ortak. “Piranjat” raportuan se Longinotti ishte takuar disa herë me Veliajn, herë në Itali, në zyrat e “Bruno Presezzi” SPA, herë në Tiranë, në “Cioccolati Italiani” dhe restorantin “Tribe”.

Mashtrimi i Syri Tv dhe e vërteta e Longinotti-t

Në shtator 2025, në media u bë publik fakti se avokatët e Veliajt kishin dorëzuar në gjykatë një deklaratë noteriale të nënshkruar më 24 shtator 2025 në Modena, përpara noteres Rosa Chiarini. Në këtë dokument, Gabriele Tarroni Longinotti tërhiqet nga çdo akuzë e mëparshme që kishte hedhur ndaj Veliajt në intervistat e transmetuara në Syri TV, duke pranuar se deklarimet e tij ishin të pavërteta dhe të nxitura nga premtime financiare.

Në këtë dëshmi ai sqaronte: “Se nuk e ka parë apo takuar kurrë Erion Veliajn në Itali, as të vetëm e as me të tjerë, dhe as që një vizitë e tillë të ketë lidhje me çështjen e inceneratorit. Se nuk ka pasur asnjë kontakt me Veliajn, as në Tiranë e as jashtë vendit, nëpërmjet takimeve apo komunikimeve të tjera si telefonata apo mesazhe. Se nuk ka pasur dijeni apo prova që Veliaj të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit të kompanisë në Rumani. Se të gjitha pohimet e bëra në intervistat e tij ishin të pavërteta dhe ishin dhënë në këmbim të përfitimeve të ofruara nga media dhe individë të lidhur me to”.

Në deklaratën e tij noteriale Longinotti thotë:

“Unë, Gabriele Tarroni Longinotti, në vitin 2023 kam dhënë dy intervista për gazetarët e programit ‘Piranjat’, të transmetuara nga televizioni ‘Syri TV’ në Shqipëri, dhe të publikuara gjithashtu në faqen e internetit të ‘Syri TV’ dhe në kanalin e tyre në YouTube… Në lidhje me të gjitha deklaratat e mia për zotin Erion Veliaj në këto dy intervista, si dhe për deklarata që nuk i kam dhënë asnjëherë gazetarëve apo publikut, por që më pas janë transmetuar nga i njëjti program televiziv, unë deklaroj:

(1) Nuk kam parë kurrë z. Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në prani të personave të tjerë, në Itali apo të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të kishte lidhje me inceneratorin;
(2) Nuk e kam takuar kurrë z. Erion Veliaj, as personalisht as në prani të personave të tjerë, as në Itali as në Shqipëri, në “Cioccolati Italiani” apo “Tribe”, dhe as nuk kam komunikuar me të, as personalisht as përmes personave të tjerë, me telefonata, mesazhe apo në ndonjë formë tjetër komunikimi;
(3) Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;
(4) Të gjitha deklaratat që kam dhënë në lidhje me z. Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat” në “Syri TV”, si edhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to, për përfitime financiare.

Reagimi i Veliajt

Këtë deklarim noterial, në të cilin shtetasi italian Gabriele Tarroni Longinotti pranonte se ishte paguar në vitin 2023 për të shpifur kundër kryebashkiakut Veliajt në lidhje me çështjen e inceneratorit, e publikoi edhe vetë Veliaj. Ai tha se deklarimet e Longinotti-t sollën nisjen e protestave para Bashkisë së Tiranës, të cilat më pas u amplifikuan edhe me letrën anonime të Nesti Angonit, si pjesë e kurthit të ngritur ndaj tij. Veliaj tha se përmes këtij kurthi u prodhua një hetim i paligjshëm mbi bazën e anonimatit, një vetting 20-vjeçar i gjithë jetës së tij që nga rinia, sabotim i Kryeqytetit pikërisht në kulmin e suksesit, persekutim çnjerëzor ndaj familjes së tij dhe një izolim grotesk, sikur të ishte kriminel lufte apo drejtues kartelesh.

Postimi i Veliajt:

Uroj të jeni mirë!

Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!

Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.

Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen.

E bëj këtë për disa grupe:

– [ ] Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.
– [ ] Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!
– [ ] Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrike! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re.

Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.