Si u vodh makina e atentatit në Vlorë…pronari ju ‘servir’ vrasësve në internet
Në janar të këtij viti, makina ngjyrë bezhë BMW e vitit 2006 është nxjerrë në internet në portalin MerrJep, aty ku njerëz të shumtë nxjerrin në shitje makina e produkte të tjera.
Ajo është e njëjta makinë që u përdor nga atentatorët ende të paidentifikuar në Vlorë, ku mbetën të vrarë kreu i OSHEE-së Roland Saliu dhe pronari i një televizioni lokal në qytetin bregdetar, Erven Hyseni. Pas ngjarjes së rëndë, breshërisë me kallashnikov në lokalin tek Sheshi i Flamurit, autorët janë larguar me makinën BMW me targë AA 348 PC, dhe e kanë djegur atë në Panaja, duke u larguar më tej në drejtim të paditur. I njëjti automjet figuron ende i ‘reklamuar’ për shitje në faqen në internet, ku pronari ka lënë edhe të dhënat e tij. Adresën e shtëpisë së tij në Durrës, numrin e telefonit, si dhe informacionet për makinën. Sipas hetimeve të para të policisë automjeti rezulton të jetë vjedhur në Durrës para 10 ditësh. Autorët ndoshta e kanë pasur shumë të thjeshtë, duke ditur të gjitha të dhënat për vendndodhjen e makinës, – transmeton Express.
Makina MBW 320 Seria 3 kishte dalë në shitje me okazion për 5.500 euro, ndërkohë që numri i celularit i personit që ka lënë kontakt për blerësit, tashmë del i padisponueshëm.
Makina është në pronësi të një personi me inicialet I.C, i cili ka bërë denoncim në polici për vjedhjen e automjetit, ndërsa pritet të merret në pyetje nga hetuesit.
Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin bregdetar ndodhi rreth orës 19:40, kur persona të armatosur qëlluan në drejtim të Hysenit dhe Saliut, teksa këta të fundit ishin të ulur në lokalin në pronësi të pronarit të televizionit. Drejtori i OSHEE ndërroi jetë në vendngjarje dhe dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht.