Sinirlioglu: Ditët në vijim ofensivë ushtarake kundër ISIS-it
Turqia parashikon të ndërmarrë në ditët në vijim një ofensivë ushtarake kundër organizatës së Shtetit Islamik (ISIS), i dyshuari kryesor i atentatit me pasoja tragjike në Ankara muajin e kaluar, njoftoi sot shefi i diplomacisë turke, Feridun Sinirlioglu.
“Ne kemi parashikuar të ndërhyjmë ushtarakisht kundër ISIS-it gjatë ditëve të ardhshme”, deklaroi Sinirlioglu gjatë një konference.
Pas disa muajsh të presionit të ushtruar nga ana e aleatëve të NATO-s, Ankaraja ka pranuar verën e kaluar t’i bashkohet koalicionit ushtarak kundër ISIS-it kryesuar nga SHBA-ja, ku avionët luftarakë ngrihen nga baza ajrore e Incirlikit (në jug të Turqisë).
Ushtria turke, e cila është përfshirë këtë verë në luftë të hapur kundër terrorizmit ka patur si objektiv kryesor ofensivën ushtarake kundër rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).